Me më pak se një muaj përpara datës së zgjedhjeve, diagnoza me COVID-19 e Presidentit Donald Trump e ka rikthyer pandeminë në epiqendër të garës presidenciale. Ndërsa administrata e tij u përpoq të projektonte imazhin e një presidenti që po e merr veten me shpejtësi, zyrtarët e fushatës së tij elektorale po punojnë ta përdorin sëmundjen e tij si një mjet elektoral.
Që nga rikthimi i tij të hënën nga Qendra Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”, Presidenti Trump ka projektuar imazhin e drejtuesit të gatshëm të rikthehet në punë. Të mërkurën, ai e la rezidencën për të punuar shkurtimisht nga Zyra Ovale, ku mori informacionin më të fundit për Uraganin Delta dhe negociatat me demokratët në Kongres për paketën emergjente të ndihmës financiare.
Gjatë këtyre ditëve që po merr veten, Presidenti Trump ka vazhduar të jetë shumë aktiv në Twitter, me mesazhe që ndër të tjera sulmonin kundërshtarët politikë, deklarata për emërimin e gjykatëses konservatore Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë, si dhe garanci të përsëritura për gjendjen e tij të mirë fizike.
Forcë nga sëmundja
Mesazhi i Presidentit Trump përfshiu një video të qarkulluar të hënën, ku tregohet dalja e tij nga spitali dhe mbërritja në Shtëpinë e Bardhë, duke ngjitur shkallët që përdoren rrallë për t’u kthyer në rezidencën ekzekutive. Mesazhi i tij kryesor për amerikanët, i dhënë pasi hoqi maskën, ishte të mos frikësoheshin dhe të mos lejonin koronavirusin të dominonte jetët e tyre.
Në një video të qarkulluar të mërkurën në mbrëmje, Presidenti Trump e quajti sëmundjen e tij një “bekim nga Zoti”. Ai përmendi ilaçet që ai thotë se e ndihmuan “së tepërmi” dhe i cilësoi si “një kurë”.
“Presidenti Trump po përpiqet ta pasqyrojë veten si një lloj Supermeni”, tha Norman Ornstein, studiues me Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.Ai po “mposht virusin, ndërsa po ul rëndësinë e nivelit të vdekshmërisë për ta bërë që të duket më mirë përqasjen e dështuar të administratës së tij”, tha ai.
Aleatët e Presidentit Trump mendojnë se presidenti po bën më të mirën ndërsa lufton kundërshtarët.
“Ne nuk do të dorëzohemi, siç do të dorëzohej Joe Biden përballë këtij virusi”, tha të hënën në kanalin Fox News, Mercedes Schlapp, këshilltare e fushatës së Presidentit Trump. “Në fund të ditës, e dimë se presidenti është mirë”.
Informacionet e përditshme të dhëna nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë kanë qenë optimiste. Të mërkurën, Dr. Sean Conley, mjeku i presidentit, tha se “ekzaminimi i tij fizik dhe treguesit jetikë, përfshirë nivelin e oksigjenit dhe frymëmarrjes, mbeten të gjitha në nivele normale dhe të qëndrueshme”. Sekretarja e Shtypit Kayleigh McEnany, e cila së bashku me disa anëtarë të stafit të saj rezultoi pozitive me koronavirus, e shpërndau memorandumin në Twitter.
Ndërsa administrata Trump u përpoq të projektonte imazhin e një rimëkëmbjeje të fortë dhe të shpejtë, fushata e tij po punon për të shfrytëzuar sëmundjen e presidentit. Gjatë një segmenti në kanalin Fox News të hënën, drejtorja për komunikimin e ekipit elektoral të Presidetit Trump, Erin Perrine, e paraqiti diagnozën e presidentit si një kompetencë që i mungon Joe Biden-it.
“Ai po e lufton me forcën që mund të ketë vetëm Presidenti Trump”, tha zonja Perrine. “Ai tashmë ka eksperiencë në luftimin e koronavirusit si individ. Këto eksperienca të dorës së parë, Joe Biden-it i mungojnë”, shtoi ajo.
Ekspertja republikane Amanda Iovino e firmës kërkimore WPA Intelligence tha se presidenti kërkon të përdorë betejën e tij personale kundër virusit si metaforë për mënyrën se si vendi po lufton pandeminë dhe se është çelur një mundësi që fushata të përdorë diagnozën e presidentit për “t’u lidhur dhe simpatizuar me amerikanët që e kanë kaluar virusin, ose që kanë patur të njerëzit e tyre të dashur që janë infektuar”, në veçanti më të vjetrit, një segment kyç demografik në zgjedhjet e 2020-tës, të cilët janë në veçanti të rrezikuar nga COVID-19.
Presidenti Trump fitoi me 7 përqind diferencë votat e të moshuarve në vitin 2016, por një anketim i NBC / Wall Street Journal i botuar të dielën tregoi se zoti Biden është në avantazh përkundër Presidentit Trump në këtë grupmoshë me 27 për qind, ndërsa një anketim i CNN / SSRS i botuar të martën tregoi se zoti Biden kryeson me 21 pikë.
Pandemia e ekzagjeruar
Ndërsa zyrtarët e fushatës Trump besojnë se demonstrimi i forcës së presidentit në betejën e tij kundër virusit do të sigurojë mbështetje nga baza e tij dhe ndoshta do të fitojë simpatinë e votuesve të pavendosur, ata gjithashtu shpresojnë se rimëkëmbja e shpejtë e Presidentit Trump do të provojë se rreziku i pandemisë është ekzagjeruar.
Përqasja e Presidentit Trump është të projektojë triumf, tha Jennifer Mercieca, profesore e komunikimit në Universitetin Texas A&M.
“Ai po përpiqet të përçojë mesazhin se virusi është i parëndësishëm, dhe se mundemi ta mposhtim me lehtësi dhe t’i rikthehemi normalitetit”, tha ajo.
Zonja Mercieca thotë se kjo përqasje është e vështirë, pasi virusi përfshiu njerëz brenda rrethit të afërt të Presidentit Trump, me Zonjën e Parë dhe të paktën 11 anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe punonjës të fushatës elektorale të presidentit të infektuar deri më tani. Tre senatorë republikanë që morën pjesë në aktivitetin e Shtëpisë së Bardhë më 26 shtator, si dhe 11 persona të përfshirë me debatin e parë presidencial më 29 shtator, kanë rezultuar gjithashtu pozitivë me koronavirus.
“Njerëzit do të pyesin ‘Nëse Shtëpia e Bardhë nuk është e sigurtë, atëherë a mund të jetë e sigurtë shtëpia ime?’,” shtoi zonja Mercieca.
Nga pikëpamja logjistike, diagnoza e Presidentit Trump ka ndryshuar planet për javët e fundit të fushatës elektorale deri në datën e zgjedhjeve, më 3 nëntor. Me një kandidat që nuk mund të udhëtojë, të paktë përkohësisht, fushata mbështetet tek Nënpresidenti Mike Pence dhe të tjerë, përfshirë anëtarët e familjes, si Donald Trump Jr., Ivanka Trump dhe Eric dhe Lara Trump, që të vazhdojnë “Operacionin Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore”.
Fushata Trump ka hequr dorë nga sulmi që bënte më parë ndaj rivalit Biden duke e akuzuar atë se“po fshihej në bodrumin e tij”, si dhe krahasimeve mes tubimeve masive të Presidentit Trump dhe aktiviteteve më të vogla dhe me distancim fizik të rivalit të tij.
Ekspozimi i kufizuar i kandidatit demokrat
Gjatë gjashtë muajve të fundit, strategjia e fushatës së Nënpresidentit Biden ka qenë kufizimi i ekspozimit të kandidatit të saj, duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze protokolleve të shëndetësisë të përcaktuara në udhëzimet e shteteve dhe ato federale. Pas diagnozës së Presidentit Trump, fushata Biden ka ruajtur drejtimin dhe i është përmbajtur planeve për aktivitete, qoftë virtualisht, apo duke u takuar me grupe të vogla njerëzish me maska në mjedise të jashtme.
Zoti Biden është treguar i kujdesshëm në komentet për sëmundjen e Presidentit Trump, por të hënën fajësoi presidentin për mosmbajtjen e maskës dhe mosrespektimin e udhëzimeve për distancimin fizik, duke thënë se Presidenti Trump është “përgjegjës” për marrjen e virusit.
“Kushdo që merr virusin, duke thënë se ‘Maskat nuk kanë rëndësi, distancimi fizik nuk ka rëndësi’, mendoj se është përgjegjës për atë çfarë i ndodh”, tha zoti Biden në një takim me publikun në Majami, të organizuar nga kanali NBC.
John Fortier, drejtor i studimeve qeveritare në Qendrën e Politikave Dypartiake, tha se fushata elektorale e zotit Biden do të bënte mirë ta shmangte përdorimin e sëmundjes së Presidentit Trump për avantazh politik.
“Do të prisja që ata thjesht t’i urojnë presidentit shërim të mbarë dhe të presin se si do të jenë kufizimet ndaj fushatës dhe debateve”, tha ai.
Të mërkurën në mbrëmje, Nënpresidenti Mike Pence dhe kandidatja demokrate për nënpresidente Senatorja Kamala Harris u përballën në një tjetër debat. Megjithëse kandidatët gjendeshin mbi 3.5 metra larg njëri-tjetrit, ekipi i zotit Pence pranoi të vendosej një xham mes tyre, bazuar në kërkesën e ekipit të fushatës Biden-Harris.