OKB po heton Qeverinë Rama lidhur me arrestimet dhe ekstradimet ndaj shtetasve turq Harun Çelik e Selami Simsek.
Çelik u ekstradua në ditët e para të Janarit drejt Turqisë, veprim ky që pasoi me reagime të forta si nga opozita në Tiranë, ashtu edhe nga europarlamentarë në Bruksel.
Ndërkohë, një tjetër shtetas turk, Selami Simsek, u ndalua nga policia, duke krijuar dyshime se mund të përsëritej ekstradimi i paligjshëm.
Lidhur me veprimet e Qeverisë shqiptare, OKB përmes disa grupeve të punës kundër, i është drejtuar Qeverisë Rama, me një shkresë zyrtare, që mban datën 20 mars, dhe ku kërkohen sqarime lidhur me ekstradimin e shtetasit Çelik dhe ndalimin e Simsek.
Grupi i Punës kundër Zhdukjeve me Forcë, Grupi i Punës mbi Ndalimet Arbitrare, Raportuesi i Posacëm për të Drejtat e Migrantëve, Raportuesi i Posaçëm mbi Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Raportuesi i Posaçëm kundër Torturës, në emër të OKB, i kërkojnë urgjentisht Qeverisë Rama, informacion mbi zhdukjen me forcë dhe dëbimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar 2020 dhe rrezikun që ekziston për zhdukjen e Selami Şimşek dhe dëbimin e tij të paligjshëm drejt Turqisë.
Sikundër raportohet, Qeveria shqiptare ende nuk është pergjigjur, ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka justifikuar veprimet dhe procedurat e ndjekura nga policia.
Në komunikimin e tyre për qeverinë shqiptare, grupet e punës dhe raportuesit e mësipërm kërkojnë nga qeveria shqiptare informacion dhe sqarime të detajuara si më poshtë:
1. Informacion shtesë dhe çdo koment mbi akuzat për zhdukjen me forcë dhe shkeljet e rënda të të drejtave të shtetasve turq.
2. Informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.
3. Informacion mbi statusin aktual të procesit të aplikimit të z. Şimşek për azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare.
4. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore për dëbimin e z. Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës, Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë).
5. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore (masat në kuadër të sigurisë kombëtare, apo masa të tjera) që është përdorur për të justifikuar dëbimin në Turqi të personave të akuzuar për simpati ndaj lëvizjes Hizmet/Gulen që kërkojnë azil në Shqipëri.
6. Informacion të detajuar mbi mënyrën e vlerësimit gjithëpërfshirës dhe individual të rrezikut nga autoritetet shqiptare (në kuadër të masave procedural dhe analizës së situatës në vendin e kthimit), për të siguruar që të drejtat themelore të këtyre individëve të mos shkelen, në procesin e kthimit dhe në vendin ku ata kthehen.
7. A i janë kërkuar qeverisë së Turqisë nga qeveria e Shqipërisë, garanci me shkrim që të drejtat e personave e kërkuar nga Turqia në rast kthimi nuk do të shkelen, përfshi të drejtën e lirisë, të sigurisë personale dhe të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, në rast se akuzohen për kryerjen e ndonjë vepre penale? Dëshmi nga qeveria shqiptare që garanci të tilla janë kërkuar dhe janë marrë.
8. Informacion mbi garancitë që ekzistojnë dhe masat e marra për t’i zbatuar këto garanci, me qëllim shmangjen e deportimeve apo kthimin me forcë nga Shqipëria drejt vendeve ku liria, siguria personale, integriteti apo jeta e çdo individi në një situatë të ngjashme.