Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD Ivi Kaso ka qenë sot në studion e lajmeve të Fax News, ku ka diskutuar amendimet e kësaj force politike për Kodin Zgjedhor. Sipas Kasos, opozita nuk do të tërhiqet nga mbajtja në fuqi e formulës aktuale të koalicioneve, pasi për ta kjo është vija e kuqe e çdo marrëveshje që është arritur derimë tani në Këshillin Politik.
Kaso tha më tej se është e papranueshme fakti që mazhoranca nuk do që OHDIR të japë mendimin e vetë për koalicionet, ndërsa shtoi se PS nuk ka qenë kurrë e interesuar për hapjen e vërtetë të listave.
“PD kërkon hapjen e vërtetë të listave në masën 100%, me kushtin që koalicionet parazgjedhore të mos preken. Mazhoranca kërkon që të ndryshojë rregullat e lojës në një kohë kur procesi zgjedhor ka filluar. Sipas mazhorancës nuk mund të qendrojnë listat e hapura me këtë formulë koalicionesh.
Përmes draftit ne tregojmë se është krejtësisht e mundur një ndryshim në Kod që hap listat, por nuk prek formulën e shpërndarjes së mandateve. Për ne ka qenë dhe vijon të mbetet mosprekja e koalicioneve si vija e kuqe, për të rënë dakord me ndryshimet Kushtetuese.
Ndërkombëtarët kanë qenë të qartë se ne duhet ti mëshojmë marrëveshjes së 5 Qershorit, dhe ndryshimet nuk duhet të jenë të njëanshme. Ne kërkojmë që OHDIR të japë opinion për koalicionet, sa kohë që palët janë në pozicione diametralisht të kundërta. Mazhoranca si pretekst përdori faktin se ne nuk kishim draft, dhe nuk mund të kërkonim që ata të jepnim mendim për opinione.
Në këtë moment ne kemi paraqitur një draft, duke i thënë fund preteksteve nga ana e mazhorancës. Reagimi i Gjiknurit ka qenë i panevojshëm, pasi ne e kemi të qartë se cilat janë arsyet elektorale të mazhorancës që kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor në mënyrë të njëanshme.
Çdo shqiptar e ka të qartë se pse një forcë politike e ndryshon ça të mundet në mënyrë të njëanshme, nuk ka nevojë që këtë të na e shpjegojë me shkrim bashkëkryetari i komisionit për tryezën zgjedhore.
Ne nuk mund të bëjmë kompromise me çdolloj çmendurie që i vjen në kokë mazhorancës. Nuk ka qenë kurrë vullneti i mazhorancës që të hapë listat, ajo ka qenë preteksti, pasi qëllimi kryesor i tyre është heqja e koalicioneve”, u shpreh Kaso.