Leon Molla, një 36-vjeçar që jeton prej vitit 2012 në Francë, u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Lezhës për thirrjet në Facebook për heqjen e flamurit turk nga një HEC në Mirditë, të cilat u konsideruan si “nxitje urrejtjeje”.
Tre vjet pas një proteste të organizuar në rrjetet sociale për heqjen e një flamuri turk nga diga e një hidrocentrali të ndërtuar nga një kompani turke, Gjykata e Lezhës shpalli fajtor një emigrant 36-vjeçar për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes” dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.
Sipas vendimit të gjykatës, Leon Molla organizoi përmes statuseve në Facebook një fushatë për heqjen e flamurit turk nga hidrocentrali i ndërtuar në Qafë-Mollë, duke përdorur gjuhë urrejtjeje.
“Për 500 vjet Mirdita nuk ka pranuar sundim dhe flamurë pushtuesish, prandaj të gjithë në këmbë për largimin e simbolit të pushtuesit,” citohet njëri prej statuseve të Mollës në vendimin e Gjykatës së Lezhës.
Më 31 dhjetor 2017, protesta që pasoi thirrjet e Mollës çoi në shkatërrimin e flamurit turk të vendosur në faqet e murit të digës së ndërtuar nga kompania Ayen As Energji.
Edhe pse policia ishte e pranishme, ajo nuk ndërhyri gjatë protestës, por pas saj nisi procedimet penale për 60 persona kryesisht me akuzën e tubimit të paligjshëm. Përveç Mollës, asnjë tjetër nuk u dërgua në gjykatë.
Kompania Ayen As Energji depozitoi një kallëzim penal ndaj Mollës, ndërsa pretendoi se flamuri i vendosur prej saj në HEC-in e ndërtuar pas një kontrate koncesionare identifikonte vendit prej nga vinte. Kompania pretendoi se gjithë veprimet kishin qëllim “përhapjen e urrejtjes ndaj një kombësie të caktuar”.
Gjykimi ndaj Leon Mollës u zhvillua në mungesë, pasi 36-vjeçari me origjinë nga Mirdita jeton në Francë prej vitit 2012. Megjithatë, ai është i vetmi i dënuar për shkelje të nenit 265 “nxitja e urrejtjes” në vitin e fundit.
Një çështje në Gjirokastër dhe dy të tjera në Shkodër u mbyllën me pafajësinë e të akuzuarve. Çështja më e rëndë me të akuzuar për “nxitje të urrejtjes” u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të dy të akuzuarve që dogjën disa baraka të komunitetit rom në kryeqytet në vitin 2011.
Në një komunikim me BIRN, Leon Molla pretendoi se dënimi i tij “ishte dënim i të gjithë popullit të Mirditës” dhe paralajmëroi apelimin e vendimit.
Molla është një personazh kontravers dhe në faqet e tij në rrjete sociale ka shpesh thirrje nacionaliste dhe thirrje për rikrijimin e “Republikës së Mirditës”, një shtet jetëshkurtër i shpallur në vitin 1921, nga Marka Gjoni, me mbështetjen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, që kundërshtonte bashkimin e Mirditës me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Në statuset e tij në lidhje me flamurin turk mbi digën e HEC-it, Molla ka pretenduar se vendosja e tij ishte fyese për zonën e Mirditës, që kishte qenë autonome edhe gjatë kohës që vendi u sundua nga Perandoria Osmane. “Revoltë në Mirditë, pas 650 vjet tentohet të sundohet nga Turqia,” citohet Molla në vendimin e gjykatës në një status të shkruar me gërma kapitale.
Statuset e tij në Facebook u gjetën në shkelje të ligjit nga Gjykata e Lezhës. Në një vendim të arsyetuar shkurt, gjyqtari Ilir Perdeda arsyeton se gjuha e Mollës përbënte “Nxitje të urrejtjes ose grindjeve”, pasi edhe pse nuk ndodhej në Shqipëri, nga hetimet ka rezultuar se ai ka qenë organizator i tubimit në Mirditë.
Gjykata arsyeton se statuset e Mollës kishin nxitur urrejtjen ndaj kompanisë turke dhe ndaj investimeve turke në Shqipëri. “Nëpërmjet veprimeve të kryera prej të pandehurit është synuar të cënohet bashkëjetesa e popullit tonë me atë turk dhe investimeve të kryera nga ky i fundit në vendin tonë,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lezhës.
Gjyqtari Perdeda arsyeton se Mollaj kishte përhapur “ndjenja armiqësore ndaj shoqërisë turke që po merrej me ndërtimin e hidrocentralit në Qafë Mollë”.
Molla nuk ishte i vetmi në pretendimet e tij se vendosja e flamurit ishte provokim për krahinën e Mirditës, e banuar në shumicë nga katolikë. Të paktën dy ish-deputetë të shumicës socialiste në parlament, Pjerin Ndreu dhe Eduart Ndocaj, mbështetën heqjen e flamurit turk me forcë dhe kundërshtuan ngritjen e akuzave ndaj protestuesve.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, tani kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu mbrojti protestuesit dhe e cilësoi veprimin e tyre të drejtë dhe kërkoi pushimin e çështjeve penale. “Për disa djem e burra, që me të drejtë të zotit shkuan dhe e hoqën atë flamur që nuk është vendosë dot as nën sundimin e Perandorisë Osmane 500 vjet në atë tokë,” shkroi Ndreu, që e cilësoi flamurin turk atje një “provokim të shëmtuar” dhe akuzoi kompaninë se nuk kishte leje ndërtimi.