Në Tiranë, partitë politike vazhdojnë polemikat dhe mospajtimet mbi reformën zgjedhore. Analistët e zhvillimeve politike pohojnë se premtimet për lista të hapura nuk po përmbushen, por kanë mbetur në vorbullën e retorikave boshe.
Ekspertët mendojnë se afati për një kompromis mes palëve është brenda këtij muaji, që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje minimalisht të rregullta dhe paraprakisht të pakundërshtuara.
Analistët e politikës pohuan se polemikat e fundit mbi reformën zgjedhore në Tiranë mes forcave politike po bëhen kryesisht për t’u dukur të zellshëm para institucioneve ndërkombëtare dhe për t’ia faturuar njëra tjetrës dështimin se sa për të bërë vërtet një reformë të qëndrueshme.
Palët, sipas tyre, janë në drejtime të kundërta, dhe duken sikur nuk kanë interes për kompromis, po bëjnë propozime për të penguar zgjidhjen konsensuale në prag të procesit zgjedhor.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta thotë se debatet mes partive politike mbi listat dhe koalicionet zgjedhore përditë e më shumë po edhe më acarruese, sepse situata nuk po qartësohet, por lëshohen deklarata që e thellojnë krizën politike.
“Drafti i Partisë Socialiste provokoi paqartësi, duke u paraqitur në Këshillin Politik së fundi. Aty aktorët politikë janë çorientuar dhe sforcuar dhe nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje, sidomos me përcaktimin e mënyrës se si do të organizohen koalicionet zgjedhore. Ne e kuptojmë që Partia Socialiste po arrin të provokojë një tension të qëllimshëm për të futur në sherr opozitën e bashkuar mbi këtë temë” – tha zonja Meta.
Opozita kërkon reformë zgjedhore, por pala tjetër ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, duke e pamundësuar mirëkuptimin politik, thekson drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi.
Propozimet e sjella nga PS nuk i japin rëndësi votës së qytetarëve, sipas tij, ndaj është një shans i humbur për të patur një parlament shumë më të mirë se ky i sotmi.
Zoti Krasniqi thotë se oferta e socialistëve është e paqartë dhe devijon shumë nga premtimi i partive politike dhe i shumicës për një sistem krejtësisht të hapur, ku qytetari do të zgjedhë deputetin.
“ Nuk do të kemi hapje 100 për qind të listave, por do të kemi një mekanizëm, i cili praktikisht i jep shumë më tepër kontroll partisë dhe kryetarit mbi listat. Por kjo po fshihet pas retorikës për lista të hapura.
Nëse qytetari dëshiron të zgjedhë një kandidat për deputet brenda listës së ofruar nga kryetari i partisë, atëherë duhet që ky kandidat duhet të mundë partinë brenda listës, sepse duhet të marrë vota më shumë se sa kandidatët e listës së partisë, gjë që është gati e pamundur dhe mund të ndodhë vetë në raste shumë të pakta” – tha zoti Krasniqi.
Debatet mbi reformën zgjedhore duhej të ishin shmangur, sipas analistëve, qysh në muajin korrik, kur parlamenti ndryshoi Kushtetutën.
Oferta e Partisë Socialiste për të ndryshuar strukturën e zgjedhjeve të ardhshme nuk e shtyn dialogun drejt një kompromisi, por drejt një konfilkti të ri politik, pohuan ata.
Zonja Meta shton se krahas grindjeve mes dy partive më të mëdha, ekziston një tension i madh edhe mes partive më të vogla për sa i takon mundësive reale për të ndërtuar koalicione dhe për të kapërcyer pragun kombëtar prej 3 për qind.
“Ndoshta drafti i Partisë Socialiste duhet të ishte më i konsultuar dhe duhej të ishte paraqitur në kohën e duhur, pasi në e dimë që Këshilli Politik ka patur një seri të gjatë mbledhjesh, dhe propozimi i PS-së erdhi tani në fund, duke shkaktuar konfuzion. Ka shumë paqartësi se ku synon të dalë në fund drafti i Partisë Socialiste. Megjithatë, ata e kanë hedhur edhe një dorashkë sfide” – tha zonja Meta.
Ekspertët mendojnë se oferta e fundit teknike, ku vendosen kandidatët e partisë dhe ku qytetari mund të zgjedhë një kandidat, që tejkalon mesataren e votave të partisë, duket shumë larg premtimit dhe duket gati e pamundur për të siguruar një përfaqësim më qytetar në parlamentin e ardhshëm.
Zoti Krasniqi thotë se aktualisht ekziston një presion ndërkombëtar që palët të arrijnë një kompromis politik, afati është fundi i këtij muaji dhe para se të hapen negociatat me BE-në duhet të gjendet zgjidhje politike.
“Periudha e mbetur, sidomos deri në fund të muajit, për të bërë ndryshimet partitë duhet të ruajnë këtë ritëm, që palët së paku të arrijnë të ruajnë sjelljen institucionale dhe të shkojnë në një proces zgjedhor jo të kontestuar paraprakisht, por të paktën ai të ketë kushte dhe standarte minimale, i cili në rastin teorik të ofrojë rotacion politik, ose në rastin më të mirë të ofrojë një përfaqësim më cilësor politik” – tha zoti Krasniqi.
Analistët theksojnë se më 25 prillin e ardhshëm Shqipëria duhet të mbajë zgjedhje të rregullta dhe të pakundërshtuara paraprakisht.
Për këtë komprimisi duhet gjetur tani, dhe nëse zgjidhja nuk gjendet, penalizimi do t’i kalojë Shqipërisë, dhe zgjedhjet e ardhshme do të nisin me një dritëhije të madhe politike./VOA/