Ndërtimi i spitalit të Fierit pritet të kushtojë 60-70 milionë euro.
Spitali pritet të jetë gati brenda tre muajsh, ndërsa për ndërtimin e tij do të angazhohen gati 1200 punëtorë. Detajet u dhanë gjatë vizitës në Fier nga kryeministri Rama dhe kompania turke.
“Presim që në kulmin e vet të punës të kemi 1000-1200 punonjës këtu minimumi për të realizuar këtë projekt sfidues. Puna do të jetë 24 orë në ditë, me tre turne.
Patjetër që do të përdorim edhe forcën e punës shqiptare, ne presim që minimumi 20-30% e punonjësve të jenë shqiptarë.
Dhe të gjitha produktet që ne do i gjejmë në Shqipëri të bëra këtu, do preferojmë t’i blejmë këtu, pjesa tjetër do vijë direkt nga Turqia”, tha përfaqësuesi i kompanisë turke.
Rama shtoi se paga minimale në këtë projekt do të jetë aq sa është edhe në punët publike në Turqi, pra rreth 400 dollarë në muaj.
“Po diskutonim dje me Huseinin dhe më tha që në Turqi, në punët e mëdha publike, minimum apo le të themi minimumi mesatar i forcës së punës ishte 400 dollarë në muaj. Kjo është e rëndësishme që njerëzit tanë ta dinë. Në projekt, pra në thelb është shumë afër me atë që ndodh këtu në punët publike, prandaj është me rëndësi që njerëzit ta dëgjojnë këtë sepse ndonjëherë ka vështirësi për ta kuptuar këtë gjë, e ndonjëherë njerëzit bëjnë krahasime me Gjermaninë dhe me Francën”, tha Rama.
Gjatë vizitës së fundit në Turqi kryeministri Edi Rama mori premtimin nga homologu turk se brenda tre muajve do të ndërtohet spitali rajonal i Fierit, i cili pas ndërtimit do të administrohet nga burimet njerëzore të Turqisë për një periudhë tranzitore. /Monitor/