Numri i personave të infektuar me koronavirus vazhdon të shënojë një rritje.
Mjekja në Institutin Shëndetësor Publik Rovena Daja në një intervistë në “ABC News” u shpreh se lehtësimi i masave ka sjellë edhe shtim të rasteve me COVID-19.
Gjithashtu ajo theksoi se personeli mjekësor mbetet më i rrezikuari.
“Kemi goxha personel shëndetësor të prekur, pjesa më e madhe e tyre janë shëruar, më shumë se gjysma. Fatmirësisht pjesa më e madhe e tyre nuk kanë qenë të shtruar në spital. Ata janë të parët që janë në kontakt me pacientët pozitiv, sado që mund të mbrohen me masa mbrojtëse, mënyra e veshjes e zhveshjes, kontakti me orë të tëra që kanë me pacientit i bën më të rrezikuar.
Normalisht çdo ditë kemi pasur personel mjekësor të infektuar. Gjatë 24 orë kishim një person tjetër. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri është në të gjithë botën”, tha Daja.
Më tej Daja theksoi se qytetarët duhet të tregohen vigjilent pasi virusi është ende mes nesh dhe se qytetarët janë ende të rrezikuar.
“Rastet me koronavirus janë rritur. Nga statistikat që ne kemi dhënë, ka pasur ditë kur kemi realizuar 200-300 testime dhe kemi pasur numër të ulët të rasteve pozitive. Ne e prisnim të kishte numër të lartë rastesh me koronavirus edhe për shkak të hapjes graduale. Numri i personave të shtuar në spital dhe rastet pozitive tregojnë që virusi ekziston.
Në fazën e parë të gjitha ishin të mbyllura ndërsa në këto momente situata ka ndryshuar, janë shtuar lëvizjet duke rritur edhe rastet. Tirana është dhe do ngelet qyteti më i rriskuar, pasi popullsia është edhe më e madhe. Në qytetet e vogla rastet janë shënuar gradualisht, duke u shuar edhe vatrat në mënyrë graduale.
Në Tiranë është më e vështirë pasi popullsia është më e lartë. Kemi personel shëndetësor të infektuar, por pjesa më e madhe janë shëruar. Edhe gjatë 24 orëve kishim një peron personale shëndetësor të prekur.
Ata janë shumë të rriskuar. Institucionet që kanë mundësi të punojnë online duhet të punojnë online për të shmangur kontaktet. Duhet të respektohen masat, të përdoren maskat dhe kjo situatë duhet të merret seriozisht”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistë, Daja u shpreh se vendimi nëse do të kemi një rikthim të karantinimit i përket Taks Forcës, ndërsa shtoi se Taks Forca është shprehur se nuk do të ketë kthim pas, për momentin.
“Ky është një vendim që i takon Taks Forcës dhe për momentin është i mendimit që nuk duhet të ketë kthim pas për karantinimin.
Vendimi për hapjen e kopshteve, çerdheve nuk ishte vendim i nxituar, pasi në një moment ato do të hapeshin. Njerëzit duhet të kuptojnë që virusi ekziston, duhet të ndryshojmë stilin e jetës.
Takimet, përqafimet duhet të evitohen, pasi në këto moment duhet të kuptojmë që një person i ri që mund të infektohen mund ta kalojë më lehtë virusi, por rrezikohen, prindërit, të moshuarit, personat me sëmundje”, sqaroi Rovena Daja.