Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshjen e parë me kompaninë farmaceutike britanike AstraZeneca për të blerë vaksinën e mundshme kundër koronavirusit, prej të paktën 300 milion doza, në emër të shteteve anëtare të BE-së, – njoftoi Komisioni Evropian.
Sipas deklaratës, produktet mund të dhurohen edhe për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ose do të ridrejtohen në vendet e tjera evropiane.
Marrëveshja u arrit pas disa javësh bisedimesh me AstraZeneca, sipas kreut të Komisionerit Evropian për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides.
Sasia prej 300 milion doza është e barabartë me numrin e banorëve që jetojnë brenda vendeve të BE-së. Por vetëm një pjesë e vogël mund të kenë nevojë për vaksinë, çka do të thotë se vendet e vogla dhe të varfëra, si Shqipëria, kanë shpresë gjithashtu se do të përfitojnë falas shërbimet e vaksinës.
“Do të falënderoja AstraZeneca për angazhimin e saj konstruktiv në këtë marrëveshje për qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të afruar më shumë kandidatë në një portofol të gjerë të vaksinave të BE-së. Një vaksinë e sigurt dhe efektive mbetet strategjia më e sigurt e daljes për të mbrojtur qytetarët tanë dhe pjesën tjetër të botës nga koronavirusi,” – tha Stella Kyriakides.
Presidenti i Komisionit Ursula von der Leyen e përshkroi marrëveshjen si “gurthemeli i parë” në zbatimin e Strategjisë së Komisionit, për vaksinat.
Drejtori i Përgjithshëm i AstraZeneca, Pascal Soriot tha se marrëveshja për vaksinat e arritur me Komisionin Evropian do të sigurojë që një milion qytetarë të Evropës të kenë qasje me vaksinën “AZD1222”.
Soriot shpreson që vaksina të vihet në dispozicion gjerësisht dhe me shpejtësi, “me dozat e para që do të dorëzohen deri në fund të vitit 2020”.
Vaksina farmaceutike britanike po zhvillohet së bashku me Universitetin e Oksfordit.
Deri në këtë pikë, përveç Evropës, prodhuesi i saj ka nënshkruar marrëveshje furnizimesh edhe me Kinën e SHBA-në.
Për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre nga pandemia koronavirus, vendet në Evropë dhe në mbarë botën kanë vendosur kufizime dhe masa të tjera parandaluese të cilat kanë prekur çdo sektor dhe industri.