Çështja e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës zgjedhore do të ulë sërish palët në tryezën e Këshillit Poltik ditën e hënë (20 korrik) në orën 11:00.
Këtë herë në tryezë do të ulet dhe kryeministri Rama ndërsa nga opozita e bashkuar përveçse Bylykbashit dhe Petrit Vasilit do të jetë dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi.
Por i gjithë ky organizim për reformën zgjedhore, për ish deputetin Nard Ndoka është e kotë pasi sipas tij Rama nuk ka propozime për përmirësimin e standarteve.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcin, Ndoka shprehet se edhe për çështjen e listave të hapura nuk ekziston me mënyrën se si është paraqitur.
Ndoka: Unë nuk e shoh që po shkohet drejt zgjidhjes. Rama po bën një qok në këtë rast për tu përpjekur të mos marrë të gjithë peshën e fajit në këto momente duke refuzuar edhe një ftesë për tryezë. Rama nuk ka propozime që të përmirësojë standartet. Në propozimet e tij ka ndryshimin e rregullave në mënyrë të njëanshme. Edhe ndryshimet kushtetuese janë të paprecedenta në këto 30 vite. Nuk është diçka e re. Edhe sa i përket listave, nuk kemi një hapje. Në formën si është paraqitur nuk e kemi. Realisht nuk ka një garë. Është një keqpërdorje e atyre deputetëve të pavarur në parlament.
Gjithashtu, Ndoka nuk i ka kursyer kritikat edhe për opozitën parlamentare. Ai thotë se ato nuk përfaqësojnë një elektorat dhe se po keqpërdoren nga Rama.
Ndoka: Për fatin e keq ajo nuk e përfaqëson opozitën. Ato janë të përjashtuar nga partitë e tyre që kanë qenë në lista. Një pjesë e mirë e tyre është vendosur përtej 100 përqindshit të listave. Ata nuk përfaqësojnë asnjë elektorat dhe as qytetarët, besoj se kjo u heq të drejtën politike dhe ligjore. E kanë shfrytëzuar këtë boshllëk të krijuar. Rama po i keqpërdor. Ata mund të krijojnë sot partinë politike, mund të votojnë qytetarët nëse dalin me një platformë e me kauzë që do ta shembim klasën e vjetër politike e kanë të drejtën për të kërkuar ndryshime kushtetuese pasi janë në shumicë. Koha do t’i dënojë ato.
Rama po i përdor. Edhe për listat e hapura që thonë ramë dakord. Kur ranë dakord? Pse tallen me veten e tyre, mirë me qytetarët. Ky është një debat i hapur që kërkon përgjegjësi që mund ta bëjnë ata që kanë peshë politike. Unë kam tentuar ta bllokojë por e kam pasur të pamundur sepse aq e kam fuqinë. Nuk është problemi se kush do të jetë në nivelin e përfaqësimit, është problemi i vullnetit të cilin nuk e shoh. Këto janë lojra. Rama nuk ka shprehur vullnetin për të qenë i hapur që ky konsensus të jetë vazhdim i marrëveshjes së 5 qershorit. Është fare normale, ai është një kryeministër në ikje.