Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi këtë të hënë do të dalin në seancën e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Thaçi dhe Krasniqi do të dalin në seanca të ndara para Tribunalit Special pasi të njëjtëve iu është konfirmuar aktakuza për krime të luftës.
Tribunali Special ka shkaktuar një tërmet politik në Kosovë kur pas një aksioni disa ditor arrestoi katër prej figurave kyçe të shtabit të UÇK-së që njëherësh ishin krerë të institucioneve kryesore të shtetit që nga pas lufta.
Ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës pas arrestimit që pasoi me bastisje disa orëshe nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe shtëpitë e të njëjtëve.
Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar më 4 dhe 5 nëntor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor.
Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër tyre më 26 tetor 2020.
Aktakuza e konfirmuar për katër ish-krerët e shtabit të UÇK-së u bë publike në version të redaktuar.
I pari para Speciales do të flasë ish-kryeparlamentari dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, në orën 11:00, ndërsa për ish-kreun të shtetit të Kosovës seanca do të fillojë në ora 15:00.