Për vitin 2017, qeveria ka llogaritur t’i rrisë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me rreth 21 miliardë në krahasim me faktin e pritshëm të këtij viti.
Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë. Edhe pse është një vit elektoral, parashikimet janë pesimiste. Të ardhurat tatimore në 9-mujorin e këtij viti janë rritur me 7.4%, teksa shihet se qeveria ka planifikuar një rritje me ritme më të ulëta për tatimet dhe doganat për vitin që vjen.
6.2 miliardë lekë nga paketa fiskale
Rreth 29% e të ardhurave shtesë në buxhetin e 2017 do të grumbullohen nga ndryshimet në paketën fiskale. Efektin më të madh në të ardhura të ndryshimeve fiskale pritet ta ketë e ashtuquajtura amnisti, edhe pse ende nuk ka një projektligj gati. Efektet e pritshme pozitive të ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe projektligjit për faljen e një pjese të gjobave janë vlerësuar 4.6 miliardë lekë. Pjesa tjetër prej 1.8 miliardë lekësh, do të merret nga rritja e akcizës për gazin e lëngshëm me 3 lekë për litër, nga heqja e përjashtimit të akcizës për naftën e peshkimit dhe nga dyfishimi i akcizës për purot dhe cigarillot.
16 miliardë nga rritja ekonominë dhe miradministrimi
Qeveria ka programuar në buxhetin e vitit 2017 të arkëtojë të ardhura shtesë në masën e 16 miliardë lekëve nga rritja ekonomike, e cila është programuar 3.8% dhe nga miradministrimi i taksave (lufta ndaj evazionit fiskal). Mirëpo të ardhurat nga këta dy tregues nuk është se janë shumë të sigurta, nisur nga përvojat e shkuara. Rritja ekonomike e vendit në 6 vitet e fundit është finalizuar sistematikisht poshtë parashikimeve, teksa lufta ndaj informalitetit duket se nuk ka dhënë rezultatet që qeveria ka pritur qysh në nisje të saj.
Gjithsesi, në kushtet kur burimet e rritjes së të ardhurave janë të kufizuara, miradministrimi ka mbetur alternativa e vetme duke qenë se Shqipëria mbledh taksa 30% më pak se mesatarja rajonale në raport me PBB.
Në këtë kontekst është programuar një rritje e të ardhurave nga akciza për karburantet, cigaret, pijet etj. Janë programuar të zhdoganohen në sasi 7% ose 200 tonë më shumë cigare krahasuar me realizimin e pritshëm 2016 (3000 tonë ose 29% më shumë se në vitin 2015).
Po kështu është parashikuar rritja e konsumit të karburanteve në përputhje me rritjen ekonomike dhe nevojat e tregut.
Rritja e të ardhurave nga renta minerare dhe TVSH është rezultat i zgjerimit të bazës së taksimit, për shkak të rritjes së çmimeve ndërkombëtare të karburanteve. Rritja e çmimit të karburanteve me rreth 20%, krahasuar me gusht 2016, për shkak të vendimit të OPEC-ut për të ulur prodhimin dhe përforcimin e kontrollit në prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e naftës vendase.
Rritja e të ardhurave nga TVSH-ja në import si dhe TVSH brenda vendit, e shoqëruar kjo njëkohësisht me programimin e fondeve të nevojshme për rimbursimin në kohë të tatimpaguesve.
Është programuar rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin (rreth 6%), e cila reflekton rritjen e deklarimit dhe qarkullimit të realizuar të operatorëve ekonomikë.
Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale si dhe të kontributeve të sigurimeve, e cila mbështetet si në efektet e rritjes së pagave të sektorit buxhetor ashtu edhe në efektet e fushatës antiinformalitet.
Prej dy vitesh, qeveria, e mbështetur edhe nga policia, është përfshirë në një aksion të gjerë ndaj evazionit fiskal, por rezultatet duket se nuk kanë justifikuar as kostot e fushatës ndaj fenomenit. Presioni për të grumbulluar të ardhurat nëpërmjet mjeteve shantazhuese dhe ndaj bizneseve të vogla nuk dha rezultatet që priteshin. Në vitin 2015, kur aksioni antievazion ishte në kulmin e vet, të ardhurat në tërësi nuk u rritën as me 3%, ndërsa klima e biznesit u përkeqësua ndjeshëm. Shqipëria, për herë të parë, humbi 35 vende në renditjen e Bankës Botërore “Të bësh biznes në 2016”. Por, ndërkohë, biznesi e ka humbur besimin nga politikat e qeverisë dhe gjithnjë e më shumë po priret të formalizohet, edhe pse qeveria ka i ka rritur stimujt për 2017.
Të ardhurat nga TVSH, rritje me 6.4%
Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të jenë më 2017 në masën 141,706 miliardë lekë, ose 8,5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2016 ose 6.4%.
Burimi kryesor i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja për vitin 2017, do të jenë të ardhurat nga importet si rezultat i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të karburanteve rreth 1.6 miliardë lekë.
Rritja e të ardhurave në TVSH-në e brendshme, si rezultat i luftës ndaj informalitetit dhe rritjes së bashkëveprimit midis DPD dhe DPT për të minimizuar hendekun e taksës me 2 miliardë lekë dhe të ardhurat si rezultat i ligjit për faljen e gjobave rreth 1.5 miliardë lekë.
Akciza, rritje me 10.4%
Të ardhurat nga akciza vlerësohen në masën 46,997 miliardë lekë me 4.4 miliardë lekë (ose 10.4%) më shumë se viti 2016. Kjo rritje është bazuar në rritjen e zhdoganimeve për cigaret dhe karburantet. Ministria e Financave arsyeton se vitin që vjen, rritja e importeve të këtyre produkteve do të udhëhiqet nga rritja e konsumit dhe rritja ekonomike.
Tatimi mbi fitimi, rritje me 10.4%
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin priten të jenë 29,820 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se viti 2016. Përpos rritjes nominale ekonomike prej 0.6% tek tatimi mbi fitimin janë shtuar të ardhurat që priten të arkëtohen si rezultat i ligjit për faljen e gjobave. Për periudhën nëntëmujore 2016, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë rritur me 5.4%, por edhe kjo rritje është nxitur nga gjoba për pagën e vonuar të tatimit.
TAP, rritje të ardhurash me 9.8%
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale pritet të jenë rreth 35.8 miliardë lekë ose 9,8% më shumë se viti 2016. Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë marrë në konsideratë nga Ministria e Financave disa faktorë si: rritja e pagave; rritja nominale; rritja e numrit të kontribuuesve të sektorit privat; të ardhurat nga rivlerësimi pasurisë së paluajtshme.
Taksa nacionale, 4.4% më shumë të ardhura
Të ardhurat nga taksa nacionale vlerësohen rreth 37,374 miliardë lekë ose rreth 1.5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria e vitit 2016, ose 4.4% më shumë. Rritja e taksave nacionale vjen për shkak të rritjes së taksës së qarkullimit dhe karbonit, si rezultat i rritjes së parashikuar të importit dhe konsumit të karburantit dhe rritjes së të ardhurave nga renta minerare për shkak të rritjes së çmimeve ndërkombëtare në bursë. Të ardhurat nga renta pritet të rriten edhe si rezultat i politikës fiskale për aplikimin e vlerave referuese për bazën e taksimit të rentës për rastet e aplikimit të taksimit sipas vlerës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport.
Të ardhura nga taksa doganore, rritje me 10%
Të ardhurat nga taksa doganore vlerësohen të jenë rreth 6.7 miliardë lekë, ose 618 milionë lekë më shumë se viti 2016 (10,1% rritje). Sipas financave, ndikim në këtë zë kanë të ardhurat shtesë nga rritja e importeve. Importet e mallrave për periudhën janar-gusht të vitit 2016 u rritën me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimet, rritja 2.4%
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vlerësohen në masën rreth 76.3 miliardë lekë, ose 2.4% më shumë në krahasim me pritshmërinë për vitin 2016, ose 1.8 miliardë lekë më shumë. Gjenerimi i të ardhurave shtesë për kontributet do të vijë nga disa faktorë bazë, si lufta ndaj informalitetit dhe rritja e pagave në vitin 2017.
[Taksat 4] Të ardhurat kushtëzohen nga katër rreziqe
Për herë të parë këtë vit, Ministria e Financave do të informojë Kuvendin dhe për rrjedhojë edhe publikun mbi disa rreziqe që do të mund të ndikojnë në treguesin kryesor të buxhetit, të ardhurat.
Rreziku i parë ka lidhje me luhatjet e importit të naftës. Parashikimi i rritjes me rreth 20% i çmimit të karburanteve. Nëse çmimi nuk do të rritet në këtë masë, mund të japë një impakt për çdo 5% luhatje, rreth 400 milionë lekë në TVSH dhe renta.
I dyti lidhet me importin e cigareve. Është parashikuar rritja me 200 tonë e importit të cigareve, me një efekt 1.5 miliardë lekë bazuar në performancën e vitit 2016. Nëse nuk realizohet, mund të ndodhë të humbim 50% e parashikimit.
I treti ka të bëjë me volumin e importeve. Të ardhurat e planifikuara nga TVSh janë bazuar në treguesit e importit. Nëse do të kemi një raport të ndryshëm mes importit dhe prodhimit vendas, për karburantet si rezultat edhe i futjes së rafinerisë së naftës në punë, mund të ketë rialokim të të ardhurave mes dy administratave (tatimore dhe doganore) dhe ulje të të ardhurave nga TVSH për shkak të bazës më të ulët të taksimit të naftës brenda vendit, me një efekt rreth 10%, analizon Ministria e Financave. Ky risk mund të neutralizohet me rritjen e të ardhurave në tatim fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontribute në këtë industri.
Rreziku i katërt lidhet me konsumin e energjisë elektrike. Ka një ndryshim në tre vitet e fundit, të raportit mes importit dhe prodhimit vendas të energjisë elektrike. Kjo për shkak të rezultateve pozitive të reformës për shlyerjen e detyrimeve nga subjekte private apo biznese dhe rritje në mënyrë progresive të prodhimit vendas. Për shkak të ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe masave në drejtim të monitorimit dhe kontrollit, ka një rënie të konsumit total të energjisë elektrike dhe zëvendësimit të saj me burime alternative të energjisë. Ndryshimi i raportit mes importit dhe prodhimit vendas, do të vazhdojë të sjellë rialokim të TVSH-së për vlera më të ulëta në tatime, për shkak të të ardhurave më të ulëta për njësi të energjisë prodhim vendi si dhe, shtyrje në kohë të pagesës së TVSH-së në import.
Shpenzimet me nuanca elektorale
Qeveria vijon të jetë konservatore në shpenzimet publike edhe për 2017, teksa shihet që ato do të rriten në vlerë neto me 17 miliardë ose 3.8% më shumë se fakti i këtij viti.
Këtë vit, shpenzimet buxhetore karakterizohen nga stimuj më të lartë, me fokus rritjen e pagave, pensioneve dhe shpenzimeve për investime.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2017 është planifikuar të arrijë 467.5 miliardë lekë ose rreth 29.3% e PBB nga 450.2 miliardë lekë që kanë qenë në Aktin Normativ 2016.
Investimet publike, nën objektivin 5%
Për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh). Ministria e Financave argumenton se, në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë.
Ashtu si në 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim.
Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.
Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Ministria e Financave ka sqaruar se, ky skenar përfshin disa shtesa në planin e financimit të brendshëm dhe disa pakësime në planin e financimit të huaj, me qëllim sigurimin e një përshtatjeje më të mirë të objektivave të programeve me financimin e tyre, si dhe një përshtatje më të mirë të shpërndarjes së financimeve sipas prioriteteve të qeverisë. Me qëllim minimizimin e efekteve të ndryshimeve në tavanin e financimit për vitin 2016, por edhe për akomodimin e nevojave për financim të brendshëm, janë bërë edhe rialokime ndërmjet planit të financimit të huaj dhe planit të financimit të brendshëm. Ndryshimet (pakësimet) në planin e financimit të huaj nuk afektojnë ecurinë dhe disbursimet e pritshme të projekteve me financim të huaj gjatë vitit 2016, referon Ministria e Financave në relacionin për Parlamentin. Me përparësi janë financuar kërkesat shtesë për TVSH, taksë doganore dhe kosto lokale për mbështetjen e projekteve me financim të huaj, si dhe financimi i projekteve në vazhdim.
Sektori i energjisë, investimet 2.5 mld lekë
Projektbuxheti i vitit 2016 në sektorin e energjisë parashikon një financim total prej 2.3 miliardë lekësh. Ky buxhet synon të sjellë një sërë risish ku përfshihen garantimi për një furnizim të sigurt të ekonomisë me burime energjetike dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për nxitjen e zhvillimit të tregut të energjisë elektrike.
Në këtë shumë përfshihen studime e projekte të rëndësishme në fushën e gjeoshkencave; mbikëqyrje dhe monitorim minerar, të ujërave nëntokësore e terrenit, parandalimit të rrezikut minerar, mbylljes së objekteve minerare e gjeologjike, mbrojtjen dhe rehabilitimin e mjedisit në zonat minerare; rehabilitimi apo demolimi i objekteve dhe sipërfaqeve të ndërmarrjeve dhe shoqërive industriale për t’i përshtatur në zona, klastera apo parqe industrialë.
Shëndetësia
Projektbuxheti i vitit 2016 për shëndetësinë parashikon një financim total për investime në shumën prej 2.3 miliardë lekësh financim të brendshëm dhe të huaj. Një pjesë e kësaj shume do të shkojë për koncesionin e “Check Up” dhe përmirësimin në shërbimin e urgjencave mjekësore. Investimet në sektorin e shëndetësisë do të menaxhohen nga koncesionet PPP (Partneritet Publik-Privat). Qeveria relaton se Partneriteti Publik – Privat do të bëjë të mundur që të kemi një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit të kirurgjisë në të gjithë vendin me një instrument modern, të bollshëm dhe të larmishëm si dhe shërbim cilësor sterilizimi. Gjithashtu Partneriteti Publik – Privat do të bëjë të mundur, të kemi shërbim të hemodializës për herë të parë në spitalet rajonale në Vlorë, Korçë, Lezhë si dhe rinovim të pajisjeve të hemodializës në spitalet rajonalë në Elbasan dhe Shkodër; Përdorimi i zgjeruar i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Investimet në bujqësi, 5.2 mld lekë
Projektbuxheti i vitit 2016 për sektorin e bujqësisë parashikon një financim në masën 5.2 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, ky buxhet do të synojë zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe formalizimin e sektorit të peshkimit. Më konkretisht synohet të bëhet rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve, duke sjellë për pasojë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare. Në vitin 2016 do të mbështeten financiarisht afërsisht 12,000 fermerë, me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg.
Heqja e barrierave tarifore për inputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial do të vijojë edhe për vitin 2017.
Sektori i arsimit, 3.5 mld lekë investime
Projektbuxheti i vitit 2016 për sektorin e arsimit dhe sporteve arrin në 3.5 miliardë lekë. Me këtë shumë, sipas programimit të Ministrisë së Financave sigurohet financim për 51 objekte arsimore (shkolla/kopshte) të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve 2014-2015. Me këtë buxhet sigurohet financimi për ndërhyrje të reja në infrastrukturën e objekteve shkollore në arsimin parauniversitar; (rreth 30 objekte shkollore shkolla/kopshte). Sigurohen pajisjet me mobilie për ndërtimet e reja dhe rehabilitimet, laboratorët shkencorë (kimi, fizikë, biologji dhe kabinete informatike) duke përfituar rreth 120-150 objekte shkollore.
Sigurohen laboratorë shkencorë (kimi, fizikë, biologji) për rreth 45-50 laboratorë/klasa mësimore.
Vijon financimi i platformës e-learning, në kuadër të projektit me qeverinë austriake, si dhe pajisja me 40 laboratorë kompjuterikë për nxënësit e klasave të 10-11-12, në arsimin e mesëm të përgjithshëm, duke përfituar drejtpërdrejt rreth 15.000 nxënës dhe 1.200 punonjës mësimorë të këtij programi, me rreth 340 milionë lekë, nga të cilat 250 milionë lekë janë financim i huaj.
Vijon financimi në arsimin e lartë i kontratave në vazhdim në universitetin “Aleksandër Moisiu”
Do të vijojë rindërtimi i stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, si dhe mbështetja financiare nga MAS për Federatën Shqiptare të Futbollit
Do të vijojë ndërtimi i Parkut Olimpik të Tiranës, me rreth 200 milionë lekë, ndërtimi/rehabilitimi i rreth 20 terreneve sportive/palestra të mbyllura në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm, pjesë e projekteve ndërtimorë të infrastrukturës shkollore në arsimin parauniversitar, me rreth 200 milionë lekë.
[Buxhet] Shpenzimet e personelit, rriten me 4.4%
Shpenzimet e personelit për vitin që vjen janë parashikuar 4.4% më të larta me një vlerë 74.9 miliardë lekë. Për vitin 2017, reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e motivimit dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet edhe nëpërmjet rritjes së nivelit të pagave. Numri i punonjësve për vitin 2017 arrin në 81.575, numër i cili mban në konsideratë ristrukturimin dhe krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë në kuadër të reformës së nisur në këtë drejtim.
Rritja mesatare e pagës për sektorët kryesorë – arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit, do të jetë me 10%, ndërsa për punonjësit e administratës qendrore 7%. Kosto vjetore për këtë rritje është 7.5 miliardë lekë, por duke qenë se kjo politikë do të aplikohet në muajin mars, kosto reale në buxhetin e 2017-s nga kjo rritje do të jetë 6.2 miliardë lekë.
Nga kjo rritje do të përfitojnë 110.000 punonjës, nga të cilët 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publikë.
Politika e rritjes së pagave do të bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike, si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit.
Paga minimale do të rritet me 36.3%, ose me 8 000 lekë/muaj. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6 900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje është rreth 1 miliard lekë në vit.
Rritja e pagës në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës mësimorë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimorë, që janë në varësi të bashkive, duke shtuar financimin e grantit në masën 500 milionë lekë.
Interesat e borxhit, shpenzimet 42 mld lekë
Ministria e Financave programon për vitin 2017, 42 miliardë lekë shpenzime për interesat e borxhit. Shpenzimet për interesa janë bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit. Për pasojë, shpenzimet për këtë zë parashikohen në nivelin 42 miliardë lekë ose 2.6% të PBB, duke shënuar një ulje me 0.2 pikë përqindje krahasuar me Aktin Normativ 2016.
Shpenzimet operative, 39.6 miliardë lekë
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2017 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 39.6 miliardë lekë, ose rreth 2.5% të PBB-së.
Bashkitë e reja, 3.8% më shumë fonde
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2017 janë parashikuar në masën 40.65 miliardë lekë, ose 3.1% e PBB-së. Në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë vendore, së bashku me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve dhe financimi i funksioneve të reja që transferohen në qeverisjen vendore. Shpenzimet e buxhetit vendor janë 3.8% më të larta se ato të vitit 2016. Në këtë rritje të shpenzimeve, krahas rritjes së financimeve nga buxheti, ndikon edhe rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në masën 898 milionë lekë, krahasuar me AN 2016. Në buxhetin e vitit 2017, është bërë një formulë e re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, e cila siguron më shumë barazi, drejtësi dhe parashikueshmëri për qeverisjen vendore.
Fondet speciale marrin 161 mld lekë nga shpenzimet
Shpenzimet e fondeve speciale kalojnë të 202 miliardë lekët për 2017. Këtu përfshihen shpenzimet totale për fondet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, të cilat kapin një vlerë prej 161.8 miliardë lekësh.
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2016, parashikohet në masën 120.5 miliardë lekë ose 7.5% e PBB, nga e cila për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 2.9 miliardë lekësh. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2016 janë parashikuar në masën 37.5 miliardë lekë ose 2.3% e PBB. Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohet në total në masën prej 3.8 miliardë lekë ose 0.2% e PBB. Shpenzime të tjera sociale – këtu përfshihen fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë në të njëjtin nivel si vitin e kaluar. Për ish të përndjekurit është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh ose 0.1% e PBB.
Subvencionet, 2.3 miliardë lekë
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 2.3 miliardë lekë nga 1.75 miliardë të miratuara me Aktin Normativ për vitin 2016. Rritja i dedikohet mbështetjes së reformës së nisur në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Pjesa tjetër e fondit shkon kryesisht për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore, subvencionimin e librit për një kategori të caktuar të nxënësve, veprimtarinë e shërbimeve qeveritare dhe nxitjen e punësimit.
Niveli i fondit rezervë të Këshillit të Ministrave për vitin 2017, parashikohet të jetë në masën 2 miliardë lekë, përkatësisht 1.5 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 500 milionë lekë fond kontigjence për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.
Borxhi i ri, 2.6% e PBB-së
Deficiti buxhetor për vitin 2017 parashikohet të jetë në nivelin 2.6% të PBB nga 2.1% e PBB që është planifikimi për vitin 2016. Rritja e deficitit me rreth 0.5 pikë përqindje, nuk do të ketë ndikim mbi angazhimin e qeverisë për të reduktuar nivelin e borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, pasi balanca primare parashikohet të jetë pozitive dhe rritja ekonomike relativisht më e lartë se deficiti i përgjithshëm, referon Ministria e Financave.
Financimi i deficitit do të realizohet më së shumti nëpërmjet huamarrjes së brendshme (në rreth 1.6% të PBB), ndërkohë që nuk do të mungojë edhe shtesa e huamarrjes së huaj (në rreth 1% të PBB), e cila do të bazohet kryesisht tek huatë me terma të favorshëm, në kuadër të mbështetjes së politikave zhvillimore të ndërmarra nga qeveria.
Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës do t’i referohen raportit më të fundit “Perspektiva ekonomike botërore” të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Masa e deficitit buxhetor nuk do të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit.
Në përputhje me këtë rregull fiskal të Ligjit organik të buxhetit, deficiti i targetuar në këtë ligj vjetor të buxhetit 2017 është 36% më i ulët se sa shpenzimet kapitale të planifikuara direkt për qeverisjen qendrore, ose rreth 46% më i ulët se sa shpenzimet kapitale të financuara nga qeverisja qendrore, por të alokuara edhe për FZHR, si dhe për sektorin e energjisë në formë kredie direkte për investime drejt këtij sektori. /Monitor/