Në udhëkryqin shqiptaro-gjerman u ndodh edhe nipi i numrit dy të Gjermanisë naziste, Hermann Wilhelm Göring. Togeri 22-vjeçar u zhduk në Shqipëri dhe ishin të shumtë ata që u interesuan për fatin e tij.
Në veprën e tij më të fundit “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane”, botuar nga shtëpia botuese “Toena”, historiani Paskal Milo rrëfen fatin e robërve të luftës mbetur pas përfundimit të Luftës II Botërore.
Rreth 250 robër gjermanë e austriakë mbetën në Shqipëri dhe prisnin me padurim kthimin në atdhe.
Shumë të tjerë ishin zhdukur. Duke cituar burime gjermane, Milo shprehet se “në Shqipëri ishin vrarë 3602 ushtarakë gjermanë”. Mes tyre ishte edhe W. Von Essen, për vrasjen dhe vendvarrosjen e tij ishin në dijeni shumë pak njerëz. Dhe ata ishin pikërisht pushtetarë të lartë.
Një ndër ta ishte Enver Hoxha dhe tjetri Kristo Themelko. Të dy e kanë rrëfyer historinë në mënyra të ndryshme. Sipas Themelkos, dylbitë e togerit, ky i fundit ia dha Enverit, ndërsa pistoletën e mbajti për vete dhe e dorëzoi vetëm në vitin 1992.
Ndërsa unazën, me këmbënguljen e Enverit ia dha dr. Omer Nishanit, bashkëshortja e të cilit, Roza, ishte austriake dhe u bë ndërmjetëse për gjetjen e eshtrave dhe sendeve personale të të riut Von Essen. Po ashtu, në librin e tij Milo rrëfen edhe për fatin e atyre pak grave gjermane, që mbetën në Shqipëri, madhe i fundit që u largua ishte pikërisht një grua, në vitin 1955.
PASKAL MILO
Familjet e robërve të Luftës, të informuara për gjendjen e vështirë e keqtrajtimin e tyre, sensibilizuan Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Kryqin e Kuq Gjerman. Këto institucione disa herë iu drejtuan Kryqit të Kuq Shqiptar për t’u dërguar formularët me emrat e personave të vdekur pas mbarimit të Luftës, listën e robërve të Luftës me të dhënat personale sipas vendeve në të cilat ndodheshin të grumbulluara.
Ato vazhdimisht kërkonin që qeveria shqiptare të merrte një vendim për riatdhesimin e tyre, por nga Tirana kishte heshtje e zvarritje të kërkesave. Për të parë nga afër gjendjen e robërve të Luftës në Tiranë erdhën edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Këto përçapje vunë në lëvizje autoritetet shqiptare për të bërë një sistemim të listave të robërve gjermanë, austriakë e të tjerë sipas kërkesave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe për të përmirësuar disi kushtet e jetesës e të punës së tyre. Shqipëria kishte firmosur Konventën e Gjenevës për robërit e luftës të vitit 1929, ndaj dhe regjimi komunist ishte i detyruar minimalisht të tregonte njëfarë vëmendjeje formale.
Më 19 shkurt 1949, sipas listës më të re, në Shqipëri ndodheshin 229 robër gjermanë e austriakë dhe përbri emrave të tyre ishte shënuar edhe në cilën zonë të pushtuar të aleatëve në Gjermani dëshironin të shkonin.
134 prej tyre dëshironin të ktheheshin në zonat amerikane, britanike e franceze të pushtimit, ndërsa 92 të tjerë në zonën sovjetike, dy robër të burgosur nuk kishin shfaqur asnjë dëshirë dhe vetëm një person me emrin Hans Resman, me origjinë nga Boni, kërkonte të qëndronte në Shqipëri.
Çështja e riatdhesimit të robërve gjermanë të Luftës mori përparësi pas krijimit të dy shteteve në Gjermani, ku qeveritë e tyre në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra filluan të interesohen drejtpërsëdrejti. Më 2 dhjetor 1949 në gazetat gjermane u botua një komunikatë për riatdhesimin e robërve gjermanë të luftës nga Shqipëria.
Ky lajm vuri në lëvizje qeverinë federale të Gjermanisë Perëndimore, e cila duke mos pasur lidhje diplomatike me qeverinë shqiptare, veproi përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe qeverisë franceze. Dy herë, më 21 dhjetor 1949 dhe më 30 mars 1950, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar iu adresua Kryqit të Kuq Shqiptar duke kërkuar riatdhesimin e robërve të luftës, dërgimin e listave sa më të sakta dhe të kartelave të robërve të plotësuara.
Qeveria franceze përmes legatës së saj në Tiranë i dërgoi qeverisë shqiptare një notë zyrtare në të cilën, në emër të “qeverisë së Sarrës”, interesohej për riatdhesimin e të “burgosurve të luftës” gjermanë me origjinë nga krahina e Sarrës, interesat e së cilës ajo ishte ngarkuar të përfaqësonte në marrëdhëniet me jashtë. Në të njëjtën kohë u shfaq edhe interesimi i qeverisë gjermanolindore.
Ajo, në fund të dhjetorit 1949, u njoftua nga shefi i misionit diplomatik sovjetik në Berlin se qeveria shqiptare kishte shprehur gatishmërinë e saj për riatdhesimin e 60 robërve gjermanë që ishin nga pjesa lindore e Gjermanisë. Bisedimet e mëtejshme u zhvilluan në Pragë e në Bukuresht, ku të dy qeveritë kishin misione diplomatike.
Më 27 shkurt 1950, qeveria gjermanolindore ra dakord për mbulimin e shpenzimeve të transportit për riatdhesimin e robërve përmes linjës detare nga Durrësi në një port të Rumanisë e që aty me tren për në Gjermani.
Çështja u zvarrit rreth dy muaj të tjerë, se qeveria gjerdhesimin e mbulimin e shpenzimeve të transportit për të gjithë robërit gjermanë, përfshirë edhe ata me origjinë nga zonat perëndimore të Gjermanisë. Më 31 maj 1950, shumica e robërve gjermanë dhe ata austriakë, gjithsej 225 veta u larguan nga Durrësi për në Kostancë të Rumanisë me anijen sovjetike “Plehanov”.
Qeveria shqiptare, në një komunikatë të posaçme për këtë ngjarje e për t’u shërbyer partnerëve të saj ideologjikë e politikë e deklaroi riatdhesimin e robërve gjermanë dhe austriakë të luftës si plotësim të kërkesave të qeverisë gjermanolindore e të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, si dhe të Partisë Komuniste Austriake. Në dhjetor u riatdhesuan edhe 10 robërit e tjerë gjermanë që ishin të dënuar me burg. Historia e robërve gjermanë të burgosur vazhdoi edhe tre-katër vite të tjera. Katër të fundit, mes të cilëve edhe dy gra, vuanin dënimin me akuza të rënda në burgje.
Një prej tyre, i quajtur Harry Behnel, u arratis në vitin 1952 në Jugosllavi e që aty arriti në Gjermaninë Perëndimore, ku bëri të njohur se ende në Shqipëri kishte pak robër gjermanë. Çështja u kthye edhe njëherë në axhendën diplomatike të dy qeverive, shqiptare e gjermanolindore. Robërit e burgosur gjermanë kishin kërkuar ndihmën e legatës gjermanolindore në Tiranë përmes një letre që kishin dërguar. Qeveria shqiptare mori vendimin për lirimin e tre robërve gjermanë më 3 dhjetor 1953.
Por Elsa Koch u mbajt edhe dy vite të tjera, deri në fund të vitit 1955. Besohet se ajo ishte robi i fundit i luftës i ushtrisë gjermane që u largua nga Shqipëria. Burimet dokumentare të viteve të para të Pasluftës pasqyrojnë edhe shpresat e njerëzve të dëshpëruar për të gjetur qoftë edhe varret e të afërmve të tyre të vrarë në Shqipëri.
Sipas burimeve gjermane, në Shqipëri ishin vrarë 3602 ushtarakë gjermanë, prej të cilëve deri në fundin e viteve ’80 të shek. të kaluar vetëm 2400 prej tyre u njiheshin emrat e varret. Rreth 1200 prej tyre ishin të panjohur, edhe nëse arritën të kishin një varr.
Kryqi i Kuq Suedez dhe familja e njërit prej oficerëve gjermanë të vrarë në Shqipëri, nipi i Herman Geringut, togeri W. Von Essen, kërkuan pranë autoriteteve shqiptare edhe pas Luftës nëse ai ishte gjallë e rob lufte, apo ishte vrarë. Historia e këtij oficeri të ri 22-vjeçar gjerman nuk dallon nga ato të mijëra gjermanëve të tjerë të vrarë në tokën shqiptare.
Por ajo është e veçantë, jo pse ai ishte nipi i hierarkut të lartë nazist, por për implikimin e udhëheqjes më të lartë komuniste e shtetërore shqiptare gjatë Luftës e pas saj. Vendi i varrimit të trupit të këtij oficeri u mbajt sekret dhe atij i ishin marrë revolja, dylbitë dhe unaza. Këtë histori e kanë ditur, por edhe e kanë treguar sipas mënyrës së tyre pak njerëz, midis të cilëve Enver Hoxha, por edhe një udhëheqës komunist tjetër i kohës së Luftës dhe i viteve të para pas saj, Kristo Themelko.
Familja e Von Essen nuk arriti të marrë një përgjigje zyrtare nga autoritetet shqiptare për fatin e të afërmit të saj. Por gjeti rrugët dhe mundi të sensibilizojë bashkëshorten austriake të kryetarit të shtetit, dr. Omer Nishani, për të kthyer të paktën sendet personale të togerit të vrarë. Hoxha, në kujtimet e tij, pohon se unazën e togerit e kërkoi Roza Nishani, por nuk thotë plotësisht të vërtetën. Gjatë pushtimit nazist në Shqipëri Enver Hoxha dhe Omer Nishani Sipas tij, doktor Nishani ia kërkoi atë Myslym Pezës dhe ky i fundit ia dha.
Kristo Themelko në kujtimet që ka lënë e tregon thuajse ndryshe. Posedues i sendeve ishte vetë ai dhe pasi e refuzoi herën e parë, me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, ia dha unazën Omer Nishanit. Themelko pretendon se dylbitë e Von Essenit ia dhuroi Hoxhës, ndërsa revolen e mbajti për vete dhe e dorëzoi sipas urdhrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, afro gjysmë shekulli më vonë, në vitin 1992.
Trajtimi i robërve të Luftës ishte një prej aspekteve humanitare të rrjedhojave dramatike që la pas Lufta e Dytë Botërore. Të tjerat ishin edhe më të rënda, si ato të të zhdukurve në luftë apo në kampet famëkeqe naziste të përqendrimit, ku u shfarosën miliona njerëz, mes të cilëve edhe qindra shqiptarë.
Riatdhesimi i të mbijetuarve nga këto kampe mbetet gjithashtu një histori e dhimbshme e plot vuajtje. Qeveria shqiptare në përfundim të Luftës iu drejtua qeverive të Fuqive të Mëdha Aleate për të lehtësuar kërkimin dhe rikthimin e të mbijetuarve shqiptarë nga kampet e përqendrimit në Shqipëri.
Numri i të internuarve shqiptarë në kampet gjermane të përqendrimit, sipas një liste të hartuar nga qeveria shqiptare në fund të vitit 1945, ishte 628 persona. Ende në fund të vitit 1948, qeveria shqiptare nuk kishte asnjë informacion për fatin e 227 prej tyre. Një temë kjo që meriton një studim më vete, më të gjerë e më të thelluar./Panorama