Deri në fund të korrikut, të gjithë shqiptarët që kanë llogari në bankat brenda Shqipërisë, do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të një nisme globale për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Aktualisht, bankat shqiptare mbajnë rreth 2.94 milionë llogari bankare, të cilat do të vetëdeklarohen nga klientët, por procesi po has vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19, numrin e madh të klientëve emigrantë, adresat e gabuara dhe teknologjisë së cekët. Si po e rrit bota presionin mbi transparencën e offshore
Të gjithë shqiptarët, me një llogari bankare, po thirren nga bankat për të deklaruar vendbanimin dhe numrin tatimor që njëkohësisht shërben si deklaratë pëlqimi, që këto të dhëna do të përdoren nga palët e treta, si informacion për korrektësinë e tyre në pagesën e detyrimeve tatimore.
Ky proces vetëdeklarimi është një detyrim që rrjedh nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit mes vendeve europiane, i cili në Shqipëri hyri në fuqi në janar të këtij viti. Ligji synon të bëjë llogaritë bankare të hapura për institucionet tatimore dhe të luftojë problemin e evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit.
Nga pikëpamja e ligjit detyrohen të plotësojnë formularin shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri, por duke qenë se ka shumë shtetas shqiptarë që kanë më shumë se një rezidencë tatimore, bankat në Shqipëri, kanë vendosur që të thërrasin për plotësimin e formularit të gjithë klientët me llogari.
Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.
Zbatimi i këtij ligji në kulmin e pandemisë COVID-19 e ka vështirësuar punën sistemit bankar për të përmbushur këtë detyrim, i cili ka krijuar kosto shtesë për bankat, teksa mbajtësit e llogarive bankare janë të paqartë rreth këtij procesi. Bankat pohuan se shumë shtetas, me llogari në bankat shqiptare, jetojnë jashtë dhe në këtë periudhë e kanë të pamundur të lëvizin për shkak të pandemisë.
Banka Kombëtare Tregtare sqaroi se vetëdeklarimi është për të gjithë klientët, pavarësisht nëse është rezident apo jo. Klientët jorezidentë janë grupi i parë i klientëve që pa diskutim janë pjesë e këtij procesi. Por BKT sqaroi më tej se, për shumë njerëz, rezidenca tatimore mund të jetë e njëjtë, ose ndryshe nga shtetësia, prandaj të gjithë klientët e bankës duhet të vetëdeklarojnë se ku e kanë rezidencën tatimore, pasi ligji parashikon më shumë se një rezidencë fiskale për një individ.
Disa banka, pjesë e grupeve europiane, e kanë nisur më parë këtë proces. Bertina Hajdini, Drejtore e Departamentit të Sekretariatit Korporativ në OTP Bank, tha se, duke qenë pjesë e Grupeve Bankare Europiane, të cilat janë angazhuar më herët për shkëmbimin e këtij informacioni, ka marrë masat për implementimin e disa prej dispozitave të këtij ligji që në fillim të vitit 2017, duke identifikuar dhe duke dokumentuar klientët në kuadër të kërkesave të Standardeve të Përbashkëta të Raportimit. Këtë vit, në kuadër të implementimit të Ligjit lokal, Banka ka nisur zbatimin e fazës së fundit të këtij projekti dhe po përgatitet për raportimin e saktë të të dhënave dhe dërgimin brenda afateve të përcaktuara të raportit të parë pranë autoritetit përgjegjës.
Edlira Muço, nga Banka Credins, tha se përmbushja e këtij detyrimi paraqet vështirësi. Së pari, është një praktikë e re, që kërkon impenjim në burime njerëzore dhe në infrastrukturë. Zbatimi i ligjit sjell vështirësi, pasi zbatohet edhe për llogari të çelura përpara hyrjes në fuqi të tij.
Teksa bankat janë të detyruara të përmbyllin procesin deri në fund të korrikut, gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë kufizon grumbullimin e klientëve në sportele. Disa banka po e mundësojnë plotësimin e tij online. Ato e kanë publikuar formularin në faqen e tyre online, i cili mund të shkarkohet, plotësohet, skanohet e më pas të niset me email në bankën përkatëse.
Nëse mbajtësit e llogarive nuk plotësojnë formularët e vetëdeklarimit në kohë rrezikojnë masa penalizuese, nga gjobat deri te mosofrimi i shërbimeve. Aktualisht, 112 shtete janë angazhuar për të shkëmbyer informacion mbi llogaritë bankare.
Llogaritë e hapura ndihmojnë Tatimet
Bankat në Shqipëri do të dorëzojnë formularët me llogaritë e klientëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e ngarkuar nga ligji si autoriteti kompetent për shkëmbimin e informacionit. Tatimet mund ta shkëmbejnë informacionin mbi llogaritë me institucionet partnere kudo në botë dhe, gjithashtu, mund ta përdorin me qëllim verifikimi me atë që tatimpaguesit kanë deklaruar në Tatime.
Zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero, tha se “ky proces do të na ndihmojë të marrim të dhëna financiare për rezidentët tatimorë, të cilët mund të kenë llogari financiare në vendet me të cilat do të shkëmbejmë informacionin. Vjero thotë se pas marrjes së informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mund të investigojë nëse këto të ardhura janë deklaruar edhe në Shqipëri, pasi parimi ynë i të ardhurave bazohet në të ardhurat mbarë botërore (worldwide).
Në sistemet e avancuara financiare dhe në zhvillimet e hovshme teknologjike të viteve të fundit, evazioni fiskal është sofistikuar. Shumë kompani dhe individë në të gjithë botën mbajnë llogari në banka offshore, çka e ka vështirësuar gjurmimin fiskal dhe pagesën e drejtë të taksave. Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritetet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI), zbatimi i të cilave është i detyrueshëm edhe për vendin tonë që nga muaji janar 2020.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se, sipas këtyre standardeve, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve, jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.
Informacioni që do të shkëmbehet nuk ka të bëjë vetëm me individët, por edhe me kompanitë dhe NFE-të (entitete jo financiare) pasive, të cilat kanë pronar përfitues rezidentë në shtetet e tjera. Më tej, raportimi duhet të bëhet për një gamë të gjerë të produkteve financiare, nga një gamë e gjerë institucionesh financiare, përfshirë bankat, institucionet depozituese, sipërmarrje të investimeve kolektive dhe kompanitë e sigurimeve.
Si do të bëhet vetëdeklarimi i llogarive
Të gjithë klientët, me një llogari bankare, duhet të vetëdeklarohen në banka për adresat e tyre të banimit dhe numrin tatimor deri më 31 korrik të këtij viti. Plotësimi i formularit bëhet në çdo kohë brenda orarit të bankës, duke u paraqitur në degën më të afërt. Personat duhet të kenë me vete kartën e identitetit ose pasaportë të vlefshme.
Vetëdeklarimi mund të bëhet dhe nga një person tjetër, të cilin ju e keni autorizuar me prokurë të posaçme për të kryer këtë veprim. Disa Banka e ofrojnë këtë proces online.
Banka Kombëtare Tregtare sqaron se vetëdeklarimi ka qëllimin që çdo institucion financiar raportues në Shqipëri të identifikojë vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen persona privatë, subjekte dhe në rrethana të caktuara, persona kontrollues) si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit tatimor. BKT dhe të gjitha bankat garantojnë se e gjithë procedura e vetëdeklarimit dhe raportimit do të veprojë dhe do të bazohet në “Kriteret ligjore për përpunimin e të dhënave personale”.
Onja Hajdini, nga OTP Bank, tha se saktësia e të dhënave të deklaruara nga klienti në formë, janë në përgjegjësi të këtij të fundit, ndaj për të qenë krejtësisht në përputhje me kërkesat e raportimit, bashkëpunimi i klientëve me bankën është shumë i rëndësishëm.
Në formularin e vetëdeklarimit kërkohen edhe informacione të tjera të nevojshme për efekt raportimi, pranë autoriteteve tatimore, ku përveç të dhënave identifikuese të klientit kërkohet edhe adresa, vendi apo vendet në të cilat klienti është rezident për qëllime tatimore, thotë zonja Muço nga Credins Bank.
Rritet presioni për të kontrolluar Offshore
Prania e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtare. Raporti i fundit i Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, vë një theks të veçantë për rreziqet që paraqet prania e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary ownership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen.
Në Shqipëri, kompani të regjistruara në offshore, me aksionerë të panjohur, kanë kapur sektorët kryesorë të ekonomisë, që nga nxjerrja e naftës, Banka dhe Aeroporti i Rinasit, etj. Gjithashtu shumë shqiptarë mund të mbajnë llogari bankare në bankat offshore, edhe pse jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Fenomeni i llogarive bankare dhe kompanive offshore ka ndërgjegjësuar botën e zhvilluar, e cila po e bën aksesin e informacionit të detyrueshëm për këto llogari. Shqipëria aktualisht detyrohet me ligj që të bëjë transparente llogaritë bankare, por ndërkohë është duke u hartuar një ligj që synon të bëjë transparente regjistrin e aksionerëve për kompanitë offshore.
UNCTAD (Programi i vlerësimit të investimeve të huaja nga Kombet e Bashkuara) vlerëson se Offshoret, gjithnjë e më shumë po bëhen lojtarë të mëdhenj në investimet globale. Rreth 30% e rezervave të korporatave ruhen në parajsat fiskale, në vend që të investohen në sektorë produktivë.
Praktikat e shmangies së taksave janë tashmë një çështje globale e rëndësishme për të gjitha vendet. Ekspozimi i vendeve në zhvillim ndaj investitorëve nga parajsat fiskale shihet nga UNCTAD i Kombeve të Bashkuara si një risk për këto vende.
Vende si Shqipëria nuk kanë kapacitete për t’u marrë me praktika shumë të ndërlikuara të shmangies së taksave. Vendet në zhvillim, sipas UNCTAD, kanë humbje vjetore 100 miliardë dollarë në formën e të ardhurave tatimore të munguara nga offshoret.
Mesatarisht, në të gjithë vendet në zhvillim, çdo 10 pikë përqindje të investimit në offshore i përgjigjet një normë 1 pikë përqindje më e ulët e kthimit të tatimit. /Marre me shkurtime nga Monitor/