Ardit Ferizi nga Gjakova, i cili tashmë është dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, është duke u përballur me akuza të reja për mashtrim dhe vjedhje të identitetit edhe gjatë kohës sa ka qenë në burg, njofton REL.
Ferizi, 25 vjeç është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në vitin 2016 për t’u përballur me akuza për terrorizëm. Ai u deklarua fajtor për qasje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjëseve qeveritarë amerikanë, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik (IS).
Në vitin 2016, Ferizi u dënua me 20 vjet burgim për vjedhje të të dhënave të afërsisht 1,300 personave që përdornin adresa me .mil dhe .gov.
Ardit Ferizi dënohet me 20 vjet burg për ndihmë IS-it
“Ardit Ferizi është një kriminel dhe për këtë ai vetë e ka pranuar, që rrezikoi jetën e mbi 1,000 amerikanëve duke shpërndarë informacionin e tyre personal me anëtarët e një organizate të rrezikshme terroriste”, tha agjenti special i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Rachel L. Rojas, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Pas një ankese, dënimi i tij u zvogëlua në dhjetor të vitit 2020 dhe atij do t’i njihej koha e shërbyer në burg në SHBA. Për dhjetë vjet të tjera do të lirohej në Kosovë, por nën mbikëqyrje. Gjakovari po priste deportimin në Kosovë, kur FBI tha se ai kishte kryer krime tjera edhe gjatë kohës sa ishte në burg.
Ferizi priste të deportohej në Kosovë
Më 6 janar të këtij viti, Ferizi ishte dërguar në një qendër paraburgimi në Pensilvani duke pritur të kthehej Kosovë.
“Ne pretendojmë se Ferizi siguroi hyrje në informacione personale të qytetarëve të SHBA-së edhe kur ai po vuante dënimin e tij në burg, njësoj sikur kishte bërë kur kishte kaluar të dhëna te Shteti Islamik”, tha prokurori David L. Anderson.
“Sjellja e pretenduar kriminale e Ferizit vazhdoi në burg pavarësisht kërkesës së tij për një lirim të parakohshëm nga burgu”, shtoi ai.
Nga 2 prilli, 2017 deri më 25 shtator, 2019, Ferizi edhe pse ishte në burg ka mundur të marrë dhe dërgojë e-maila. Prokuroria beson se vjedhja e të dhënave nga Ferizi u bë gjatë kësaj periudhe.
Sipas aktakuzës, një familjar i Ferizit po menaxhonte edhe llogaritë e tij pasi Ferizi i shkruante atij të “mbajë e-mail-at aktivë dhe mos i lë të mbyllen”.
Të dhënat u shkarkuan në Kosovë
Sipas kallëzimit penal, Ferizi në vitet 2017 dhe 2018 ishte përfshirë në skema të shumta mashtruese nga burgu, duke u koordinuar me anëtarin e familjes, i cili po operonte llogaritë e postës elektronike të Ferizit, ndërsa ai ishte i burgosur.
FBI-ja arriti të përcaktojë të paktën një llogari e-maili që përmbante të dhëna me informacione të vjedhura personale të identifikueshme, lista të shumta të llogarive të vjedhura të postës elektronike, numra të pjesshëm të kartave të kreditit, fjalëkalime dhe informacione të tjera konfidenciale.
Sipas prokurorit, vjedhja e informatave ishin frytet e veprimtarisë kriminale të hakimit të Ferizit. Bazuar në një adresë IP që rezultoi se ishte nga Kosova, u përcaktua se anëtari i familjes shkarkoi bazat e të dhënave të informacionit që ishin vjedhur, për të larguar të dhënat e aktivitetit të mëparshëm të hakimit të Ferizit.
Bitcoin dhe ueb-faqe pornografike
Ferizi i kishte hyrë edhe biznesit me monedhat digjitale, siç është ajo e Bitcoin.
Ferizi dhe anëtari i familjes së tij pretendohet se kanë përdorur shërbime elektronike të Google, PayPal dhe Coinbase, secila prej të cilave ndodhet në Qarkun verior të Kalifornisë.
Aktakuza thotë se i afërmi i Ferizit ka udhëtuar në Gjermani, Francë, Angli dhe Malajzi me qëllim që të shesë Bitcoin ose Etherium dhe të marrë para kesh. Të dhënat e kriptovalutave u vodhën nga Ferizi derisa ishte në burg.
Prokuroria tha se Ferizi vazhdoi të komunikonte me të tjerët për të vazhduar më tej një skemë mashtrimi ndërsa ishte në burg.
Sipas aktakuzës, Ferizi ka pasur edhe një ueb-faqe me përmbajtje pornografike që kishte për qëllim vjedhjen e të dhënave të atyre që shikonin video pornografike në ueb-faqen e tij.
Bashkëpunimi me sulmuesin e Kullave Binjake
Nëse Ferizi shpallet fajtor për akuzat e reja, ai mund të dënohet deri në 22 vjet burgim dhe një gjobë prej 250,000 dollarë.
Ferizi aktualisht është në paraburgim federal dhe do të transportohet në Qarkun verior të Kalifornisë për t’u përballur me akuzat e reja federale. Paraqitja e tij fillestare para gjykatës për t’u përballur me akuzat e reja, nuk është planifikuar ende.
Ferizi dyshohet se ka bashkëpunuar më një të burgosur tjetër që ka marrë pjesë në sulmet e Kullave Binjake në Nju Jork. Ky person tashmë po vuan dënimin prej 240 vjetësh.
Ferizi ka arritur që të vjedhë fjalëkalime për 100,000 e-maila, praktikë kjo që përdoret nga hakerët për qëllime përfitimi.