Bazuar në periudhën e inkubacionit të virusit Sars-Cov-2, prej 14 ditësh, edhe karantina për personat që kanë pasur kontakt me raste të konfirmuara me Covid-19, është 2 javë.
Por së fundmi, studimet tregojnë që 10 ditë që prej ditës së ekspozimit, karantina mund të ndërpritet nëse testi rezulton negativ. Pra pas 10 ditëve, nuk ka më rrezik për të transmetuar virusin.
Kohëzgjatja e saktë e transmetueshmërisë së virusit nga pacientët e infektuar, nuk dihet ende me siguri të plotë. Studimet tregojnë se virusi është më ngjitës në ditët e para të shfaqjes së simptomave.
Në rastet kur pacientët nuk përjetojnë simptoma të rënda, studimet tregojnë se virusi u izolua me sukses për 10 ditë nga fillimi i simptomave.
Ndërsa te pacientët e hospitalizuar që shfaqin simptoma më të rënda, izolimi i SARS-CoV-2 ishte i mundur deri në ditën e 20-të pas fillimit të simptomave. / Burimi: Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve