Policia ka vijuar marrjen në pyetje të familjarëve të Eglantina Bucit të vrarë 8 vite më parë nga babai dhe vëllai. Këtë të martë, para oficerëve ka dëshmuar motra e 23-vjeçares lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe problemet që ka patur motra e saj me babain dhe të vëllain.
Në pyetje pritet të merren dhe familjarë të tjerë për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Policia dhe prokuroria kanë vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së 23-vjeçares Eglantina Bucit, nga babai Faik Buci dhe vëllai Shkëlzeni.
Në vijim të punës, këtë të martë është marrë në pyetje motra e Elgantina Bucit, Elona Buci, e njohur dhe me mbiemrin Tufa.
Ajo ka dhënë deklarime para oficerëve të policisë për rreth 60 minuta ku është shprehur që për vite me radhë nuk e besonte që e motra ishte vrarë deri sa u mor ADN-ja e nënës së saj Nafije Bucit, e cila vërtetoi vrasjen e saj.
34-vjeçarja është pyetur dhe për konfliktet që motra e saj ka patur me babain, por ka mohuar të japë detaje pasi sipas saj dhe ajo kishte probleme kur është martuar.
Pas dëshmisë së 34-vjeçares Tufa, policia dhe prokuroria pritet të vijojnë hetimet dhe marrjen në pyetje të familjarëve, apo personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.
Para oficerëve pritet të dëshmojë dhe nëna e vajzës dhe njerka për të zbuluar më tej detaje të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në vitin 2012.
Njerka e Eglantinës, vijon të banojë në banesën që ndante me Faikun, tashmë të arrestuar, e cila refuzon të japë deklaratë për mediat.
Ndërkohë personi që zbardhi vrasjen makabër të 23 vjecares Eglantina Bucit nga babai dhe vëllai në 2012 ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ai e ka dhënë dëshminë rreth dy vjet me parë në gjykatë dhe menjëherë kanë nisur hetimet dhe gjurmimet e personave të cilët dyshohet se janë të përfshirë në krimin makabër.
Identiteti i tij mbahet i fshehtë, pasi autoritetet i druhen një hakmarrje të mundshme nga familjarët Buci.
Më herët gjykata e Tiranës la në burg Faik dhe Shkelzen Bucin, babë e bir, të cilët akuzohen se vranë dhe groposën 8 vite me parë 23-vjeçaren, Eglantina Buci.
Ata e kanë mohuar vrasjen e 23-vjeçares, duke pohuar se nuk kanë lidhje me ngjarjen.