Gjykata ka dënuar me 14 vite burg Arbër Çekajn, të akuzuar si personi që solli në Shqipëri 613 kg kokainë nga Ekuadori.
Gjykata e ka dënuar fillimisht me 21 vite Arbër Çekajn, por ai ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 14 vite.
Ndërkohë Armando Pezaku, shoferi i kamionit ku u transportua kokaina, u dënua me 8 vite e 8 muaj burg.
Ndërsa administratori i kompanisë Arbri-Garden është dënuar me 10 vite e 8 muaj burg.
Avokati i Arbër Çekajt, Maks Haxhia, hodhi akuza ndaj Gjykatës, duke thënë se bëhet fjalë për një vendim të marrë më herët dhe të pabazuar në prova.
Në shkurt të 2018-së, një sasi kokaine u zbulua në Portin e Durrësit. Lënda narkotike u la të shkonte në kompaninë Arbri-Garden. Aty Policia zbuloi 613 kg kokainë, të fshehur poshtë bananeve.
Vetëm 3 persona u zbuluan, mes tyre Arbër Çekaj, pronari i kompanisë, shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe administratori Donaldo Lushaj.