Shqiptarët përbëjnë popullsinë më të madhe të emigrantëve në Greqi, por shumë prej tyre ende nuk ndjehen të pranuar.
Ervin Shehu ishte 18 vjeç kur endej nëpër male në Greqi nga vendlindja e tij, Shqipëria. Ishte viti 1991, dhe i riu ishte në mesin e rreth 200,000 shqiptarëve që emigruan atë vit pas rënies së diktaturës komuniste të Shqipërisë, shumë prej tyre për në Greqinë fqinje.
“Për shkak të izolimit gjatë viteve të komunizmit, unë doja të dija sesi ishte bota jashtë vendit tim,” kujton Shehu. “Doja të ndihesha i lirë dhe ta merrja përsipër jetën time në duart e mia”.
Disa nga ata që arritën në Greqi kërkuan azil politik, por kryesisht ata hynë në mënyrë të paligjshme.
Sot, afro 500,000 shqiptarë kanë vendbanim të përhershëm në Greqi, duke i bërë ata deri tani popullsinë më të madhe emigruese në vend prej 10.7 milionë.
Megjithatë, të panumërt janë ata që jetojnë në vështirësi, duke gjetur ‘vrima’ në tregun e punës, ndërsa presin vite për leje qëndrimi dhe më në fund shtetësinë.
Disa rrëfejnë periudha të dhunës ksenofobike dhe racizmit kundrejt tyre. Por ndërsa armiqësia e hapur është më pak e dukshme sot, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve në Greqi mbetet i rritur, në atë masë sa shumë e kanë më të lehtë të kalojnë me emra të ndryshëm ose të ndryshojnë besimin e tyre.
Ritmi i ngadaltë i burokracisë Greke, dhe një rezistencë ndaj integrimit të shqiptarëve, do të thotë për pjesën më të madhe vite pritje për tu pajisur me dokumentat e nevojshme e për tu stabilizuar.
Shehu aplikoi për nënshtetësi në 2009, dhe e mori atë në 2019.
“Ata janë në harresë,” tha Shehu për ata që ende presin të marrin letrat. “Njërën këmbë në Greqi, tjetrën në Shqipëri.”
Më thërrisni ‘Yannis’
Gjatë fluksit të fillimit të viteve 1990, partia konservatore në pushtet e aso kohe, Demokracia e Re – dhe përsëri në qeveri sot – u përgjigj me ligje të reja e të rrepta migracioni dhe dërgoi Forcat Speciale për të mbyllur kufijtë dhe për të mbledhur emigrantët brenda Greqisë që nuk kishin dokumenta të vlefshme.
Masat kishin pak efekt, pasi përqindja e emigrantëve të popullsisë së Greqisë ishte trefishuar në 7.3 përqind midis 1991 dhe 2001. Shqiptarët ishin grupi më i madh kombëtar dhe tani përbëjnë 51 përqind të popullsisë emigruese të Greqisë.
Greqia së fundmi ka bërë titujt në faqet e para të gazetave botërore për armiqësinë e ngjallur nga kriza e refugjatëve që shpërtheu në vitin 2015 me ardhjen e qindra mijëra refugjatëve kryesisht sirianë, irakianë dhe afganë në brigjet e saj. Ata erdhën me anije dhe gomone nga Turqia gjatë rrugës për në Evropën Perëndimore.
Por për vite me radhë, shqiptarët kanë qenë shënjestra e dhunës dhe diskriminimit, siç dokumentohet nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat dhe monitoruesit e krimit të urrejtjes.
Në vitin 2018, ministria e jashtme Shqiptare dënoi katër vdekjet shqiptare në Greqi brenda një muaji, dhe u bëri thirrje autoriteteve greke të “ndalojnë gjuhën e urrejtjes që pasuan ngjarjet”.
Në një njoftim për shtyp, Alexandros Yennimatas, njëri prej zëdhënësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke e quajti dënimin, ‘‘përgjithësime’’ që, ‘‘nuk korrespondojnë me realitetin’’.
“Vendosmëria e Autoriteteve Greke për të goditur krimin në të gjitha format e saj është e ditur. Në të njëjtën mënyrë, ne përsërisim qëndrimin tonë për të dënuar çdo formë dhune dhe racizmi, të cilat mund të kushtojnë edhe jetë njerëzore,’’shtoi ai.
Për të tjerët, diskriminimi ishte më i mprehtë.
Altini, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij të plotë, mbërriti në kryeqytetin grek, Athinë, në 1995 dhe tregon se punonte si kopshtar për një familje Greke. E zonja e shtëpisë i tha shefit të Altinit se ajo kishte frikë nga shqiptarët. Altini tha se e zonja e shtëpisë më vonë u miqësua me të dhe i kërkoi falje, megjithatë sot ai preferon të identifikohet në punë me emrin grek ‘Yannis’.
Ai nuk është i vetmi në mesin e emigrantëve shqiptarë që përshtatën emrat e tyre në emra grekë. Disa shqiptarë muslimanë në mesin e tyre pretendojnë se janë të krishterë ortodoksë, duke besuar se ata do të pranohen më lehtë nga shumica e grekëve ortodoksë. Të tjerët i pagëzuan fëmijët e tyre në besimin ortodoks, pa marrë parasysh besimet e tyre.
Allessandra, e cila gjithashtu nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj, mbërriti në ishullin Grek të Lesbos në 1996 me emrin e saj origjinal Shpresa dhe me vajzat e saj, Erjona dhe Roxhersa. Por ajo kishte probleme që t’i regjistronte ato në shkollën Greke.
“Ata na thanë t’u jepnim emra ortodoksë,” tha Allessandra për BIRN. “Ne u detyruam ti pagëzonim, por pas kësaj ata shkuan në shkollë pa asnjë problem.”
Vajzat tani quhen Maria dhe Sophia. “Çdo gjë u përmirësua më pas,” tha Allessandra.
Altini pohoi se: “Në ditët e sotme nuk ka shumë dallime midis një Shqiptari dhe një Greku,” tha ai. “Unë nuk po them se nuk ka racizëm. Ka – kryesisht nga njerëz që nuk i njohin shqiptarët, ose që janë me mendje të mbyllur dhe nuk janë të interesuar të mësojnë të vërtetën ”.
Megjithatë, ndryshimi i emrit është ende një domosdoshmëri për disa.
“Ka kaq shumë shqiptarë që detyrohen të ndryshojnë emrin e tyre,” tha 31-vjeçari Nikolas, një punëtor shqiptar në ndërtim në ishullin Lefkada. Ai foli me kusht që emri i tij shqip të mos publikohej. “Kjo është si të ndryshosh se kush je ti,” tha ai.
Një miku im, tha ai, ndryshoi emrin e tij nga Emmanuel në Manoli pasi shefi i tij i tha atij se kjo do ta ndihmonte atë të fitonte besimin e tij dhe të paguhej më shumë nga ai.
‘Nyje pa zgjidhje’
Jeta është bërë më e pasigurt për emigrantët shqiptarë që nga shpërthimi i krizës së borxhit në Greqi një dekadë më parë, duke shkaktuar përhumbje pas masave shtrënguese si dhe duke rritur papunësinë dhe ulur pagat. Industritë që tradicionalisht mbështeten në punën e emigrantëve shqiptarë ishin ndër më të goditurat.
Pa punë, shqiptarët rrezikuan të humbnin lejet e qëndrimit dhe shumë ishin të detyruar të zgjidhnin midis qëndrimit të paligjshëm dhe kthimit në vendlindje.
Sipas kërkimit të publikuar në 2012 nga Qendra Shqiptare për Konkurrencën dhe Tregtinë Ndërkombëtare, një grupi ekspertësh këshillues për ekonominë me qendër në Tiranë, afërsisht 18-22 përqind e migrantëve shqiptarë vendosën të ktheheshin.
Kriza ndryshoi modelet shtegtuese midis vendeve fqinje. Ndërsa lëvizja ndërkufitare bëhej më e shpeshtë, u dhanë më pak leje qëndrimi. Në vitin 2010, liberalizimi i regjimit të vizave do të thoshte se shqiptarët mund të lëvizin përpara dhe mbrapa pa dokumentet e zakonshme që kërkohen për të kaluar kufijtë.
“Ekonomia Greke varet nga forca punëtore shqiptare,” tha Eda Gemi, Lektore e Lartë e Sociologjisë Politike në Universitetin e New York në Tiranë dhe autore e librit të ardhshëm që analizon migracionin e kthimit nga Italia dhe Greqia në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
Migrimi sezonal, shpjegoi Gemi, mbush boshllëqe në të dyja vendet si në Shqipëri, e cila vuan nga mungesa e punës, ashtu dhe në Greqi, ku bizneset e vogla dhe të mesme varen nga puna e importuar.
‘‘Ne kemi një forcë punëtore e cila është në lëvizje gjatë gjithë kohës, e paregjistruar, që do të thotë se do të ketë një ngarkesë të madhe në të ardhmen kur bëhet fjalë për skemat e pensioneve dhe shërbimin shëndetësor, veçanërisht për Shqipërinë.’’
Gemi e quan fenomenin/modelin një “situatë humbje”.
‘‘Është thjesht plotësim i nevojave në ekonominë greke,’’ i tha ajo BIRN.
Punëtorët sezonalë në Greqi janë tërësisht emigrantë të paligjshëm ose ‘të parregullt’, pa sigurime, kontrata pune ose mbrojtje mjekësore.
Marko, i cili kërkoi që emri i tij të ndryshohet nga frika e humbjes së vendit të punës, tha se ai u pagua sa gjysma e pagës që marrin kolegët e tij grekë për mbledhjen e mollëve përgjatë tre muajve sezonalë të vitit në qytetin e vogël verior grek, Veria. Akomodimi i tij përngjante me një kolibe.
“Ne kishim vetëm një batanije për mbulesë dhe kjo ishte gjithçka”, tha Marko, 29 vjeç, për BIRN. “Ne laheshim me ujë të ftohtë jashtë.”
Një tjetër vjelës frutash, 43-vjeçari Latif, i cili gjithashtu nuk preferoi të identifikohej plotësisht, tha se punëdhënësi i tij bënte shaka fyese dhe nuk pranonte ta paguante atë për orët shtesë apo për turnet e natës.
“‘Shqiptarët nuk kanë zot’,’’ citoi ai shefin e tij. “Kjo ishte shumë ofenduese dhe më preku thellë brenda. Por unë përkula kokën dhe mendova për fëmijët e mi në Shqipëri dhe paratë që po bëja për të mbështetur familjen time.”
Latif tha që ishte shumë e rrezikshme për t’u ankuar.
“Nëse guxoni, ata ju kërcënojnë me dëbim ose me polici,” tha ai.
As ministria e brendshme e Greqisë dhe as ministria e Jashtme Shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për komente në lidhje me trajtimin e shqiptarëve në Greqi.
Dhuna kufitare dhe mosmarrëveshjet historike
Në një studim të vitit 2013 mbi qëndrimet greke ndaj shqiptarëve, të realizuar nga Fondacioni Helenik për Politikë Evropiane dhe të Jashtme, ELIAMEP, 41 përqind e të anketuarve përmendën çështje që lidhen me emigracionin shqiptar, si problemi kryesor në marrëdhëniet bilaterale midis Greqisë dhe Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë përqind cituan “ekspansionizëm shqiptar”.
Ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve janë relativisht të mira, disa mosmarrëveshje historike mbeten.
Për shembull, Greqia dhe Shqipëria janë ende teknikisht në një “gjendje lufte” që daton nga viti 1940 kur forcat fashiste italiane në Shqipëri pushtuan Greqinë. Fqinjët nënshkruan një marrëveshje miqësie në fillim të viteve 1990 dhe u zotuan në 2016 që t’i jepte fund gjendjes formale të luftës, por pavarësisht përpjekjeve të ripërtërira në 2018 për të zgjidhur çështjen, ajo mbetet në vend.
Incidentet e kufirit, në të njëjtën kohë, vazhduan të përshkallëzonin tensionet.
Në vitin 2013, policia greke qëlloi dy vëllezër shqiptarë në rajonin kufitar, duke thënë se shqiptarët kishin hapur zjarr të parët kur oficerët që përpiqeshin të parandalonin peshkimin e paligjshëm, iu afruan atyre në territorin Grek afër Liqenit të Prespës së Vogël. Një polic grek gjithashtu vdiq dhe dy armë automatike u konfiskuan, tha policia.
Të afërmit e vëllezërve, megjithatë, mendojnë se ata u vranë si një pengesë për peshkatarët e tjerë shqiptarë.
“Ata shkuan në peshkim në mëngjes herët dhe nuk u kthyen më,” tha Alma Fixha, motra e dy peshkatarëve. “Ata punuan si peshkatarë gjatë gjithë jetës së tyre, por ajo natë do të ishte e fundit për ta.”
“Që kur kjo ndodhi, shqiptarët kurrë nuk guxojnë të shkojnë për të peshkuar në liqen dhe për gjashtë vjet familja ime dhe unë nuk hamë më peshk,” tha Fixha.
Në vitin 2018, një shqiptar grek i quajtur Konstantinos Kacifa vdiq pas një shkëmbimi zjarri me policinë shqiptare në fshatin Bularat, gjashtë kilometra nga kufiri, në raportin në atë kohë thuhet se Kacifa qëlloi mbi oficerët pasi hoqën një flamur grek që ai kishte ngritur në një varrezë për ushtarët grekë.
Gjashtëmbëdhjetë muaj më vonë, prokurorët shqiptarë dolën në përfundimin se ai kishte vrarë veten për t’iu shmangur dorëzimit.
Të shtënat tensionuan marrëdhëniet midis dy vendeve dhe çuan në një seri incidentesh që targetonin Shqiptarët në Greqi. Frika e një bombe, sulmi me zjarrvënie dhe djegia e një flamuri Shqiptar gjatë një proteste pranë parlamentit grek bëri që ministria e jashtme shqiptare të thërriste ambasadorin grek në Tiranë dhe të shprehte shqetësimet e saj.
“Ne kërkuam nga ambasadori autoritetet greke të dënojnë këto akte të rënda që dëmtojnë klimën e miqësisë midis fqinjëve, ” tha ministria në një deklaratë.
Të dyja të shtënat ndodhën në një rajon kufitar të njohur për nacionalistët grekë si ‘Epiri i Veriut’, në lidhje me rajonin antik të Epirit që shtrëngonte pjesët veriperëndimore të Greqisë së sotme moderne dhe Shqipërisë së jugut.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Greqia dëboi muslimanët çam, një nëngrup shqiptarësh, nga rajoni kufitar. Komuniteti çam vazhdon të kërkojë të drejtën për t’u kthyer dhe për të kërkuar pronat e tyre, por qeveritë e njëpasnjëshme Greke kanë mohuar se ekziston ndonjë çështje e tillë dhe akuzuan çamët se bashkëpunuan me nazistët gjatë pushtimit të Greqisë.
Privimi nga e drejta për të votuar
Gazetari dhe historiani shqiptar Arben Llalla, i cili ishte kryetari i Forumit të Emigrantëve Shqiptarë në qytetin verior të Selanikut në vitet 1990, tha se media greke mbart pjesën më të madhe të fajit për gjendjen e vështirë të emigrantëve shqiptarë.
“Shumica e grekëve janë njerëzorë dhe pro-emigrantë,” tha ai. “Por janë strukturat shtetërore përmes medieve të tyre që nxisin urrejtjen duke ushqyer lajmet nacionaliste tek populli Grek kundër emigrantëve.”
Në vitet 1990, shqiptarët ishin stereotipe në shtypin grek dhe “shqipja” u bë sinonim i “kriminelit”, tha ai.
Ndërsa diskriminimi është zvogëluar, Llalla mendon se: “Për vrasje a vjedhje shqiptarët fajësoheshin gjithmonë të parët”.
Në një studim të medias Greke të vitit 2011, Liza Tsaliki, një profesor i asociuar në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, zbuloi se një e katërta e artikujve për shqiptarët në tre gazeta me orientim të ndryshëm politik kishin të bëjnë me kriminalitetin dhe devijimin.
Kriza e refugjatëve po ushqen përsëri ksenofobinë.
Sipas Komisionit Evropian, midis 2015 dhe 2016 përqindja e Grekëve që besuan se emigracioni ishte shqetësimi më i madh i vendit u rrit nga 27 përqind në 41.5 përqind.
Ermal Sulaj, i cili mbërriti në Greqi në 1997 në moshën 15 vjeç dhe tani është drejtori i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, tha se diskriminimi “nuk është më ai që ishte më parë”.
Por, duke përfaqësuar komunitetin Greko Shqiptar në komitetet parlamentare, Sulaj tha se çështja kryesore me të cilën përballen shqiptarët ishte e drejta e votës. Në Greqi, kjo e drejtë u mohohet shtetasve jo-BE që janë rezidentë në vend.
“Ne paguajmë të gjitha taksat e pushtetit lokal siç edhe vendasit bëjnë,” tha ai. “Refuzimi i votimit është diskriminim de-fakto dhe Greqia duhet të bëjë atë që bëjnë vendet e tjera evropiane.”
‘‘Të kesh votën do të thotë të fillojnë të drejtat e tua,’’ tha Sulaj për BIRN.
Në shkurt të vitit 2019, drejt përfundimit të mandatit të saj në qeverisje, partia e majtë tani opozitare SYRIZA propozoi një reformë në kushtetutë për të lejuar që shtetasit e huaj me vendbanim të përhershëm në Greqi të votojnë në zgjedhjet lokale.
Debati u shkurtua, megjithatë, kur Demokracia e Re mori pushtetin në korrik të atij viti, midis gjërave që ndërmori ishte dhe premtimi për të ulur emigracionin.
Gemi theksoi faktin se, ndërsa shqiptarët përfaqësojnë një demografi të konsiderueshme në Greqi, asnjë prej partive politike nuk paraqet përfaqësues shqiptarë. SYRIZA zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar para zgjedhjeve të fundit lokale në 2019, por nuk pati ndonjë përparim.
‘‘ [Partitë politike] kishin frikë nga kostoja politike me elektoratin tradicional,’’ tha Gemi.
Që nga marrja e pushtetit nga SYRIZA, Demokracia e Re ka ndjekur politika gjithnjë e më të rrepta për migracionin dhe azilin.
“Kjo tingëllon fatale, por nuk mendoj se do të ketë kandidatë shqiptarë në ndonjë parti të quajtur Eda ose Fatos,” tha Gemi.
‘‘Sigurisht, ju mund të keni Haris ose Yanni, por ata nuk do të paraqiten si pjesë e komunitetit shqiptar.’’
Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e BIRN dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. /BIRN/