Që kur mori detyrën në janar, Presidenti Joe Biden rikonfirmoi angazhimin kombëtar për integritet në studimet akademike dhe hulumtime, duke emëruar shkencëtarë në role të shumta drejtuese.
Pedagogët dhe ekspertët i kanë përshëndetur këto emërime dhe thonë se ngritja e integritetit intelektual në kërkime dhe shkencë do të kërkojë një përpjekje të përbashkët nga universitetet, industria dhe publiku në tërësi.
Presidenti Biden emëroi zotin Eric Lander – autori i parë i një studimi të botuar në revistën shkencore Nature në vitin 2001 që parashtroi sekuencën e gjenomit njerëzor – si kreun e Zyrës së Politikës për Shkencën dhe Teknologjinë (OSTP). Presidenti Biden e ngriti për herë të parë këtë post në nivel kabineti.
Disa ekspertë thonë se me ndryshimin e administratës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, është momenti që komuniteti akademik dhe kërkimor të rishikojë standardet, veçanërisht duke pasur parasysh që vlefshmëria e shkencës po vihet ndonjëherë në dyshim.
“Shumë amerikanë i shohin faktet shkencore si lajme të rremë, që synojnë të çojnë përpara një axhendë progresive liberale,” i tha Zëri i Amerikës Lynn Pasquerella, presidente e Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve Amerikane. “Tani më shumë se kurrë, arsimi i lartë duhet të jetë një forcë e dukshme në komunitetet ku ne shërbejmë, duke demonstruar rëndësinë tonë për shqetësimet e përditshme të njerëzve në këto komunitete.”
Earl Lewis, profesor i historisë, studimeve afro-amerikane dhe afrikane në Universitetin e Miçiganit dhe drejtor i Qendrës Universitare për Zgjidhje Sociale, thotë se i ballafaqon dyshimet në lidhje me arsimin e lartë duke i pyetur skeptikët nëse preferojnë një mjek që përfundon studimet me rezultatet më të mira në klasë apo atë që del i fundit.
“Askush nuk e ngre dorën” për të fundin e klasës, thotë zoti Lewis. “Dhe unë u them, ‘Pra, e vlerësoni arsimin.’ Përse disa prej nesh që jemi me arsim të lartë shihemi si pjesë e klasës armike, në vend që të shihemi si klasa që mund të gjejë zgjidhje për problemet me të cilat përballemi? ”
Për Ivan Oransky, i cili është bashkëthemelues i faqes elektronike Retraction Watch, mungesa e bursave cilësore për botimin e hulumtimeve dhe mos raportimi i gabimeve është pjesë e problemit. Korrigjimet janë pjesë e zgjidhjes, raportimi i informacionit “që nuk është më i besueshëm”, në punimet e botuara, është i dukshëm, i tha ai Zërit të Amerikës.
“Sa të gatshëm janë studiuesit, revistat, universitetet, agjencitë financuese të korrigjojnë faktet dhe të flasin në lidhje me to?” – pyet zoti Oransky.
Por moskorrigjimi i fakteve çon në më shumë mosbesim të të dhënave, thotë zoti Oransky, dhe këtu përfshihen revistat shkencore si dhe shtypi i përgjithshëm që raporton zbulime me ndikim tek publiku i gjerë.
“Kur shikoj një faqe elekronike lajmesh, ka të ngjarë t’u besoj atyre më shumë nëse shoh korrigjime të vazhdueshme,” thotë ai. “Shikon se sa informacion jepet përmes asaj faqe në internet. Është e pritshme që një përqindje e tij të jetë thjesht i gabuar, jo sepse njerëzit u përpoqën të bënin një gabim, por sepse ne jemi njerëz, bëjmë gabime.
“Nëse jam duke lexuar një faqe në internet, dhe shoh se kurrë nuk kanë botuar një korrigjim, nuk shkoj më aty,” thotë ai.
Rohin Francis, një kardiolog britanik, thotë se një lloj zelli i tepruar ka luajtur rol në gërryerjen e besimit të publikut tek arsimi. Ai i quan ata që mund të kenë synim të mirë, por që nuk kanë saktësi në postimet dhe memet e tyre në mediat sociale, si “turma të “shkencës!”.
“Unë jam vetë një promovues i shkencës,” thotë ai në kanalin e tij të YouTube-it, Medlife Crisis, “por jam plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën komplekse të përparimit, hapat e gabuar, paragjykimet njerëzore të imponuara mbi zbulime, korrupsionin, dhe cilësinë tepër të çrregullt të materialeve të botuar. Shkenca është një biznes i çrregullt”.
Duke folur në një video-konferencë më 14 janar për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Norman Augustine, ish-shefi ekzekutiv i kompanisë Lockheed Martin, e quajti kërkimin shkencor “shumë të rëndësishëm për cilësinë e jetës në Amerikë në të ardhmen dhe për pozicionin e Amerikës në botë”.
Por “hulumtimet nuk po marrin rëndësinë e duhur në SH.B.A.”, ndërsa vendet e tjera si Kina po ecin përpara, thotë ai.
Zoti Augustine citoi ish-kryeministrin kinez Wen Jiabao për synimin e epërsisë teknologjike të Kinës. “Historia e modernizimit është në thelb një histori e progresit shkencor dhe teknologjik. Zbulimi shkencor dhe shpikjet teknologjike kanë sjellë civilizime të reja, industri modern, ngritjen dhe rënien e kombeve. Unë besoj fort se shkenca është revolucioni i fundit, ”tha Augustine, duke cituar ish kryeministrin kinez Wen Jiabao.
“Kina vendos synime për shkencën”, tha zoti Augustine. “Për më tepër, ata i përmbushin këto synime. … Kina tashmë ia ka kaluar Shteteve të Bashkuara për sa i përket numrit të gradave të doktoratës që jep në shkencë dhe inxhinieri; Vetëm 19% e diplomave në Amerikë jepen në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë”.
“Në Kinë, mbi gjysma diplomohen në këto fusha,” tha ai.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, “sigurisht që mund të konkurrojnë në inovacion dhe të bëjnë hulumtime me efikasitet më të lartë”, shtoi ai.