Nga Ardian Vehbiu
Në fjalën e vet mbajtur në ceremoninë e Përurimit të “Murit të Kujtesës” dhe godinës së rikonstruktuar të Ministrisë së Brendshme, Kryeministri Edi Rama iu kthye disa herë një thënieje, sipas tij, të Milan Kunderës – “shkrimtar i madh dhe një disident i njohur çek”: Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia. Vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja apo nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar. Këtë thënie, Rama u shpreh se po ia kushtonte “me dashuri Partisë Demokratike”, e cila sipas tij nuk po mban qëndrim korrekt ndaj policisë së shtetit. Qëkur e dëgjova këtë thënie, m’u duk pak e çuditshme që të vinte prej Milan Kunderës – edhe pse këtij nuk ia njoh veprën përmendësh.
Ky dyshim m’u përforcua, kur pashë edhe që tek exit.com e kishin përjashtuar mundësinë http://(http://exit.al/2016/09/21/ediramacitonmilankunderenmilankunderaipergjigjet/)që citati të ishte i autori i “Lehtësisë së papërballueshme të qenies”. Megjithatë, citati më lart duket të jetë formuluar nga dikush, të cilit i dhimbset arma e policisë dhe që përpiqet të gjejë, duke arsyetuar, se çfarë e fut këtë armë në krizë, për të arritur në përfundimin se një rol të dorës së parë luan mungesa e mbështetjes nga komuniteti, “shtypja” ose mungesa e vëmendjes për të dëgjuar. Dhe ky dikush, që mendon në këtë mënyrë, mund të jetë një drejtor policie ose një komisioner ose një ministër i Brendshëm; por vështirë se mund të jetë Milan Kundera që njohim. Ideja në citat përvijohet e pastër: policinë e dëmton izolimi ose veçimi, sepse ajo, si çdo institucion tjetër publik, ka nevojë për mbështetjen e komunitetit që të ketë sukses në misionin e saj.
Një mendim i qartë dhe i thjeshtë, që shpreh shqetësimin konkret të një administratori a të një politikani. Por i shprehur nga Kundera? Prej këtij publiku pret ndriçim dhe urtësi për letërsinë, artin e të shkruarit, përvojën e artistit në mërgim, totalitarizmin, rolin e intelektualit në vendet e Lindjes… por kurrsesi jo për forcat e ruajtjes së rendit. Që ky “shkrimtar i madh dhe disident i njohur çek” të ketë thënë diçka ai vetë (dhe jo ndonjë personazh i tiji) për policinë, kjo është edhe më interesante, në vetvete, se përmbajtja e citatit.
Në fjalën e vet, Rama i rikthehet edhe dy herë të tjera Kunderës, duke e rekrutuar në mbështetje të sulmit të tij ndaj PDsë: nuk e them unë ai, thotë; e ka thënë “një ndër shkrimtarët dhe mendimtarët më të shquar të shekullit XX në çështje të historisë dhe të politikës.” Kërkimet e mia në Google nuk dhanë rezultat: provova me fjalëkyçe si Kundera, police, solitude/loneliness, enemy, lack of support, oppression, listening; por nuk mora asnjë përgjigje për të qenë; i ktheva fjalëkyçet në frëngjishte dhe në italishte, por as ashtu nuk qosa gjë. Edhe pse nuk mund ta pohoj me siguri se nuk e ka thënë Kundera këtë gjë, meqë është e vështirë në mos e pamundur të vërtetosh një negative, sërish nuk jam gati ta pranoj.
Çfarë ma rëndon edhe më frustrimin, është se nuk gjeta dot as citatin vetë – të shkëputur nga Kundera. Natyrisht, politikanët kanë qejf t’i spërkatin fjalimet e tyre me citate të mëdhenjsh; nga citatet, duket edhe shoqëria që kanë zgjedhur të kenë, teksa citatet vetë shërbejnë si fortifikata të tezave të parashtruara. Si rregull, këto citate i gjejnë, i organizojnë dhe i sugjerojnë shkruesit e fjalimeve – sepse më duket e pagjasë që Rama ta ketë qëmtuar vetë këtë mendim të Kunderës, në lexim e sipër. Për shkak të frenezisë me të cilën punohet sot në PR, gabime të tilla edhe ndodhin; vetëm pak muaj më parë shkruam këtu për kryeministrin italian Renzi http://(https://peizazhe.com/2016/02/18/puneetiketash/), që recitoi vargje nga një poemë e rreme e Borgesit.
Prandaj në rastin e citatit të tanishëm, çfarë tërheq vëmendjen nuk është gabimi (banal në vetvete), por konflikti midis imazhit që kemi për autorin e citatit dhe citatin vetë – sikurse edhe fakti që ky citat nuk po gjendet gjëkundi në gjuhë të tjera (edhe pse këtu mund ta kem fajin unë, që nuk kam kërkuar mirë). Me interes është edhe mekanizmi që vihet në veprim, kur dikush sjell një citat praktikisht të panjohur, nga një autor i mirënjohur: kur nuk bëhet fjalë për lajthitje, ky akt tejet erudit ndez një llambë të re në mendjen e lexuesit të kulturuar, meqë në logjikën e komunikimit ky përndryshe pritet që ta njohë citatin që dëgjon, në mos drejtpërdrejt, të paktën nga fryma e përçuar. Për shembull, nëse dikush përmend Churchillin që të ketë thënë: “Historia do të jetë zemërgjerë me mua, sepse unë kam ndërmend ta shkruaj,” unë e pranoj këtë në mënyrë praktikisht jokritike, sepse kuptimi i citatit më pajtohet me imazhin që kam unë për Churchillin; por nëse dikush përmend Churchillin që të ketë thënë se “Vetëflijimi na aftëson të flijojmë të tjerët pa u turpëruar”, atëherë kjo mund edhe të më tingëllojë pak ekstreme, sepse nuk është në sintoni me imazhin që kam për Churchillin (dhe në fakt, citati i dytë është nga Bernard Shaw).
Më në fund, nëse dikush përmend Churchillin që të ketë thënë se “Kur luftojnë karkalecët, qari është i korbit,” atëherë unë nuk do ta besoja; sepse figuracioni nuk do të më dukej i Churchillit dhe as premisa figurative se korbat ushqehen me karkalecë; aq më tepër, kjo e fundit tingëllon më shumë si proverb (dhe në të vërtetë ky është proverb afrikan, nga Lesotho). Me interes për të ngeshmin është edhe që një citat nga Milan Kundera gjen vend në një fjalim të mbajtur në një ceremoni policësh; sepse publiku i drejtpërdrejtë i këtij fjalimi nuk pritet që ta njohë menjëherë Kunderën dhe as t’ia vlerësojë fjalën. Ndoshta një citat nga Rudi Giuliani, Roberto Savianoja ose fundja edhe Fouchéja do të kishin pasur më sukses. Me gjasë, kryeministri Rama zgjodhi të citonte Kunderën, duke menduar një publik tjetër, i cili do t’ia ndiqte fjalimin në televizion; dhe këtu sinqerisht do të doja të marr vesh si kanë reaguar policët, kur u është kërkuar ta pranojnë Kunderën si autoritet. Po pezulloj çdo përpjekje të mëtejshme për atribuim të këtij citati misterioz, në pritje edhe të kontributeve tuaja, duke sugjeruar ndërkohë disa citate të tjera, përndryshe pak të njohura, nga shkrimtari i madh çek: Një shoqëri e tregon pjekurinë kur i kërkohet të sakrifikojë diçka për shtetarët e vet.
Besojini atij leaderi që refuzon të jetë konsistent me veten: e ka kuptuar si funksionon politika. Romanin tim kisha dashur, në krye, ta titulloja Lehtësia e papërballueshme e thënies. Mos pyet çfarë mund të bëjë policia për ty – pyet çfarë mund të bësh ti për policinë. Në fakt, tani më duhet të pranoj edhe se ju gënjeva, kur pranova më lart që nuk gjeta gjë, as nga Kundera as nga njeri tjetër që t’i afrohej citatit në fjalë, në përpjekjet e mia në Internet. Sepse, në fakt, ja citati i plotë i Kunderës në anglisht: The biggest enemy of police is not crime, but loneliness that arise from the lack of support or lack of attention to hear.
Burimi- Albanian Daily News, “The most authoritative Albanian source in English”, që e titullon artikullin e saj kështu: Rama’s Message to Police: DP Worst Enemy than Crime. (http://www.albaniannews.com/index.php?idm=8437&mod=2)/ Marrë nga peizazhe.com- titulli orgjinal “Kundera kundër”