Zonat më të ndotura në kryeqytet
Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Europian. Sektori që luan rol të rëndësishëm në ndotjen e ajrit është ai i transportit, i ndjekur më pas nga aktiviteti i ndërtimit.
Këto të dhëna janë si rezultat i një raporti të publikuar së fundmi nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”. Në monitorim janë marrë katër qytete: Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Elbasani, përgjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020. Vëzhgimi është kryer në tri drejtime kryesore, si: cilësia e ajrit urban, niveli i zhurmave dhe gjelbërimi urban.
Sipas studimit, në qytetin e Tiranës, përqendrimi i dioksidit të karbonit ka qenë dyfish mbi vlerën standarde të Bashkimit Europian, në zona si rruga e Durrësit dhe e Kavajës, edhe pse përgjatë këtyre rrugëve ka gjelbërim nga të dyja anët.
Në këto zona është regjistruar vlera 771 (ppm), nga (350 ppm), që është standardi i Bashkimit Evropian. Në zonat e Pazarit të Ri, rruga “Luigj Gurakuqi”, Drejtoria e Tatimeve dhe Universiteti Ekonomik i Tiranës, vlera e regjistruar e dioksidit të karbonit ka qenë afër normës së BE-së.
Përqendrimi i dioksidit të karbonit
Monoksidi i karbonit ka qenë brenda normave (krahasuar kjo me normën e BE-së), ndërsa përqendrimi i dioksidit të azotit ka qenë i lartë në kryqëzime kryesore të qytetit si Rruga e Barrikadave, Rruga e Elbasanit, zona e “Ushtarit të panjohur”, kryqëzimi te shkolla “Kosova” dhe ish-këndi i lojërave “7 xhuxhët”.
Përqendrimi i dioksidit të azotit
Referuar raportit, kontribuesit më të mëdhenj në ndotjen e ajrit janë transporti, përfshirë ai publik, privat dhe tonazhet e rënda, si dhe ndërtimet e kryera në qytet.
Me përhapjen e virusit në Shqipëri dhe vendosjen e karantinës, u vu re se në Tiranë cilësia e ajrit u përmirësua, ndërsa pësoi sërish rritje pas lirimit të fashave të orareve për lëvizjen e automjeteve dhe rifillimit të punimeve në ndërtim.
Niveli i zhurmës në Tiranë
Sa i përket matjes së nivelit të zhurmës në qytetin e Tiranës rezulton se tejkalon dukshëm nivelet standarde të vendosura në Shqipëri. Në zonat më të ekspozuara ndaj trafikut si Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit dhe bulevardi “Bajram Curri” vihet re një përqendrim më i madh i zhurmave. Ashtu sikurse edhe në zona të tjera si bulevardi “Zogu i Parë”, Rruga e Dibrës, pranë shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”, niveli i zhurmës ka qenë i lartë për shkak të punimeve të kryera në këto zona.
Përpos matjeve të kryera gjatë ditës, edhe gjatë natës për shkak të aktiviteteve që kryhen nga baret dhe lokalet e natës kryesisht në zonën e “ish-Bllokut”, ka një ndotje akustike të konsiderueshme.
Ajo çka shihet problematike sipas studimit është mos marrja e masave konkrete sikurse i parashikon aspekti ligjor shqiptar për zhurmat. Kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit institucional për të çuar para marrjen e masave në përfitim të shëndetit publik, thuhet në raport.
Gjelbërimi Urban në Tiranë
Një pikë e rëndësishme e monitorimit është edhe gjelbërimi urban dhe hapësira që zë në qytet. Tirana duke qenë një kryeqendër përmban gjithashtu edhe numrin më të lartë të popullsisë, duke e kthyer gjelbërimin urban një një domosdoshmëri për të mundësuar një jetesë më të mirë dhe më të shëndetshme. Por sa e gjelbër është Tirana, referuar monitorimit të fundit?
Nivele të konsiderueshme të ndotjes janë vënë re edhe në qytetet si Durrës, Elbasan dhe Shkodër, ku faktorët kryesorë ndikues në ndotje janë transporti, cilësia e ulët e karburanteve, djegia e mbetjeve urbane, si dhe mungesa e parqeve të gjelbëruara. (Marrë me shkurtime nga Citizens Channel)