Disa ditë më parë, në media u raportua se policia dhe prokuroria e kanë tashmë një të dyshuar për ngjarjen që tronditi Tiranën, ku si pasojë mbeti i plagosur rëndë Preng Gjini.
Nga hetimet raportohet se nipi i Kastriot Reçit mund të ishte përfshirë në atentat, ndërsa u dhanë edhe detaje në lidhje me veshjen e mundshme të autorit të shpërthimit të tritolit në automjetin e Gjinit.
Në lidhje me këto aludime, ka reaguar nipi i Kastriot Reçit, A.Reçi shprehet se janë të pavërteta dhe se ai e familja e tij nuk kanë lidhje me shpërthimin në Tiranë.
A.Reçi thotë se është student i arteve dhe për këtë arsye qëndron në Tiranë e se nuk është e vërtetë që të jetë përfshirë në ngjarjen e rëndë.
“Unë jam A.Reçi, nipi i Kastriot Reçit, ku ditët e fundit ka pasur spekulime dhe aludime rreth emrit tim. Unë jetoj në qytetin e Tiranës dhe prej vitesh jam student i Arteve. Prezenca ime në këtë qytet lidhet vetëm me studimet që unë ndjek.
E ndjej për detyrë këtë reagim publik, pasi po mundohen të spekulojnë për lëvizjet e mia në qytetin e Tiranës, ku në ato momente unë kam qenë në zonën e Pedonales, pranë Kinema Millenium (lokal N’MES) i shoqëruar me tre studentë të tjerë si dhe ato jashtë Shqipërie, të cilat kanë qenë të planifikuara në kuadër të një projekti multi-kultural muzikor dhe në shërbim të përgatitjes sime profesionale.
Dua të shtoj se kam qenë dhe jam i hapur për çdo bashkëpunim me të gjitha organet kompetente të drejtësisë. Dhe dua të theksoj se çdo aludim mediatik, i bërë për prezencën time në vendin e ngjarjes, veshjen time apo lëvizjet e mia në ato orare është bërë me qëllim disinformimit publik dhe përfshirjes sime e të familjes time në një ngjarje kriminale, ku ne nuk kemi lidhje.
Mediat dhe portalet janë shprehur se për mua si person është prerë fletë-arresti, por kjo gjë nuk është aspak e vërtetë pasi jam interesuar në polici dhe më kanë thënë se nuk mbajmë përgjegjësi për mediat.
Ju lutem, mos përhapni lajme të paverifikuara dhe të paqena, pasi po na inkriminoni në ngjarje që s’kanë liidhje me mua dhe familjen time”, shprehet A.Reçi, nipi i Kastriot Reçit./BW