Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizimin e lidhjeve ekonomike në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA.
Marrëveshja nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë diskutuan dy ditë me radhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell për një sërë sektorësh ekonomikë dhe se si mund të tërheqin investime dhe të krijojnë vende pune.
Pjesë e marrëveshjes janë edhe rivendosja e lidhjeve ajrore dhe hekurudhore mes Serbisë dhe Kosovës si dhe kalimi tranzit për qytetarët e të dy vendeve.
Lexo edhe: Hoti pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë: Destinacioni përfundimtar mbetet integrimi në BE
“Ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet tona. Ka akoma dallime në qëndrime” – tha presidenti serb, por ai shtoi se zona e unifikuar ekonomike me Kosovën është një “hap i madh përpara”.
Edhe Hoti e quajti bashkëpunimin ekonomik si një “hap të madh përpara” për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe tha se të dy udhëheqësit ishin të përkushtuar për të punuar së bashku.
Izraeli pjesë e bisedimeve
Tema të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishin dhe zhvendosja e ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem si dhe njohja e reciproke mes Izraelit dhe Kosovës.
Presidenti Donald Trump mund ta reklamojë nënshkrimin e marrëveshjes si një fitore diplomatike të tij përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe është një hap më tej për të nxitur administratën e tij për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtar të Izraelit.
“Jam i kënaqur njoftoj për një marrëveshje me të vërtetë historik”, tha Trump-i në prani të Hotit dhe Vuçiçit në Zyrën Ovale. “Gëzohem që të shkoj për vizitë tek të dy vendet në një të ardhme jo shumë të largët.”
“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer këtë ndarje duke u përqëndruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Kësisoj të dy vendet arritën sukses të madh,” tha Trump.
Vendimi i Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem është një shenjë miratimi ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Administrata e Trumpit e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe e zhvendosi atje ambasadën e SHBA në maj 2018 duke u kërkuar edhe vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. /DW/