Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Parlament se nuk do të ketë rritje pagash dhe pensionesh pa dalë nga borxhet që sipas tij la Qeveria e kaluar.
Edhe pse ka tre vite që është në krye të qeverisë, Edi Rama për ccdo dështim të qeverisjes së tij e lë fajin tek paraardhësi.
“Në diskutime për të bërë rritjen më të lartë të rrogave dhe të pensioneve krahasuar me çdo vit të Saliut. Duam ti rrisim më shumë, edhe më shumë, edhe më shumë, por ama njerëzve u kemi thënë se nuk ka rritje rrogash në kohën kur të gjithë bashkë duhet të nxjerrim anijen që po na mbytet në breg. Nuk ka rritje rrogash dhe pensionesh në kohën kur kemi të gjithë këto borxhe për të shlyer, nuk ka rritje rrogash dhe pensionesh pa bërë reforma. Që nga reforma e pensioneve tek të gjithë reformat e tjera. Vetëm se u kemi bërë një rritje të parave që ata marrin në xhep nga rrogat duke u ulur taksat”, tha Rama.
Në replikë me Kryeministrin, deputetja Jorida Tabaku tha se ekonomia është në krizë dhe për herë të parë pas 15 vitesh sipas saj, paga reale është me rënie 1 përqind.
“Për herë të parë në 15 vite sipas të dhënave të INSTAT, paga reale është me rënie prej 1%. Kjo sigurisht që do një guxim shumë të madh për ta thënë. Bankat e nivelit të dytë që kanë thënë sot që ekonomia është rreziku më i madh që kanë këto banka, sigurisht që e kanë pasur një bazë. Edhe bankat e nivelit të dytë janë armiq të mëdhenj të ekonomisë siç është PD?”, replioi Tabaku me kryeministrin.