Nëse jeton në Francë dhe je prekur nga COVID-19, një dozë vaksine duhet të mjaftojë.Ka qenë ky mesazhi i qeverisë franceze, e cila deklaron se trupi i njeriut e siguron imunitetin, ndaj dhe një vaksinë mjafton të shërbejë si mburojë.
Franca është bërë vendi i parë në botë që bën këtë rekomandim. Ndërkohë, pjesa lindore të Francës është bërë zona më e kontaminuar e vendit me variantin afrikano-jugor, që ka shkaktuar rreth 100 raste të reja në ditë.
Megjithatë, ende nuk ka një plan për ta vendosur rajonin në izolim total.
“Disa përfaqësues vendorë kërkuan një izolim imediat në disa pjesë apo në të gjithë territorin e Lorraine. Të tjerë kanë kërkuar një mbyllje të parakohshme të shkollave pasi jemi një javë larg nga pushimet kombëtare shkollore. Do kthehem në Paris për të vazhduar bisedimet me ministrin e Arsimit,” – tha ministri i Shëndetësisë Olivier Veran.
Ndërkohë, Hungaria është bërë vendi i parë në BE që përdor vaksinën “Sputnik”. Kryeministri Viktor Orban ka qenë kritik ndaj procesit të ngadaltë të shpërndarjes nga BE dhe ka kërkuar ndihmë nga jashtë bllokut.
Kështu, 4 spitale në Budapest nisën programin e vaksinimit me dozat ruse.
“Rreth 560 mjekë në kryeqytet kanë zgjedhur 5 persona secili nga zona që mbulon klinika e tyre dhe janë dërguar në pikat e vaksinimit. Rreth 2.800 doza “Sputnik” do të administrohen sot,” – tha mjekja Cecilia Muller, citon Euronews.
Në Austri vetëm personat që kanë rezultuar negativë ndaj testit mund të largohen nga rajoni malor i Tirolit.
Ushtria është angazhuar me stacione lëvizëse në kufi, për të verifikuar nëse udhëtarët kanë dokumentin e testit.
Ndërsa në Britani, infektimet kanë rënë për herë të parë që prej korrikut të vitit të kaluar. Të dhënat sugjerojnë se epidemia po ngadalëson ritmin.