Autoritetet shëndetësore shqiptare nuk raportuan sot mbi rastet e reja me Covid-19 dhe ecurinë e pandemisë, duke qenë i vetmi vend jo vetëm në rajon që nuk përditësoi të dhënat.
Ministria e Shëndetësisë më 31 dhjetor njoftoi se për shkak të ditëve festive në datat 1 dhe 2 janar nuk do të raportohen përditësimet mbi numrin e testeve, rastet e reja, ato të shëruara apo edhe humbjet e jetëve, të lidhura këto me Covid-19.
Ndërkohë të gjitha vendet e Rajonit, por edhe më gjerë, sikundër çdo ditë, edhe sot raportuan mbi ecurinë e epidemisë.
Kosova raportoi se në 24 orët e fundit kishte pasur 1 viktimë dhe nga 1224 testime të kryera 147 kishin rezultuar pozitive.
Maqedonia e Veriut raportoi gjithashtu në 1 janar për 7 viktima dhe 414 raste të reja nga 1619 testime të kryera.
Serbia, gjatë 24 orëve të fundit, raportoi se kanë humbur jetën 39 pacientë nga covid ndërsa janë shënuar 2074 raste të reja.
Greqia gjithashtu njoftoi një bilanc të rëndë në ditën e parë të 2021 me 43 viktima dhe 597 raste të reja.
Italia gjithashtu raportoi në 1 janar për 22 211 raste të reja dhe 462 viktima.
Në Shqipëri pritet që rastet e datave 1 dhe 2 janar të bashkohen me ato të datës 3 janar dhe të raportohen në total. Nuk dihet pse autoritetet shëndetësore kanë zgjedhur një strategji të tillë, ndërsa Kryeministri nxitoi në orët e paradites që të njoftonte lajmin mbi sigurimin e vaksinave, bazuar në një marrëveshje me Pfizer.
Në ditët e fundit të 2020, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, paraqiti planin mbi gadishmërinë e strukturave shëndetësore, përgjatë festave, për t´iu përgjigjur qytetarëve, çka do të thotë se edhe ekipet mjekësore që ndjekin rastet me Covid-19 kanë qenë nëgadishmëri.
Atëherë pse Ministria e Shëdetësisë nuk raportoi të dhënat lidhur me ecurinë e pandemisë? Zyrtarisht thuhet se janë ditë festash, por kjo s´do të thotë se raste nuk ka.