Babai i Adele, Mark Evans ka telefonuar policinë pasi fqinja e tij dëgjonte këngë të vajzës së tij të famshme.
56-vjeçari, i cili u largua nga familja e tij kur ylli i muzikës ishte vetëm 3-vjeç duke e lënë nënën e saj Penny Adkins ta rriste e vetme, thuhet se nuk ishte kënaqur kur fqinji i tij, Keeley Fry filloi të dëgjonte në shtëpi hitet e këngëtares.
“Më pëlqen shumë të këndoj këngët e Adele,”- tha 21-vjeçarja, nënë e një fëmije. “Të gjithë miqtë mendojnë se zëri im tingëllon si i saj. Gjithashtu më pëlqen të interpretoj këngët e saj, me zë të lart, por jo aq shumë sa ai pretendon.”
Keeley tha se u transferua pranë vendbanimit të Mark dhe bashkëshortes së tij dy vite më parë.
“Më kërkoi që të mos këndoja aq fort dhe të mos dëgjova muzikë me zë të lartë. Ai tha se ndikonte në gjumin e tij dhe ishte shqetësuese. U befasova sepse jam një adhuruese e madhe e Adele,”- u shpreh ajo. “Mendova se do ta vlerësonte, jo të ankohej. Unë mendoj se ka problem me mua sepse jam fanse e Adele. Ka qenë një makth i madh.”
Në një intervistë për Daily Mail në vitin 2013, Mark shprehu keqardhjen e thellë për marrëdhënien inekzistente që ka me 32-vjeçaren. Ai mori përgjegjësinë e plotë për dështimet e tij si baba, duke u larguar nga vajza kur ishte vetëm tre vjeçe dhe la nënën e saj Penny ta rriste e vetme.