Një vaksinë e mundshme kundër koronavirusit, nuk do të jetë gati para 18 muajve. Është kjo deklarata e bërë nga ministrja franceze e kërkimeve, Frederique Vidal, si përgjigje ndaj Presidentit amerikan Donald Trump.
Kjo pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë në konferencën për mediat gjatë së premtes mbrëma, foli për mundësinë e pasjes së një vaksine brenda vitit ose ndoshta dhe më parë.
“Ajo që na thonë nga laboratorët dhe shkencëtarët, është se mundësia për të pasur një vaksinë nuk ekziston para 18 muajve. Nuk do të ishte e arsyetueshme të ecje më shpejt në këtë drejtim, pasi do të viheshin në rrezik, jetët e shumë njerëzve”, tha Vidal për ‘Europe 1’.
Ministrja komentoi po ashtu deklaratën e gjigantit farmaceutik ‘Sanofi’, i cili pak ditë më parë ngjalli debate kur tha se vaksina mund të shpërndahet më parë në SHBA, pasi kanë investuar 30 milionë dollarë në kërkime.
“Është e palogjikshme të rezervosh një vaksinë për një vend apo për një tjetër, për arsye parash”, tha ajo.
Aktualisht janë rreth 100 projekte në të gjithë botën, të cilat po studiojnë për gjetjen e vaksinës.