Nga Boldnews.al
Një hetim i zhvilluar dobët, i shoqëruar me një gjykim gjithashtu të vakët, dëshmojnë se institucionet e drejtësisë nuk kanë pasur aspak vullnet për të zbardhur plotësisht skandalin e njohur me emrin “DH-Albania”.
Në Maj 2020, gjykata e Tiranës shpalli fajtor dhe dënoi me 6 muaj burg 26-vjeçarin, Avdjol Dobi, i akuzuar për “falsifikim dokumentash”.
Sipas prokurorisë së Tiranës, e më tej gjykatës, ai është i vetmi përgjegjës për falsifikimin e dokumentave në skandalin e tenderit 20 milionë euro për “Rehabilitimin e segmentit rrugor, mbikalimi, pallati me shigjeta rreth-rrotullimi Shqiponja, LOT 1” dhe në një tender tjetër, të zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, për “Linja e re 220kv Burrel – Peshkopi, Lot 1”, me fond limit mbi 10 milionë euro.
Por shumë të dhëna të bëra publike para nisjes së hetimit dhe që nuk gjenden as tangent në dosjen e Prokurorisë e në vendimin e gjykatës, kanë ngritur dyshime se në skandalin e emërtuar “DH – Albania”, Avdjol Dobi duket se ka qenë vetëm një “presta-nome”.
Pas emrit të tij janë fshehur fije të fuqishme politike, të biznesit e të medias, të cilët kanë tentuar të fshehin gjurmët pas një djali të ri, ish-recepsionist spitali, i cili me shumë mundësi as nuk e ka kuptuar se në çfarë loje është përfshirë.
Por, megjithëse “fijet” pas Avdjolit nuk arritën të fshihnin veten, ata gjithësesi siguruan paprekshmërinë në sistemin e drejtësisë, duke e shndërruar rastin ‘DH-Albania” në një prej skandaleve politiko-financiare më të rënda të tranzicionit shqiptar.
Gjithçka nisi pas investigimeve mediatike në fund të vitit 2018.
Tenderi skandaloz
Në Tetor 2018, Autoriteti Rrugor Shqiptar, një strukturë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës që në atë kohë drejtohej nga Damian Gjiknuri, shpalli fituesit e tenderit 2.2 miliardë lekë të reja (20 milionë euro) për rehabilitimin e segmetit të Unazës së Re nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi “Shqiponja”, në Tiranë.
Tenderi u fitua nga një kompani anonime për tregun shqiptar “DH-Albania”, e cila e prezantoi veten si “bijë” e kompanisë “Dunwell Haberman LLC”, e regjistruar në shtetin Dalaëare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kompania “bijë”, e cila ishte regjistruar në Shqipëri në emrin e Avdjol Dobit, kishte dorëzuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dokumenta, në bazë të të cilave deklarohej se “kompania mëmë”, “D-H. LLC” ishte krijuar në vitin 1998 dhe kishte përvojë në punë të ngjashme.
Por, kërkimet mediatike zbuluan se “Dunwell Haberman LLC” ishte regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018, pra pak muaj para se “DH-Albania” të fitonte tenderin e Unazës së Re.
Publikimi i këtyre të dhënave, fillimisht shkaktoi reagimin refuzues nga ana e autoriteteve shtetërore, të cilat hodhën poshtë akuzat për abuzim në tender.
Megjithatë, një seri dokumentash, ndër të cilët edhe amerikanë, treguan se ‘DH-Albania” kishte falsifikuar dokumentat, me të cilat kishte fituar tenderin 20 milionë euro të Unazës së Re.
Pas shpërthimit publikisht të skandalit, Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, bazuar në të dhënat mediatike.
Më tej, pranë saj dorëzuan kallëzim kundër Avdjol Dobit edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), ndërkohë që njoftuan se kishin anuluar tenderat e fituar nga “DH-Albania”.
Në kallëzimet e tyre, institucionet që i kishin dhënë tendera me një vlerë totale prej 30 milionë euro Avdjol Dobit, ankoheshin se ishin mashtruar prej tij.
Vetëm Dobi?
Sado aventurier mund të ketë qenë në jetën e tij rinore Avdjol Dobi, për shumëkënd është e pabesueshme që ai është qendra e rëndesës e skandalit “DH-Albania”.
Dhe, në fakt, të dhëna, të siguruar po nga media, treguan se ai është ndihmuar për hartimin e dokumentave nga ana e punonjësve të stafit të kompanisë “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Por, në hetimin e Prokurorisë së Tiranës dhe më pas në vendimin e gjykatës për dënimin e Avdjol Dobit, nuk gjenden të përmendur anëtarët e stafit të “Gener 2” dhe as nuk janë marrë nën përgjegjësi penale.
Megjithatë, dyshimet publike janë të forta se pas skandalit “DH-Albania” qëndrojnë grosistë të ndërtimit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, sado të fortë që të jenë “grosistët e ndërtimit”, ata nuk mund të sigurojnë kontrata të majme, aq më tepër me dokumenta të dyshimta, pa pasur mbështetjen e autoriteteve shtetërore.
Dhe, në rastet e tenderave 20 milionë e 10 milionë euro, mbështetja me shumë mundësi duhet të vijë nga autoritetet më të larta.
Në rastin e skandalit “DH-Albania” janë përfshirë dy institucione, ARRSH dhe OST, të cilat ishin bashkërisht në varësinë e Ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Një vendim i gjykatës së Tiranës, në janar 2020, vendosi të pranonte kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj zyrtarëve, të dyshuar për abuzim me tenderat e përfshirë “DH-Albania”.
Pasi drejtësia u sigurua që të mos vijonte hetimet për zyrtarët, tashmë i duhej një fajtor-ai ishte Avdjol Dobi, i cili u arratis që në momentin e shpërthimit të skandalit dhe vijon të mos jetë i arrestuar nga Policia.
Pikëpyetjet mbi hetimin e Dobit
“Boldnews.al” ka konsultuar vendimin e gjykatës së Tiranës, marrë në Maj 2020, në bazë të të cilit është dënuar me vetëm 6 muaj burgim djaloshi Dobi.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, i cituar edhe në vendimin e gjykatës, dëshmon se askush nuk ka pasur interes për të zbardhur skandalin e “DH-Albania”.
Prokurori i çështjes deklaron se, pas publikimit të dyshimeve mbi tenderin për Unazën e Re, ka kryer verifikime mbi dokumentacionin e dorëzuar nga Avdjol Dobi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Po ashtu, Prokuroria ka administruar dokumenta nga Ministria e Infrastrukturës, e cila nga ana e saj kishte siguruar dokumenta mbi kompaninë amerikane “Dunwell Haberman LLC”.
Bazuar në analizën e këtyre dokumentave, prokuroria konkludoi se administratori i “DH-Albania”, Avdjol Dobi ka kryer veprën penale të falsifikimit.
Në hetimet e prokurorisë nuk rezulton të jenë kryer veprime minimale proceduriale, në bazë të të cilave mund të ishin siguruar informacione të shumta.
Në dosjen hetimore, sipas asaj që thuhet në vendimin e gjykatës, nuk tregohet asnjë kërkim i mundshëm i Prokurorisë për të konstatuar nëse Avdjol Dobi ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë.
Dosja hetimore e prokurorisë nuk shpjegon, madje as nuk citon, rolin e pjesëtarëve të stafit të kompanisë “Gener 2” në përgatitjen e dokumentave të tenderit për llogari të Avdjol Dobit.
Nuk ka asnjë veprim, për të konstatuar nëse Dobi ka udhëtuar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose se si arriti ai të gjente kompaninë “Dunwell Haberman” në shtetit Dalaëare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këto dhe pikëpyetje të tjera mbi hetimin nuk janë konsideruar si mangësi nga ana e gjyqtarit të seancës paraprake, i cili i ka pranuar aktet e prokurorisë dhe ka lejuar që dosja të shkojë për gjykim në atë gjendje që ishte.
Dobi në kërkim, shkon tek noteri
Po ashtu, në vendimin e gjykatës përmendet edhe një detaj “interesant”, i cili tregon për mungesën totale të institucioneve për të arrestuar Dobin dhe për të dëgjuar versionin e tij për rrjedhën e ngjarjeve.
Gjykata e Tiranës, në janar 2019, kishte caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” në mungesë për Avdjol Dobin.
Por, një vit më pas, në Janar 2020, Avdjol Dobi rezulton të jetë paraqitur personalisht para një notereje publike në Tiranë, ku ka nënshkruar prokurorën për avokatin që do ta përfaqësonte në gjykim.
Djaloshi ka shkuar në zyrën e noterit, ka nënshkruar dokumentin dhe më pas është “zhdukur” sërish në arrati.
Gjithçka ngjan me një skenar filmash të dorës së dytë, i ndërtuar vetëm për të shpëtuar nga drejtësia ata që duket se janë përgjegjësit kryesorë të skandalit 30 milionë euro me “DH-Albania”.