Rreth 55% e totalit të fondit të kredisë nëpërmjet Garancisë Sovrane 1 është përfituar deri tani nga biznesi, sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë të Financave.
Kredia me garanci 100% nga shteti dhe me interes të subvencionuar nga qeveria është përfituar nga 466 subjekte në vlerë 6 miliardë lekë. Në total fondi i kredisë vënë në dispozicion me Garancinë Sovrane 1 është 11 miliardë lekë. Me kredinë e shpërndarë deri tani janë paguar pagat e 46 mijë punonjësve të kompanive të prekura nga Covid-19, sipas Financave.
Në total deri tani kanë aplikuar 759 subjekte për një shumë prej 8,2 miliardë lekësh, sqaron Ministria e Financave. Numri më i lartë i subjekteve përfituese nga skema e garancisë sovrane është në sektorin e prodhimit. Sipas të dhënave të Financave janë 145 subjekte përfituese me vlerë 2,6 miliardë lekë për 22,305 punonjës. Në sektorin e tregtisë kanë përfituar 143 subjekte. Shuma e kredisë të disbursuar është 1,1 ,miliardë lekë për 9,218 punonjës. Në turizëm kanë përfituar kredi me interes zero 23 biznese me vlerë 130 milionë lekë.
Skema për dhënien e kredisë nëpërmjet Garancisë Sovrane 1 për përballimin e pagave të 3 muajve te kompanitë që u prekën nga situate e Covid-19 u miratua në fillim të muajit prill dhe parashikon 3 muaj si grace period, pa shlyerje principali. Nisma u mbështet nga disa biznese, ndërsa të tjerë ishin kundër. Nga sektori fason Gjergj Liqejza përfaqësues i kompanisë “Madish” të prodhimit të veshjeve të brendshme është një nga sipërmarrësit që ka përfituar kredi të subvencionuar nga shteti për 700 punonjës. Ai pohoi më herët për Monitor se kredia nga “Garancia sovranë 1” ishte e favorshme, pasi e ndihmoi për pagesat e punonjësve, në periudhën kur prodhimi i veshjeve të brendshme ra 60%.
Sipërmarrësi i këpucëve, Skënder Pashaj i kompanisë “Fital” është shprehur kundër marrjes të kredisë vetëm për pagat e punonjësve, pasi në këtë situatë, sipas tij është e domosdoshme që biznesi të financohet me kredi për blerjen e lëndës të parë.
Garancia e parë sovranë me vlerë 11 miliardë lekë kishte si qëllim stimulimin e huadhënies vetëm për pagat e punonjësve të bizneseve që u prekën nga Covid-19. Shteti merrte përsipër garantimin 100% të principalit të huave. Norma e interesit në fillim u vendos deri në 2,85%, por më pas u hoq. Qeveria ndryshoi edhe afatet për aplikim nga deri 1 qershor, u shty deri më 20 qershor. /Monitor/