Zbardhet vdekja e bujshme e dy binjakëve 5-muajsh në Berat. Kanë mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat përgjigjet e analizave baktereologjike, fizike e kimike të vdekjes së dy foshnjeve 5-muajshe, ngjarje që ndodhi në Janar të këtij viti.
Sipas analizave, në organizmin e fëmijëve nuk kanë rezultuar mbetje toksike, ndërkohë që edhe qumështi me kuti që përdorej për të ushqyer fëmijët nuk ka pasur në përbërjen e tij elementë toksikë.
Sipas analizave të kryera në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë dhe që tashmë kanë mbërritur zyrtarisht pranë institucionit të Prokurorisë së Beratit ka rezultuar se vdekja e dy foshnjeve 5-muajshe ka qenë aksidentale dhe ka ardhur për shkak të asfiksimit nga mungesa e ajrit. Mbulimi i tepërt i fëmijëve me batanije, pas ushqyerjes së tyre ka sjellë-sipas ekspertëve-asfiksimin e foshnjeve dhe vdekjen e tyre.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 26 Janarit të këtij viti në lagjen “Uznovë” në qytetin e Beratit. Nëna e foshnjeve 5-muajshe Merushe Agalliu, pasi kishte ushqyer fëmijët e saj binjakë me qumësht kutie, i kishte vendosur ata në krevatin e tyre për të fjetur, por siç edhe ka nxjerrë përfundimi i mjekësisë-ligjore, ajo i kishte mbuluar më tepër seç duhet fëmijët dhe kjo ka sjellë asfiksimin e tyre në gjumë dhe më pas vdekjen.
Fëmijët mbërritën pa jetë në Spitalin Rajonal të Beratit dhe prindërit e tyre, Eduart e Merushe Agalliu kanë pasur asokohe dyshime se vdekja mund të kishte ardhur për shkak të helmimit të qumështit me kuti që përdornin për ti ushqyer fëmijët që nga dita e tyre e lindjes.
Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”