Në një përballje të gjatë me pyetje-përgjigje në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të premten, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa u përpoq të shmangte përgjegjësinë për të vërtetuar 80 mijë euro cash, që sipas deklarimeve ishin zotëruar nga bashkëshorja para martese dhe kishin shërbyer për të krijuar rreth 7.4 milionë lekë të ardhura nga huatë.
Kjo pasuri kishte shërbyer, sipas asaj që u tha në seancë dëgjimore, për krijimin e pasurive të tjera të çiftit, përfshi dy apartamente.
Qafa depozitoi në KPK një marrëveshje paramartesore, sipas së cilës çifti i kishte menaxhuar veç e veç pasuritë. Por kjo marëveshje, që kishte dalë në skenë vetëm pas fillimit të hetimit administrativ, u vu në dyshim nga anëtarët e trupës, ndërsa relatorja Pamela Qirko lexoi një dëshmi të bashkëshortes në prokurori në vitin 2014, ku ishte pyetur në një hetim penal mbi pasuritë e gjyqtarit, në të cilën ajo thoshte se marrëveshja ishte gojore.
Gjyqtari e cilësoi dëshminë si të marrë në mënyrë të paligjshme nga prokurori, ndërsa i tha trupës së kryesuar nga Valbona Sanxhaktari dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko se e shoqja kishte ngatërruar datën e martesës dhe “ishalla nuk më harro emrin”.
Ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të përsëritura nëse duhej të deklaronte burimin e shumës në fjalë, për sa kohë ajo kishte shërbyer më pas në krijimin e pasurisë së përbashkët. Ai këmbënguli që pasuria e tij ishte e ligjshme.
Arjan Qafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar në Bulqizë dhe në Dibër deri në vitin 2010. Në periudhën 2010-2014, Qafa ka punuar si inspektor për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar më pas si gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kontrata paramartesore
Komisioni vuri në dukje se subjekti nuk kishte provuar burimin e ligjshëm të 80 mijë eurove të ardhura të bashkëshortes para martese, 47 mijë eurove dhurata që ai kishte marrë nga familja e tij dhe 7.4 milionë lekëve të krijuar nga interesat e huave prej shumës 80 mijë euro të bashkëshortes.
Sipas KPK, analiza finaciare për shpenzimet e kryera nga Qafa dhe bashkëshortja pas vitit 2008 bazoheshin kryesisht te këto të ardhura, por për shkak se nuk ishte provuar burimi ato nuk ishin përfshirë në analizë. Qafa rezultonte me rreth 25 milionë lekë bilanc negativ në vite, sipas raportimit, për blerjen e dy apartamenteve (një prej tij dhe një i deklaruar veç nga bashkëshortja). Komisioni ngriti po ashtu dyshimin se një prej apartamenteve ishte blerë me çmim preferencial.
Komisioni vuri në dukje se bashkëshortja e subjektit kishte deklaruar si burim për 80 mijë eurot punën si mësuese nga viti 2004-2008, atë si shitëse në një dyqan rrobash, punën me kohë të pjeshme e bashkëpronësinë me të vëllanë në një videotekë dhe një dhuratë nga vëllai në shumën 10 mijë euro. KPK tha se vetëm të ardhurat si mësuese dokumentoheshin.
Në këtë pikë, Qafa pretendoi se paratë e fituara para martese nuk duhej të konsideroheshin si problem i tij. Ai dha dy shembuj, në të cilat sipas tij KPK kishte mbajtur këtë qëndrim për dy gjyqtare dhe pasuritë e bashkëshortëve para martese. Por kryesuesja e trupës i tha gjyqtarit se rastet ishin të ndryshme.
Ajo tha se në dy shembuj bëhej fjalë për pasuri të ekzekutuara para martesës dhe që nuk kishin shërbyer për të financuar pasurinë e përbashkët, ndërsa shtoi se në rastin e tij shuma prej 80 mijë euro kishte shërbyer për të krijuar pasuri të reja në emër të tij dhe bashkëshortes.
Sipas relatimit, bashkëshortja e gjyqtarit kishte dhënë 10 hua me këtë shumë dhe kishte përfituar rreth 7.4 milionë lekë në total. KPK tha se kontratat e huasë në disa raste nuk kishin logjikë ekonomike dhe ngritën dyshime për ekzistencën e tyre dhe normat e larta të interesit. Po ashtu dyshime u ngritën për pagesën e tatimeve mbi interesat prej huamarrësve në një rast.
Qafa në këtë pikë u mbrojt duke pretenduar se ai “nuk ishte kujdestari ligjor i bashkëshortes”. Ai tha se për kontratat e huasë mund të fliste vetëm si specialist, duke këmbëngulur se në to ishte vullneti i palëve. Ai pretendoi se përshkak të marrëveshjes paramartesore ai nuk ishte përfshirë në biznesin e të shoqes. Ndërkohë ai tha se interesat e huave ishin më të mira se ato të disa institucioneve bankare, duke referuar disa norma interesi që sipas tij ishin zyrtare nga institucionet e mikrokredive.
Pretendimi i tij se nuk kishte lidhje me huatë u pasua me një debat të gjatë pyetje- përgjigjesh. Fillimisht, relatorja Qirko kërkoi kontratën orgjinale paramartesore. Qafa tha se e kishte sjellë një kopje së bashku me një shkresë nga noterja, ndërsa tha se nuk e kishte orgjinalen.
Qirko më pas lexoi deklarimet e bashkëshortes para prokurorit, në të cilën ajo citoi “Para martesës me shtetasin Arjan Qafa kemi diskutuar rreth pasurisë që kemi krijuar para martese dhe kemi rënë dakord që këtë pasuri do ta mbanim të ndarë nga pasuria e përfituar pas martese, ka qenë një marrëveshje verbale dhe e pashkruar”.
I pyetur se përse bashkëshortja nuk i ishte referuar marrëveshjes së shkruar në prokurori dhe as në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Qafa u kujdes të veçonte se marrja në pyetje ishte bërë në shkelje të procedurës, pasi bashkëshortes nuk i ishte përmendur e drejta për të mos u përgjigjur.
Por kryesuesja e seancës i tha se kjo nuk ishte përgjigje për pyetjen e bërë. Pas kësaj, Qafa pretendoi se bashkëshortja mund të kishte harruar dhe se ishte ndikuar nga emocionet e të qenit para prokurorit. “Bashkëshortja ka ngatërruar datën dhe muajin e martesës,” tha ai, ndërsa pretendoi se përmendja e një marrëveshje verbale mund të ishte lapsus.
Qafa po ashtu shmangu një përgjigje përfundimtare nëse akti në fjalë ishte depozituar në ndonjë institucion tjetër. Ai tha se nuk mbante mend që kjo të kishte ndodhur. I pyetur për pagesën e tatimeve nga një prej huamarrësve, ai këmbënguli se nuk kishte qenë palë në kontratat e lidhura nga bashkëshortja, ndërsa tha se nuk ishte kujdestari i saj ligjor dhe ironizoi harresën e datës së martesës.
I pyetur nga anëtari Lulzim Hamitaj nëse kishte pasur detyrimin të provonte burimin e ligjshëm të përfitimeve nga huadhënia, Qafa këmbënguli se nuk ishte palë kontraktuese. Ai këmbënguli se kishte plotësuar detyrimin për deklarim dhe kishte bashkëpunuar me KPK. Ndërsa tha se bashkëshortja kishte pasur të ardhura të ligjshme, por se për shkak se tatimet nuk i ruanin dokumentet, nuk kishte pasur mundësi objektive për t’i gjetur për shkak të kohës së largët.
Ai pretendoi se kontratën paramartesore e kishte gjetur rastësisht si kopje dhe më pas ia kishte përcjellë KPK-së dhe formën e vulosur e gjeti nga noterja. Ai tha se ajo ishte nënshkruar në momentin e celebrimit në gjendje civile dhe një javë para të dielës së martesës.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar Branko Hrvatin nëse i kishte parë apo jo më herët kontratat e huadhënies, Qafa tha se disa mund t’i kishte parë.
Ai këmbënguli po ashtu se kishte sjellë dokumente për dhurimet nga vëllezërit dhe motrat në shumën 47 mijë euro, që sipas tij punonin në emigracion. Ndërsa tha se kjo shumë në 15 vjet ishte normale, pasi ai kishte një familje të madhe dhe se dhurimet ishin më të vogla se kolegë që kishin vetëm një vëlla apo motër.
Mosdeklarimet
Relatorja Qirko vuri në dukje gjatë seancës se Qafa zotëronte disa toka buqësore në Fushë-Arrëz, të përfituara me ligjin 7501. Ajo tha se një pronë rreth 1500 metra nuk ishte deklaruar asnjëherë nga gjyqtari.
Qirko vuri në dukje se kishte dyshime mbi orgjinalitetin e tapisë, por tha se KPK nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm që gjyqtari vetë kishte pasur dijeni për këtë tapi. Vetë Qafa tha se ai ishte vënë në dijeni për pronën në vitin 2016 dhe se nuk kishte përfituar prej saj. Ai pretendoi se nuk kishte firmosur dokumentin e marrjes në pronësi.
Pretendimit të KPK se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të zhbërë tapinë, Qafa iu përgjigj duke theksuar se veprimet kishin qenë të pamundura për shkak të kohës së kaluar dhe se ai nuk mund të kontestonte këtë tapi.
Një tjetër mosdeklarim ishte sipas KPK, pjesa prej 1/10 në pronën e familjes përfituar po me ligjin 7501. Sipas Komisionit, gjyqtari kishte deklaruar vetëm 1/10 e fituar si trashëgimi nga vdekja e babait, por jo pjesën e tij në këtë pronë.
Gjyqtari pretendoi se ai nuk kishte pasur më herët pronësi mbi ndonjë pjesë toke dhe se ajo i kishte takuar babait dhe se e vetmja pjesë e tij ishte ajo e përfituar nga trashëgimia.
Komisoni vuri në dukje se Qafa kishte blerë 6 mijë metra katrorë tokë në Gjorm bashkë me të ëmën dhe kishte deklaruar si pjesë të tijën 1/3, por që sipas transaksioneve të më vonshme rezultonte që ai kishte në zotërim 2/3 e kësaj prone, ndërsa dy dynym ishin kaluar të ëmës.
Problem po ashtu sipas KPK ishte çmimi i blerjes së një sipërfaqeje prej 1 mijë metrash në Malin e Shëngjinit. Komisioni tha se nga hetimi rezultonte që kjo pasuri ishte blerë me çmim të ulët nga vlera e tokës në këtë zonë dhe se dukej që kishte trajtim preferencial që nuk ishte deklaruar.
Qafa kundërshtoi këto gjetje, ndërsa pretendoi se Komisioni i ishte referuar për cmimin një tjetër Zone Kadastrale. Ai tha toka që ka blerë është tokë pyll dhe çmimi i blerjes nuk ishte preferencial.
Probleme të profesionalizmit dhe figurës
Relatorja tha se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë fillimisht një raport pozitiv për figurën e Qafës, por pas disa informacioneve nga institucione ligjzbatuese raporti kishte ndryshuar.
Qirko tha se në raportin e dytë Qafa vlerësohej i papërshtatshëm. Relatorja vuri në dukje se kjo lidhej me dy dosje gjyqësore, që u trajtuan në seksion e profesionalizmit dhe se KPK do merrte vendim duke mbajtur parasysh të dy kriteret.
Qafa kundërshtoi raportin e DSIK që e quajti “djallëzor”. Ai tha se raporti i dytë ishte në kundërshtim me ligjin dhe pretendoi se ishte një “përpjekje dashakeqe për të hedhur baltë padrejtësisht në figurën time”.
Në vlerësimin e profesionalizmit, KPK lexoi kryesisht vlerësimin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që ishte pozitiv, por tha se kishte hetuar më vete dy dosje që duket se rezultonin nga denoncimet dhe informacionet e marra nga DSIK.
Një dosje penale ku Qafa si gjyqtar kishte dhënë një dënim më të butë se sa ishte kërkuar nga prokurori edhe pse në vendim cilësohej se i pandehuri ishte përsëritës dhe nuk kishte kritere lehtësimi.
Po ashtu, Komisioni tha se në një vendim civil, Qafa kishte pranuar një padi pa shqyrtuar provat dhe se nuk kishte marrë në konsideratë që për çështjen kishte pasur një vendim gjykate. Vendimi i tij ishte prishur në Apel.
Qafa u mbrojt për çështjen Penale duke pretenduar se Kodi Penal ia jepte të drejtën të vendoste një dënim minimal, ndërsa pretendoi në rastin civil se vendimmarrja e tij ishte në unison me një vendim të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Ai tha se vendimi ishte marrë sepse dokumenti që ishte paraqitur ishte pa datë dhe vit dhe ishte një akt administrativ me paligjshmëri absolute.
Në fund të seancës gjyqtari pretendoi se kishte sjellë prova, se pasuria e tij ishte transparente dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca për njoftimin e vendimit u la më 17 shtator.
/Reporter.al/