Presidenti Trump e ka shmangur përdorimin e maskës, megjithëse kohët e fundit stafit të Shtëpisë së Bardhë i është kërkuar që t’i verë ato, në përputhje me udhëzimet e ekspertëve. Për amerikanët, vendimi për të përdorur ose jo maskën është shndërruar gati në një deklaratë politike në klimën e betejës së re kulturore të koronavirusit.
Duke filluar nga kjo javë, maskat janë të detyrueshme për punonjësit dhe vizitorët e Shtëpisë së Bardhë, pasi më shumë pjesë e stafit u testua pozitivë për koronavirusin, përfshirë Katie Miller, sekretaren e shtypit të nënpresidentit dhe gruaja e këshilltarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë Stephen Miller.
Presidenti Donald Trump tha se ishte ai që i bëri maskat të detyrueshme në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse ata janë në një distancë të caktuar nga unë, ose nëse janë në një distancë e caktuar nga njëri-tjetri, nuk kanë pse. Në rastin tim, unë nuk jam afër askujt”.
Trump kurrë nuk ka vënë një maskë në publik, përfshirë edhe gjatë vizitës së tij të fundit në një fabrikë prodhuese të maskave. Kjo është ajo që ai tha muajin e kaluar.
“Mendoj se më duhet një maskë për fytyrën ndërsa përshëndes presidentët, kryeministrat, diktatorët, mbretërit, mbretëreshat – nuk e di. Në një farë mënyre, nuk e shoh për veten”, tha Presidenti.
“Shqetësimi i tij me të vërtetë është për propagandën vizive të asaj se si duket presidenti i Shteteve të Bashkuara të verë një maskë. Mendoj për të, ndoshta sinjalizon dobësi”, thotë Jennifer Mercieca, profesore në universitetin A&M në Teksas.
Në fillim të prillit, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandoi amerikanët të përdorin maska për fytyrën për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
“Kur shumica e njerëzve vënë maskë, kjo zvogëlon transmetimin e viruseve të frymëmarrjes, COVID dhe gripit. Pra, ka një përfitim të dyfishtë. Por vënia e maskës është absolutisht gjëja më e rëndësishme që mund të bësh për të zvogëluar transmetimin”, thotë Ëilliam Schaffner me qendrën mjekësore të Universitetit Vanderbilt.
Ndryshe nga disa vende të Azisë ku maskat zakonisht vihen për arsye shëndetësore, shumë në Sh.B.A nuk janë mësuar me ato.
Një anketë e fundit tregon se 79% e demokratëve mbajnë maska në publik, krahasuar me 59% të republikanëve … duke sugjeruar se vendimi për vënien e maskës mund të ndikohet nga politika, e njëjta politikë që i shtyn disa amerikanë të mblidhen kundër urdhrave të bllokimit, në protesta që janë mbështetur nga presidenti Trump në Tëitter.
I njëjti grup ka më shumë të ngjarë të besojë teoritë e konspiracionit se virusi dhe përpjekja për mospërhapjen e tij është një mashtrim për të rrëzuar Trumpin.
Polarizimi i shëndetit publik është një vazhdim i partiakëzimit që është thelluar në dekadat e fundit, thotë Jennifer Mercieca.
“Njerëzit që janë përgatitur për 20, 30 vjet për ta kuptuar botën si një luftë “ne kundër tyre “, po kërkojnë të dhëna që sinjalizojnë,” Cili është pozicioni i palës sonë kundrejt atij të palës tjetër”. Pra është me të vërtetë për të ardhur keq që, siguria publike është në rrezik për shkak të një axhende partiake”.
Shmangia e maskës nga presidenti Trump është kritikuar, përfshirë edhe nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e cili tha se presidenti duhet të jetë një shembull për amerikanët gjatë kësaj pandemie vdekjeprurëse./voa