Gjatë intervistës së tij ekskluzive për Ora News, Ali Ahmeti foli edhe për një propozim që i kishte ardhur atij, përmes Arbër Xhaferit dhe që fliste për ndarje të Maqedonisë.
Matilda Mcini: A është propozuar një marrëveshje nga Georgevski dhe Arbën Xhaferi për ndarjen e Maqedonisë? Ju është bërë me dije një marrëveshje e tillë?
Ali Ahmeti: Po, ka qenë një takim që unë e kam bërë gjatë luftës me zotin Arbër Xhaferi sepse kam patur takime të shpeshta. Dhe më pyet a do të takoja unë ndonjë personalitet të lartë nga komuniteti maqedonas. Unë i them që asnjëherë nuk kam nguruar të takohem. Unë vazhdimisht apeloj që lufta të ndalet. Të gjejmë gjuhën e përbashkët sepse nënat shamizeza ka qenë si te shqiptarët ashtu edhe te maqedonasit.
Unë për ditë po bëj apele. Tha, tema do ishte ndarja e Maqedonisë dhe më tregon si do jetë ajo ndarje. Tetova, Gostivari, Likova. Struga dhe Kërçova jo në këtë kombinacion. Por Zajazi, vendlindja ime, si komunë. Ndarjet në atë kohë ishin me një prapavijë strategjike dhe nëse do ndodhte një ndarje e tillë shqiptarët do të humbnin shumë. Dhe unë i them që kjo punë nuk bëhet. Nëse është i gatshëm Georgevski të flasim për Manastirin, Prilepin, për Shkupin, për Kumanovën. Më tha nuk bëhet. Atëherë i thashë as kjo nuk bëhet sepse kështu dëmtohen të dy komunitetet, edhe shqiptarët, edhe maqedonasit. Sepse duhej të dëbonim 60 mijë maqedonas nga Maqedonia Perëndimore në pjesën Lindore dhe 260 mijë shqiptarë që duhej të depërtoheshin nga Shkupi, Kumanova, nga Kërçova, nga Struga. Do të ishte një tragjedi e madhe për njerëzit”.