Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur sot në një takim homologun e tij, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe një delegacion të gjerë që e shoqëronte atë. Veliaj dhe Ahmeti theksuan se rane dakord për të gjetur rrugët dhe mjetet e duhura për të ringritur rrjetin e bashkive dhe komunave shqiptare në të gjithë rajonin.
“Kemi hyrë në një fazë të re zhvillimi mes Prishtinës e Tiranës dhe të një bashkëpunimi konkret, ndaj sot bashkë me mikun tim, Shpendin, folëm se si do të ringremë rrjetin e kryetarëve të bashkive e komunave shqiptare në rajon, jo vetëm të Shqipërisë e Kosovës, Tiranës dhe Prishtinës, por edhe Tetovës, Preshevës e shumë vise të tjera, ku administratorë shqiptarë janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se nëpërmjet bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm secila prej këtyre bashkive dhe komunave mund të përvetësojnë projektet më të suksesshme të zbatuara prej tyre. “Unë besoj se në këto punë nuk ka nevojë te shpikim rrotën. Nëse Shpendi ka bërë diçka të suksesshme, mund ta mësojmë këtu në Tiranë, e nëse ka ndonjë mësim nga Tirana që mund të jetë i dobishëm edhe në komunën e Prishtinës do të kishim shumë kënaqësi ta ndanim”, tha Veliaj.
Ai gjithashtu bëri të ditur se u kishte shpjeguar miqve nga Prishtina edhe projektin që do të zbatohet në Sheshin “Skënderbej”, i cili do të kthehet në shesh simbol të të gjithë shqiptarëve. “Për pak kohë nuk do shohim këtë zhurmë e trafik që kemi në sfond, por do shohim një shesh i cili do të përfaqësojë unitetin tonë kombëtar, ndaj kam filluar në mënyrë informale të bëj porositë edhe për pllakat e gurët që do vijnë nga Kosova, por edhe pemët e bimët që do vijnë nga viset shqiptare, jashtë Shqipërisë, për t’u siguruar që ky është një shesh i cili i përket gjithë shqiptarëve dhe përfaqëson unitetin tonë kombëtar”, shtoi Veliaj.
Ndërkohë që kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti vlerësoi si të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin mes dy kryeqendrave të shqiptarëve, për vet faktin se vetëm kështu ato mund të aplikojnë dhe të kërkojnë më lehtë mbështetje te fondeve evropiane për projekte të veçanta që do të sillnin zhvillim për Tiranën dhe Prishtinën. “Ka shumë gjëra të cilat mund t’i mësojmë nga njëri-tjetri. Ne kemi diskutuar që të na afrohen qytetet e tjera. Në të njëjtën kohë kur ne mundemi bashkë me Tiranën që të aplikojmë për këto fonde dhe të zhvillojmë, për shembull aplikacionet smart, për të dyja qytetet që nuk do të na kushtonin shumë”, tha Ahmeti.
Gjithashtu ai veçoi se pas vizitave informale që kanë bërë përfaqësuesit e të dyja bashkive, ka ardhur koha që të vijohet me hapa konkretë bashkëpunimin e mëtejshëm. “Ne jemi në fazën kyçe të reformës në trafik, në parking, në gjelbërim, në parqe e në të gjitha gjërat të cilat duam ti diskutojmë. E ku më mirë se t’i diskutojmë në kryeqytetin shqiptar, në qytetet e tjera shqiptare që të shohim mundësinë e bashkëpunimit dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ne i kemi provuar disa reforma, Tirana i ka provuar disa reforma dhe kemi çka shkëmbejmë. Sot diskutuam edhe për çerdhet, edhe për shkollat se si Tirana mund të bëjë të mundur ndërtimin e një numri më të madh shkollash, siç është problem edhe i Prishtinës. Pra ka shumë gjëra të cilat mund t’i mësojmë nga njëri-tjetri”, tha Ahmeti.
(Boldnews)