E ftuar në emisionin ‘Java’ në RTSH, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar sërish vizitën e kryeministrit Edi Rama në Turqi.
Ajo rishprehu dhe një herë mendimin si shkoi në takim me Erdogan për të kërkuar azilin politik.
Kryemadhi tha se LSI nuk do të lejojë asnjë marrëveshje që cënon integritetin territorial të Shqipërisë.
‘Absolutisht nuk ndikon dhe komplikon punën tonë. Nuk kam ndërmend të komentoj presidentin e Turqisë pasi është një sjellje e tij, nuk mund ta ndalosh, nuk jam as votuese apo që gjykoj atë. Unë dua të gjykoj kryeministrin tim që në këtë situatë shumë të rëndë dhe problematike për Shqipërinë, siç është pandemia dhe përmbytjet katastrofike ku qytete të tëra janë jashtë funksionit, siç është gjendja e qindra mijëra familjeve që jetojnë në çadra për shkak të tërmetit.
Shikojmë një tam tame të madhe që në 7 prill Edi Rama do të inagurojë spitalin e Fierit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Mua nuk më shqetëson shumë spitali i Fierit. Dua të theksoj që të jenë shumë të kujdeshëm të gjithë liderët politikë, qofshin deputetë socialistë apo drejtues të PS, PD e LSI e institucione të tjera.
Nuk do doja që vizita e Ramës të ishte një vizitë që të krijonte hapësira për marrëveshje antikushtetuese dhe antishqiptare që cënojnë integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë në marrëdhënie me lojëra gjeostrategjike që mund të kërkojë të luajë Edi Rama në kërkim të një azili politik që mund të kërkojë.”
Ju mendoni që Rama i shkel syrin Erdoganit se mund të largohet në Stamboll apo Ankara si azilant?
“Unë them që vizita e tij në Turqi ashtu ka qenë, një vizitë për të përgatitur azilin e tij politik. Çdo marrëveshje që do të nënshkruhet nga Rama në fshehtësi nga LSI, jo vetëm që nuk do të njihet, por do të çohet për ndjekje penale çdo person që ka pasur dijeni dhe nuk e ka ndaluar, e cila cënon sovranitetin e Shqipërisë.”
Keni ndonjë ide se ka ndodhur ndonjë gjë e tillë…
“Unë nuk ka ndonjë ide, por duke pasur parasysh zellin e Edi Ramës për të krijuar, zgjerime, shkurtime apo prerje të hartave të territoreve të Shqipërisë, unë jam e bindur që shumë gjëra të tilla mund ti bëjë me një devotshmëri shumë të madhe në këmbim të kokës së tij. Por koka e Edi Ramës, po karrigia e tij nuk është asgjë përballë integritetit dhe sovranitetit të milionave shqiptarëve që jetojnë jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë Shqipërisë’.- tha Kryemadhi.