Zyrtarë të lartë të administratës amerikane qëndruan për dy ditë në Kosovë, në një vizitë që kishte për qëllim zbatimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.
Delegacioni u përqendrua në fillimin e studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit dhe krijimin e lidhjeve më të mira në tregun e energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais dhe drejtori menaxhues i zyrës rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç, thanë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përparësi e administratës amerikane.
“Absolutisht dhe kjo është një nga arsyet përse jemi këtu. Jemi këtu për dy qëllime: një është që të fillojmë studimin e fizibilitetit për liqenin dhe e dyta është që të punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj në rajon se si të krijohen lidhje më të mira në tregun e energjisë, qoftë elektrike apo gazit natyror. Dhe ka një mori mundësish. Ne kemi strategji për gazin natyror për Ballkanin. Dhe nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç mundësive të saj që të jetë e lidhur me fqinjët dhe kjo do të ndihmojë ekonominë e Kosovës… Kur isha këtu herën e kaluar fluturova nga Athina ku u takuam me kryeministrin dhe ministrin e energjisë atje dhe diskutuam rritjen e lidhjeve të tyre më fqinjët edhe në kontekstin e lidhjes së vendeve si Kosova në rrjetin e gazit në këtë rajon. Dhe kjo është nga arsyet përse jemi këtu”, tha zoti Zais.
Zoti Zais thotë se arsyeja tjetër e vizitës së tyre ka të bëjë edhe me mbledhjen e informatave dhe vlerësimeve teknike për liqenin e Ujmanit.
“Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, tha ai.
Përfshirja e fizibilitetit të liqenit të Ujmanit në dakordimin e 4 shtatorit nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.
Por, zoti Zais thotë se ekspertët amerikanë do të kryejnë punën teknike për mënyrën se si të shfrytëzohen më mirë mundësitë që ofron liqeni.
“Ne kemi sjellë dy ekspertë teknik. Njëri i energjisë dhe njëri i ujërave dhe të dy vijnë nga një prej laboratorëve kombëtar, Laboratori Kombëtar i Pacifikut veriperëndimor afër Siattlit. Ata kaluan tri zona kohore që të vijnë me ne që nga shteti i Washingtonit, përgjatë pandemisë dhe janë të vetmit nga tërë laboratori që kanë udhëtuar përgjatë pandemisë, sepse kërkuam një përjashtim, sepse aq i rëndësishëm mendojmë se është ky problem dhe përkushtimi ynë për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit… Herën e fundit kur isha këtu solla një letër që e përshkrova më herët nga sekretari i energjisë për kryeministrin për përkushtimin tonë. Sot i solla një letër tjetër atij dhe ministrit të ekonomisë me të cilën ftojmë Kosovën që të jetë anëtare e asaj që ne e quajmë Partneritet për Bashkëpunim Energjetik Transatlantik, apo P-TEC. Shtetet e Bashkuara janë krahu i nismës së tre deteve. Takimi i kësaj nisme u mbajt sot në Estoni dhe sekretari ynë foli aty dhe siç e dimë 12 vende janë pjesë e saj. Por, Partneriteti për Bashkëpunim Energjetik Transatlantik të cilin Departamenti i Energjisë e lehtëson si krahu amerikan i tij, përfshinë 12 vende vëzhguese dhe sot e ftuam kryeministrin dhe Kosovën që Kosova të jetë vëzhguese në këtë Partneritet. Mendoj që ka përparësi të mëdha dhe është një rrugë tjetër që Kosova të jetë e lidhur me rajonin dhe Evropën dhe të gëzojë ndihmesën teknike dhe ekonomike që ofron departamenti amerikan i energjisë”, tha zoti Zais.
Drejtori menaxhues i zyrës rajonale në Korporatën Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç thotë se është optimist për kuadrin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Ne shpresojmë se kjo do të shtojë mundësitë që të dyja palët të ndërtojnë masa të mirëbesimit për të punuar së bashku për normalizimin ekonomik, qoftë në nivelin e lartë ashtu edhe atë të ultë dhe do të kemi mundësi për të përforcuar sektorin privat, në mënyrë që kapitali privat ndërkombëtar të mund të vijë këtu, të krijojë më shumë vende pune dhe të ketë ndikim afatgjatë në të dyja ekonomitë”, tha zoti Jovanoviç.
Zoti Jovanoviç thotë se qëllimi thelbësor i administratës amerikane është përshpejtimi i kapitalit privat që do të rriste punësimin dhe mundësitë ekonomike në rajon duke ndërlidhur ekonomikisht rajonin.
“Realiteti në terren është që secili shtet në rajon është tepër i vogël për të menduar se përparimi ekonomik zhvillohet brenda kufijve të tyre, duhet të shikoj tek fqinjët dhe ky proces nuk do të thotë që patjetër të bëni kompromise me sovranitetin tuaj, me identitetin tuaj politik, etnik dhe fetar, larg asaj. Vetëm pse bëjmë tregti me Kanadanë dhe Meksikën nuk do të thotë se nuk jemi komod të vazhdojmë të jemi Shtetet e Bashkuara. Natyrisht këto janë çështje të popujve dhe janë të ndërlikuara, por ne duam të gjejmë mënyra për të mundësuar tutje bashkëpunimin ekonomik rajonal kështu që integrimi në ekonominë gjithëpërfshirëse evropiane dhe ekonominë globale të jetë më i lehtë dhe të jetë me ndikim për popullatën vendase këtu”, tha zoti Jovanoviç.
Ai thotë se Kosova ndanë vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë dhe se gjetja e rrugëve për të çuar përpara partneritetin është thelbësor.
“Marrëveshjet për normalizimin ekonomik ofrojnë mundësi të mëdha, por, nuk janë zëvendësim për bisedimet politike në Bruksel. Dhe siç tha sekretari Zais, synimi ynë themelor, sepse është në interesin tonë strategjik të Shteteve të Bashkuara, është që t’i shohim këto vende si anëtare të Bashkimit Evropian, të forcojnë përfitimet nga demokracia, nga tregu i lirë dhe të sigurohemi se cilësia e jetës këtu të vazhdojë të përmirësohet mbështetur në ato vlera të përbashkëta perëndimore”, tha zoti Jovanoviç.
Zyrtarët amerikanë thonë se mbështetja për Kosovën dhe rajonin nuk ka filluar nga marrëveshja e 4 shtatorit por kjo pjesë sipas tyre ka qenë vazhdimisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.
Zoti Zais thotë se investimet e Rusisë dhe Kinës në rajon i shohin të rrezikshme sepse Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara,
“Është rajon shumë i rëndësishëm sepse nuk është periferi e Evropës por është zemra e Evropës. Ne duam të ndihmojmë Ballkanin dhe të gjitha vendet e Ballkanit që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe të përmbyllin rrugën drejt demokracisë dhe bazën ekonomike që Ballkani duhet të ketë në Evropë. Sa i përket investimeve kineze e ruse, ne jemi të sigurt për mundësitë dhe përparësitë e investimeve amerikane dhe mendoj që dëshmitë flasin vet. Sa i përket investimeve ruse, nuk është fshehtësi se Shtetet e Bashkuara mbështesin për Ballkanin dhe Evropën politikën se i tërë tregu është i hapur dhe ka rrugë e furnizime të llojllojshme posaçërisht për energjinë dhe gazin natyror. Ne besojmë se ky nuk është synimi i Rusisë. Qëllimi i Rusisë është rritja maksimale e varësisë së gjithë Evropës nga gazi i saj dhe të gjitha përpjekjet e saj çojnë në atë drejtim. Ky nuk është synimi i Shteteve të Bashkuara, investimet tona synojnë llojllojshmërinë e furnizimeve dhe pavarësisht nëse vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ky është treg i lirë dhe në shpresojmë të sigurojmë furnizim për tërë rajonin”, tha zoti Zais.