Procesi i rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, që shkaktoi një dëm prej më shumë së 1 mld euro, ka kaluar në disa faza të rëndësishme, vlerësimi, studimi dhe së fundi ka nisur ndërtimi i objekteve shkollore dhe njësive indidviduale në 12 bashki.
Autoritetet zyrtare thonë se rindërtimi ka ecur mirë, pavarësisht nga vështirësitë që u shtuan edhe nga kriza financiare e kovid 19. Por ekspertë të opozitës mendojnë se ky program është i tejzgjatur dhe argumentojnë se qeveria ka dështuar në thithjen e fondeve të konferencës së donatorëve, ku u premtuan për rindërtimin pas tërmetit në Shqipëri 1.15 miliard euro.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri qeveria njoftoi një program rindërtimi. 51 përsona humbën jetën dhe mbi 200 mjië njerëz u prekën në tërësi nga kjo fatkeqësi. U dëmtuan plotësisht 3 mijë e 400 banesa dhe 100 shkolla dhe kopshte, dhe pjesërisht mbi 20 mijë banesa, dhe 43 shkolla me një vlerë dëmi mbi 1 miliard euro.
Njësitë përgjegjëse të zbatimit për rindërtimin në 12 bashki janë Fondi shqiptar i zhvillimit dhe bashkia e Tiranës. Në prag të fillimit të shkollës Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj,bën më dije për Zërin e Amerikës fazën ku ndodhetproçesi rindërtimit të godinave arsimore.
“Përsa i përket Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me programin e shkollave është në një fazë të avancuar. Në shumë shkolla në zonat e dëmtuara janë në katet e dyta të ndërtimit ose në katet e treta dhe shumë prej tyre do të mbarojnë së ndërtuari më 26 Nëntor. Pjesa tjetër që nuk janë në ndërtim janë në përfundim të projektit të projektimit ose në proçes prokurimi”- tha Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Pjesë e programit të rindërtimit janë dhe njësitë individuale, që pritet të shkojnë në 4 mijë, pasi vlerësimi i thelluar vazhdon. Autoritetet thonë se 2270 shtëpi janë duke u ndërtuar nga fondi shqiptar i zhvillimit dhe bashkia e Tiranës, ndërsa 1 mijë të tjera janë në prag të fillimit të ndërtimit. Pallatet pritet të fillojnë javën e parë të tetorit, ndërsa për25 mijë familje ka filluar ndarja e një fondi prej 80 milion dollarësh i destinuar për rikonstruksion. Në këtë proces janë angazhuar mbi 100 kompani shqiptare.
“Shumë prej tyre do të ecin shumë shpejt dhe brenda vitit të ri qytetarët do futen në shtëpi, disa janë pak më të komplikuara sepse janë në distanca të largëta, diku s’ka rrugë. Pra vështirësitë janë më të mëdha. Nuk është një proçes aq i thjeshtë sa të thuash që do ecë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe nuk do ketë asnjë pengesë. Sigurisht që dikush, që do më dëgjonte, do thoshte po ka njerëz akoma në çadra, po ka njerëz që s’janë kthyer akoma në shtëpitë e tyre. Po patjetër që ka. Nuk e diskutoj që ajo që mbetet përpara është një sfidë e madhe në raport me nevojën dhe padurimin që kanë njerëzit”- sqaroi Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Por ekspertë të opozitës e cilësojnë proçesin e rindërtimit të godinave të dëmtuara nga tërmetitë tejzgjatur.
“Qeveria nuk ka arritur të jetë pranë njerëzve, dhe të veprojë në interesin më të mirë të tyre, për të menaxhuar pasojat e tërmetit, dhe sot njerëzit janë akoma në çadra dhe në kontenierë të përfituar nga individë apo nga shoqata private dhe është e largët dita kur ato do të jenë në shtëpitë e tyre, pavarësisht premtimeve të qeverisë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ervin Minarolli, ekspert për çështje të infrastrukturës në PD.
Pak kilomtera larg Tiranës në komunën Muçaj të Bashkisë së Vorës kjo familje ashtu si qindra të tjera në gjithë vendin,jeton ende në cadër pas dëmtimit të banesës nga tërmeti.
“U zgjat shumë kjo punë. Unë po hap sytë, se kur po vje ndonjëlajm. Edhe në kontenier nuk rrihet, se është temperaturë e lartë shumë në verë dhe shumë ftohtë në dimër. Kam dy fëmijë të vegjël, njëri 8 vjeç dhe tjetri 6. Vetë jam më ndihmë ekonomike dhe gruan në kemp”- u shpreh për Zërin e Amerikës Sabri Muçaj, banor në komunën Muçaj në Bashkinë e Vorës.
Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Fundjava ndryshe” Arbër Hajdari thotë se po has vështirësi në ndërtimin e disa banesave në përfieri të Tiranës, në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.
“Ne kemi patur disa vonesa dhe prandaj jemi në këtë fazë, ku vazhdojmë të presim për një pjesë të mirë të sheshit të ndërtimit për shpronësimin e disa prej objekteve,që duhen të prishen për të liruar plotësisht sheshin e ndërtimit, për t”i hapur rrugë rindërtimit. Ndërkohë ne kemi funksionuar me blerjen e 10 shtëpive të para kur kemi strehuar 10 familje në Tiranë dhe në Durrës”- tha Arbër Hajdari, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Fundjavë Ndryshe” Ministri i rindërtimit i pranon pengesat dhe thotë se proçesi është i disiplinuar.
Edhe ata që kanë patur paratë për të ndërtuar kanë qenë të detyruar të presin miratimin e projektevenga qeveria.
Qeveria arriti të sigurojë në konferëncën e donatorëve në muajin shkurt 1.15 miliard euro për programin e rindërtimit, kredi dhe donacione. Por kritikët e këtij proçesi thonë se ajo deri tani ka dështuar në thithjen e këtyre fondeve.
“Donatorët kanë kërkesa strikte, për mënyrën se si duhet srukturuar projekti duke filluar që me studimin e fizibilitetit me studime teknike të nevojshme gjeologjike sizmike etj.dhe pastaj do japin fondet. Mënyra se si po proçedon qeveria me buxhetin e shtetit, tregon që nuk është e përgatitur për të marrë fondet e premtuara në konferëncën e donatorëve”- thotë Ervin Minarolli, ekspert për çështje të infrastrukturës në PD.
Ministri i rindërtimit thotë se 600 milion dollarë i takojnëbuxhetit tështetit dhe 295 milion dollarë janë donacione nga vendet anëtare dhe joanëtare të BE,brenda tyre përfshihen dhe 2 mijë 524apartamentet që do ndërtohet nga Emiratet e Bashkuara arabe dhe Turqia. Sipas Z. Ahmetaj, ëshë arritur të sigurohet kredia franceze, dhe pritet ajo italiane.
“Synimi ynë është që të marrim 1.15 miliard sigurisht, por kuptohet që ka disa proçese dhe ndërkohë mos harroni që kemi dhe limite buxhetore, të cilat nuk na lejojnë të rrisim defiçtin buxhetor dhe borxhin pa limit sepse do ta shërbejmë, pra do një përgjegjshmëri nga ana tjetër”- shpjegon Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Borxhi publik sipas zyrtarëve llogaritet të shkojë në 80% të prodhimit të brendshëm bruto. Qeveria është përballë sfidave të mëdha pasi ekonomia është prekur rëndë dhe nga kriza e kovid 19, që pritet siç thonë autoritetet të shkaktojë, deri në fund të vitit, një dëm afro 800 milion dollarë. Dhe në këto kushte programi i rindërtimit bëhet edhe më i vështirë, dhe e vë qeverinë e kryeminsitrit Rama, përballë një sfide të madhe, tani kur ai po kërkon një mandat të tretë qeverisës.