Në Shqipëri po raportohen çdo ditë e më shumë rritje të të infektuarve dhe pacientëve që humbin jetën për shkak të pandemisë së Covid-19.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, dha fakte domethënëse. Ajo tha se ka pacientë, të cilët vijojnë të thyejnë karantinën duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Mjekja deklaroi se të gjithë qytetarët e prekur me Covid-19 janë të regjistruar dhe ka një database për ta.
“Thelbi i kontrollit të pandemisë është bërja e testit, por është edhe izolimi. Testimi nuk ka kuptim nëse nuk pasohet nga izolimi. Çdo person tjetër kontakti, duhet detyrimisht edhe që të izolohet sipas të gjitha rekomandimeve.
E them me përgjegjësi: Lista shkon në polici. Thelbi është mos-dalja dhe mos-shpërndarja e infeksionit. Ne na qëllon edhe kështu, p.sh epidemiologu e merr në telefon dhe pacienti i thotë hajde më vonë se kam dalë dhe kjo është e tmerrshme”.
“Raportohet në polici, por ndërkohë e keqja është bërë tashmë se ai ka dalë.Të gjithë pozitivët, nuk ka rëndësi se ku e bën testin. Testet që bëhen tek privati konfirmohen tek ISHP-ja. Të gjithë njerëzit që janë pozitivë janë nëpër databaze, dhe bëhet maksimumi për të bërë një gjurmim dhe izolim të tyre”, shtoi ajo.
Sa i përket rasteve në rritje, kjo ka detyruar Komitetin Teknik të Ekspertëve të marrë sot masa të reja kufizuese, masa këto që konkretisht konsistojnë tek ndalimi i grumbullimit të më shumë se dhjetë personave në ambientet e mbyllura ose të hapura.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, shpjegon masat e marra. Sipas saj masat kufizuese janë ndërmarrë pas rritjes së rasteve të qytetarëve të prekur me koronavirus.
“Kanë qenë të ndaluara grumbullimet, por duke bërë analizën e situatës e pamë të nevojshme ta theksojmë këtë informacion.
Situata epidemiologjike e bëri të domosdoshme që ta rivëmë në vëmendje këtë masë. Nuk do të ketë asnjë aktivitet as në ambient të hapur dhe në asnjë ambient të mbyllur. Situata është dinamike dhe ne e ndjekin. Dhe në varësi të shifrave përshtatim masat, që mendojmë se janë më efikasite për periudhën që po kalojmë”, tha ajo.
Mjekja shtoi se pavarësisht situatës jo të mirë nuk është menduar akoma një skenar për të shkuar tek rimbyllja e ekonomisë.
“Jo, për momentin kjo nuk është akoma. Ne e kemi sqaruar edhe herë tjetër situatën, që është gjithmonë një kombinim faktorësh që ka të bëjë me shtrimet në spitale, numrin e atyre që humbin jetën dhe respektimin ose jo të masave që rekomandojmë. Një kombinim i tyre na çon ne në shtim të masave kufizuese”, shtoi Rakacolli duke folur në Euronews Albania.
Të ndjerë të frikësuar, shumë qytetarë kanë zgjedhur të përdorin bombola të oksigjenit në banesë. Kjo qasje sipas Rakacollit është e gabuar.
Ajo ftoi qytetarët të komunikojnë me mjekun e familjes mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
“Në shtëpi rekomandohet që të ndiqen rastet e lehta dhe të mesme kur kanë një nivel të caktuar oksigjeni, është pikërisht niveli i oksigjenit 93-94% që pacienti mund të qëndrojë në shtëpi me rekomandimin e mjekut të familjes”, theksoi ajo.
“Ky është një fenomen që njerëzit kanë filluar të përdorin aparat oksigjeni në shtëpi. Trajtimi duhet të bëhet i vëmendshëm dhe i specializuar. Unë personalisht nuk ua rekomandoj këtë trajtim në shtëpi”, u shpreh Rakacolli.