Gjykata në Ekuador refuzoi një kërkesë të Dritan Rexhepit, i konsideruar si bosi shqiptar i trafikut të drogës, për t’u liruar nga burgu. Vendimi është marrë më 23 dhjetor, shkruajnë mediat ekuadoriane.
Rexhepi, i cili kërkohet edhe nga drejtësia shqiptare, italiane dhe belge për disa krime cilësohet nga Europol si drejtuesi i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës nga Ekuadori në Europë. Avokati i tij, Harrison Salcedo, tha se klienti i tij plotësonte të gjitha kushtet për t’u liruar nga qelia.
Ndërsa shqiptari u shpreh në seancë dëgjimore se gjatë pandemisë ai pastronte pavionet çdo të diel dhe bënte maska me bluza.
“Siç e dini, pothuajse të gjithë këtu ishin të infektuar, por duke falënderuar Zotin, gjithçka shkoi mirë” mësohet se tha ai në gjykatë.
Megjithatë gjykata e rrëzoi kërkesën për liri. Rexhepi me tre identitete arrestua më 27 qershor 2014 në Guayaquil dhe në 2015 u dënua me 15 vite burg për trafik droge.
Pjesë nga artikulli në median ekuadoriane
Gjykata refuzoi më 23 dhjetor 2020 kërkesën për lirimin me kusht të Dritan Rexhepit, njeriu që kërkohet nga tre vende evropiane për krime të ndryshme. Dritani po vuan një dënim për trafik droge në burgun Latacunga, 110 kilometra nga Quito në Ekuador.
Ai u arrestua më 27 qershor 2014, në Guayaquil, në një operacion të quajtur Balcanes. Pasi u arrestua u zbulua edhe fakti që ai kishte tre identitete. Rezulton të jetë regjistruar me me emrat Ioannis Dionysopoulos (emri grek) dhe me Lulezim Murataj (emri shqiptar). Por pas hetimeve, u përcaktua se kombësia e tij ishte shqiptare dhe emri i tij i vërtetë ishte Dritan Rexhepi. Ai u dënua me 13 vjet burg për trafik droge më 10 Prill 2015. Rexhepi u burgos në Guayaquil, por që nga viti 2017 u transferua në burgun Latacunga.
Në vitin 2020 kishte informacione të reja për Rexhepin. Europol zbuloi se një 40-vjeçar shqiptar përdorte mjete të sofistikuara të koduara për të drejtuar një organizatë të trafikut të drogës nga Ekuadori. Europol nuk e përmendi emrin e tij, por shtypi shqiptar raportoi se ai ishte Rexhepi. Sipas Zyrës së Policisë Evropiane, shqiptari negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Evropës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Hollandë dhe Shqipëri planifikoi shpërndarjen e drogës në gjithë Evropën.
Por në kohën që po finalizohej ky operacion ndërkombëtar dhe kur u bë publik, Rexhepi kishte filluar procedurat për të marrë lirinë me kusht në Ekuador dhe pothuajse do i’a kishte dalë me sukses nëse nuk do të ishin kërkesat për ekstradim.
Dosja, të cilës Komisioni i referohet u prezantua nga mbrojtja e Rexhepit dhe madje edhe nga avokati i burgut. Sipas kësaj dosjeje, shqiptari ishte privuar nga liria për gjashtë vjet, dy muaj e dymbëdhjetë ditë në kohën kur filloi procedurat për të dalë nga burgu. Me fjalë të tjera, ai kishte kryer 48.3% të dënimit dhe mbrojtja kërkoi lirimin me kusht për shkak edhe të sjelljes së tij të mirë.
Rexhepi ka tre arratisje në regjistrin e tij: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri; në 2011, nga burgu i Voghera, Itali; dhe nga Burgu Merksplas, Belgjikë, gjithashtu në 2011.
Gjatë seancës dëgjimore, Rexhepi u shpreh se gjatë pandemisë ai pastronte pavionet çdo të diel dhe bënte maska apo ndonjë gjë tjetër. “Siç e dini, pothuajse të gjithë këtu ishin të infektuar, por duke falënderuar Zotin, gjithçka shkoi mirë”,- mësohet të ketë thënë ai.
Por, pavarësisht kërkesës gjykatësit kanë vendosur të mos e lënë të lirë me kusht shqiptarin e kërkuar në tre shtete.