Depozitimi i automjeteve të dala jashtë përdorimi apo të sekuestruara për vite me radhë tek Rezervat e Shtetit në Lundër, i ka kthyer ato në një burim ndotjeje të mjedisit dhe të sëmundjeve kancerogjene.
Në raport, rezulton se janë me qindra mjete të dala jashtë përdorimit të cilat jo vetëm që janë depozituar pa asnjë kriter në këtë zone, por as substancat e rrezikshme për shëndetin që çlirohen nga këto automjete të vendosura nën ndikimin e kushteve klimatike e atmosferike nuk kontrollohen e menaxhohen referuar akteve ligjore në fuqi.
Sipas Direktivës 2000/53/KE, në vendet anëtare të BE do të fillonte riciklimi e ripërdorimi i pjesëve të automjeteve në fund të jetës deri në 85% për peshën mesatare të tyre, ndërsa në vitin 2015 sasia e riciklimit/ ripërdorimit do të rritej në 95%, ndërkohë që në Shqipëri gjendemi përpara faktit që në 2020 këto automjete apo pjesët e tyre nuk riciklohen apo ripërdoren, por lihen në mëshirë të fatit në zonën e Rezervave të Materialeve të Shtetit Lundër.
Ekspertët thonë se automjetet në fund të jetës përbëhen nga materiale të ndryshme dhe secili prej këtyre materialeve nis të degradohet ose shpërbëhet nën efektin e kushteve atmosferike. Ndër materialet që përbëjnë automjetet është plastika, së cilës i nevojiten mesatarisht qindra vite për t’u dekompozuar dhe gjatë këtij procesi çliron në ajër gaze si metani, etani, etileni, polipropileni etj.
“Nëse këto materiale trajtohen në mënyrën e duhur, ato konsiderohen si një burim më i vlefshëm sesa mbetjet. Por në rast se ato nuk trajtohen, por lihen të lira në mjedis, ato kthehen në një problem madhor për mjedisin. Sipas statistikave të riciklimit automatik, më shumë se 80% e një makine mund të riciklohet dhe 20% e mbetur që nuk mund të riciklohet etiketohet si “mbetje automatike të copëtuara. Materialet me pasoja të mundshme negative mjedisore të automjeteve në fund të jetës përfshijnë: vaj, ftohës, karburant dhe lëngje të tjera; gazra për kondicionimin e ajrit; dhe metalet e rënda përfshirë plumbin, kromin gjashtëvalent, kadmiumin dhe zhivën”, thuhet në raportin e përgatitur nga ekspertët.
Më shumë se prishja e imazhit viziv të zonës, në raport ngrihet alarmi për rrezikshmërinë e këtyre lëndëve në shëndetin e banorëve që jetojnë në këtë zonë. “Disa prej këtyre automjeteve të hedhura do të kenë bateritë, gomat, bojën dhe përbërësit e tjerë të paprekur. Kur këto pjesë fillojnë të prishen, ato lëshojnë substanca të rrezikshme në mjedis. Ftohësit dhe lëngje të tjera rrjedhin dhe depërtojnë në tokë dhe ndotin ujërat nëntokësore. Bateritë e makinave kanë acide dhe vajra që mund të rrjedhin dhe të shkaktojnë më shumë dëm, pasi automjeti fillon të shpërbëhet. Automjetet në fund të jetës janë një burim i njohur i të gjithë ndotësve të rrezikshëm si kadmiumi, plumbi, hidrokarburet poliaromatike (PAH) dhe zinku, si dhe mërkuri dhe nikeli; trajtimi jo i duhur i lëngjeve dhe përbërësve të automjeteve në fund të jetës gjatë procesit të çmontimit rezulton në rrjedhjet e ndotura të ujërave të shiut dhe dëmtimet pasuese mjedisore. Lëngjet e automjeteve në fund të jetës, të tilla si vaji i motorit, lëngu i transmetimit dhe antifriz, janë veçanërisht shqetësues sepse ato përmbajnë një sasi të madhe të këtyre metaleve”, thuhet në raport.
Ekspertët që kanë përgatitur këtë raport shprehen se zhiva, e cila është shumë toksike edhe në sasi shumë të vogla, përmbahet në mënyrë të zakonshme në automjetet në fund të jetës.
“Mërkuri përdoret në automjete në disa mënyra, përfshirë: çelësat e dritës të kofanos dhe bagazhit, sistemet kundër bllokimit të frenimit, llambat e shkarkimit me intensitet të lartë dhe sistemet e argëtimit dhe lundrimit. Nëse çmontuesit automatik nuk e heqin këtë zhivë të shtuar qëllimisht, kjo zhivë mund të lëshohet në mjedis”, thuhet më tej në mjedis.
Pavarësisht alarmit të ngritur, kambanat e alarmit duket se kanë rënë në vesh të shurdhët nga drejtuesit e këtij institucioni dhe nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për eliminimin e këtij rreziku për shëndetin jo vetëm të atyre që jetojnë në Lundër, por dhe të gati 800 mijë banorëve të Tiranës të cilët konsumojnë produkte bujqësore dhe blegtorale të zonës ku janë vendosur Rezervat Materiale të Shtetit.
/Tirananews/