Më 1 prill, kryeministrja e Sint Maarten iu adresua 45 mijë qytetarëve të vet. Rastet me koronavirus po rriteshin dhe Silveria Jacobs e dinte që shteti i vogël, që pret 500 mijë turistë në vit, ishte në rrezik të madh: kishte vetëm dy shtretër në Njësitin e kujdesit intensiv.
Jacobs nuk deshi të impononte izolimin e masat strikte, por dëshironte të mirëmbahej rregulli për distancë fizike. “Thjesht mos lëvizni”, ka thënë ajo. “Nëse s’keni bukë në shtëpi, hani grimcime”.
51-vjeçarja nuk ka profilin e një lidereje botërore si Angela Merkel ose Jacinda Ardern, por mesazhi i shkurtër dhe i qartë tregoi efekt, duke dëshmuar se një grua tjetër mund të jetë lidere e suksesshme, ka shkruar “The Guardian” në një përmbledhje të lidereve botërore që ishin të suksesshme në menaxhim të krizës.
Nga Gjermania deri te Zelanda e re dhe nga Danimarka te Tajvani, gratë kanë menaxhuar krizën e koronavirusit me gjakftohtësi. Shumë shtete që kanë për liderë burra – Vietnami, Republika Çeke, Greqia, Australia e të tjerë – kanë pasur sukses. Por pak me gra lidere kanë dështuar.
Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, tregoi sukses përmes videomesazheve “rrini në shtëpi, ruani jetë” nga shtëpia e saj dhe përmes prezencës në Facebook, e me vendimin për karantinë 14-ditëshe kur në vend ishin vetëm 150 të infektuar dhe asnjë i vdekur. Nga ajo kohë në Zelandë të Re janë shënuar vetëm 18 vdekje, e besimi në qeveri, sipas të dhënave, u rrit për 80 për qind.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel është lavdëruar për deklarimet direkte. Ajo kishte paralajmëruar se rreth 70 për qind e popullit mund të marrë virusin e se kjo është sfida më e madhe që nga viti 1945. Falë testimeve të shumta, sistemit të fortë shëndetësor dhe “seriozitetit” që kërkohej nga Merkeli, Gjermania deri tash ka regjistruar më pak se 6000 të vdekur, shifër dukshëm më e ulët se shumica e vendeve të mëdha të Bashkimit Evropian.
Afër Gjermanisë, në Danimarkë, kryeministrja Mette Frederiksen mbylli kufijtë qysh më 13 mars. Pak ditë më pas aty u mbyllën çerdhet, shkollat e universitetet dhe u ndaluan mbledhitë me më shumë se 10 persona. Vendimi parandaloi shpërthimin e virusit në Danimarkë, që deri tash ka më pak se 8000 rate të konfirmuara e 370 vdekje. Humori i kësaj kryeministreje në Facebook, përmes një videoje teksa lante enët në shtëpi e këndonte, rriti besimin e qytetarëve ndjeshëm në urdhrat e saj. Tani Danimarka nisi me lehtësimin e masave.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, iu kundërpërgjigj shpejt koronavirusit. Ajo aktivizoi qendrën komanduese të shtetit kundër epidemive në fillim të janarit dhe vendosi masa ndalimi të udhëtimit dhe krantinimit. Masat e higjienës në publik ishin prezantuar po ashtu. Në total, deri tash, ky shtet ka vetëm gjashtë viktima nga koronavirusi. Liderja mori mbështetjen e qytetarëve, por edhe nga rivalët politikë.
Norvegjia, me 7200 raste e 182 të vdekur, këtë javë nisi lehtësimin e masave duke hapur kopshtet për fëmijë. Kryeministrja Erna Solberg ka thënë për CNN se programi i testimit ka qenë kyç në parandalim të virusit.
Ndërkohë, Islanda, nën kryeministren Katrin Jakobsdottir, ka ofruar testime falas për të gjithë qytetarët, jo vetëm ata me simptoma. Deri tash janë regjistruar vetëm 1800 rate e 10 vdekje.
Kryeministrja më e re në botë, Sanna Marin e Finlandës, po ashtu ka marrë masa strikte ndaj koronavirusit, përfshirë ndalimin e udhëtimit për qytetarët. Kjo ndihmoi shtetin të ketë shpërndarje të virusit vetëm në 4000 raste e 140 të vdekur, që në raport me Suedinë është për 10-fish më e ulët në shifrat për një milion banorë.
Jo të gjitha gratë që kanë shkëlqyer në menaxhim të krizës së koronavirusit janë lidere shtetërore. Jeong Eun-kyeong, kryetarja e Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve në Korenë e Jugut, është bërë ikonë kombëtare për shkak të strategjisë së testimit. Numri total i vdekjeve në këtë vend është më pak se 250. Jeong ka marrë edhe nofkën e “gjuetares” më të mirë të virusit.
Pavarësisht konkludimeve që mund të dalin nga performancat e këtyre lidereve gjatë pandemisë, ekspertët thonë se përderisa gratë “përfaqësohen në një shkallë më befasuese” në mesin e shteteve që kanë menaxhuar më mirë krizën, ndarja e burrave dhe grave liderë në gjini nuk është domosodoshmërisht e dobishme. Faktorë të tjerë hyjnë në lojë. Sipas profesoreshës së sociologjisë në Universitetin e Nju Jorkut, gratë lidere kanë më shumë mundësi të zgjidhen në një “kulturë politike ku ka përkrahje dhe besim relativ në qeveri – dhe kjo nuk bën dallim të madh mes grave e burrave”. Pos kësaj, ajo ka thënë se është më lehtë për burrat liderë “që të shpëtojnë nga mënyra se si pritet që ata të sillen”. Sipas saj, përderisa liderët më të mirë janë të fortë e në gjendje që të shfaqin ndjenjat, gratë “udhëheqin rrugën për të treguar se s’kanë tipare garuese ose konfliktuoze, por plotësuese – diçka të domosdoshme për lidership të mirë”.