Më 15 qershor hyri në fuqi rregulli për përdorimin e detyrueshëm të maskave në sistemin e transportit publik të Britanisë së Madhe, por shkencëtarët mbeten thellësisht të ndarë në lidhje me efektshmërinë e tyre. Kompanitë janë duke u prodhuar lloje të ndryshme maskash, por cilat prej tyre janë më të efektshme në mbrojtjen nga koronavirusi?
Megjithëse, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon përdorimin e maskave me tre shtresa, me një shtresë të jashtme të papërshkueshme nga uji dhe me një shtresë të brendshme që e bënë më të lehtë frymëmarrjen, qeveria britanike nuk ka vendosur kushte për këto gjëra.
Roz Davies, inxhiniere e produkteve të industrisë së rrobave dhe themeluese e kompanisë Seë Much Fun, thotë se maskat që prodhon kompania e saj plotësojnë kushtet e qeverisë dhe mirëmbajtja e tyre është e lehtë.
“Ato (maskat) janë të prodhuara me një pëlhur elastike, kështu mund të lahen shumë lehtë dhe mund të ripërdoren. Pra, ne i kemi bërë ato të thjeshta dhe ofrojmë modele të përshtatshme për burra, gra, dhe fëmijë “, thotë ajo.
Shkencëtarët kanë debatuar mbi të mirat dhe të këqijat e veshjes së maskave jo mjekësore që nga fillimi i pandemisë.
Disa prej tyre argumentojnë se përdorimi për një kohë të gjatë i maskave të papastra prej pëlhure mund të shkaktojë infeksione bakteriale si MRSA.
Ekziston një pajtueshmëri, së pari që maskat prej pëlhure nuk mund të parandalojnë koronavirusin, dhe së dyti ka prova që maskat mjekësore të shkallës së lartë N95 mund të ofrojnë një lloj mbrojtje.
Këtu duket se përfundon konsensusi.
Dr. Trish Greenhalgh nga Universiteti i Oksfordit thotë se përdor një maskë pëlhure dhe se ato janë më të përshtatshme.
“Mbulimi i fytyrës me maska prej pëlhure është shumë më i rehatshëm, dhe ju mund t’i përdorni ato për një kohë mjaft të gjatë. Një nga problemet me maskat mjekësore është se ato janë të prodhuara nga një lloj kartoni dhe letre, si dhe copa plastike që shkaktojnë kruarje. Ato nuk janë dizajnuar për përdorim të gjatë kohor“, thotë ajo.
Të tjerët argumentojnë se përdorimi i sigurt i çdo lloj maske kërkon jo vetëm standarde të larta të higjienës, por edhe njohuri mbi dobësitë e përdorimit të maskave.
“Maska mundëson daljen e frymës anash, lartë dhe poshtë. Pra, në vend që fryma juaj të lëviz në mëmyrë horizonale para jush, ajo rrjedhë anash ose lartë, duke ndikuar personin që qëndron pas jush“, thotë Dr. Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë qelizore në Universitetin e Reading-ut.
Të gjithë janë dakord se maska duhet të përshtatet në mënyrë të përkryer në fytyrë, duke kaluar sipër hundës dhe nën mjekër, duke u siguruar që piklat nga goja të minimizohen.
Ndërsa qendra amerikane e Kontrollit të Sëmundjeve (CDC) dhe qeveritë evropiane kanë mandatuar, ose inkurajuar përdorimin e maskave, përdorimi i tyre është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në të gjithë botën.
Me rritjen e përdorimit të maskave, janë rritur edhe kompanitë e prodhimit të tyre. Disa ndërmarrje tashmë janë duke menduar mbi mënyrat se si të minimizojnë pengesat e shkaktuara nga maskat në komunikim dhe shprehje të fytyrës.
Këta njerëz në Itali kanë veshur maska transparente të një kompanie, e cila më parë ka prodhuar produkte të cilësisë së lartë për kompanitë Valentino, Gucci dhe Chanel.
Por rritja masive e shitjeve në internet do të thotë që nuk ka garanci për njerëzit se produktet që ata blejnë do t’u përshtaten siç duhet.
Dr. Clarke thotë se ka prova që nëse jeni të infektuar me COVID-19 dhe kolliteni, ose teshtini përmes një maske prej pëlhure, ju mund të përhapni pikla shumë më të imëta që përmbajnë virusin.
Ndërsa Dr. Greenhalgh thotë përdorimi i maskave për të kontrolluar virusin nuk është i njësojë si përdorimi i maskave nga mjekët dhe infermierët për të ndalur në mënyrë absolute kontaktin me çdo pikë virale ose bakterie.
“Është më shumë një përpjekje matematikore, pra se si nga pikëpamja statistikore ne mund të zvogëlojmë rrezikun e këtij virusi në popullatë. Kur jeni duke qëndruar në radhë në një dyqan në vend të një mijë grimcave që notojnë përreth, të keni vetëm rreth dhjetë, kjo në të vërtetë do ta reduktonte mjaft shumë përhapjen e këtij virusi“, thotë ajo.
Presioni për të përdorur maskat është duke u rritur gjithashtu sepse disa industri si ajo e udhëtimeve dhe e turizmit thonë se është e pamundur të operojnë një biznes me fitime duke zbatuar masat e distancimit fizik. Kjo është e vështirë edhe për sistemin e transportit publik.
Dr. Clarke thotë se përdorimi i detyrueshëm i maskave po bëhet më shumë për të siguruar se sa për të mbrojtur njerëzit.