Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, tha sot se gjysma e zyrtarëve të Tatimeve po pushohen nga puna, duke shtuar se ky proces po bëhet me lista partie.
“Kush është anëtar i Partisë Socialiste dhe kush është i përfshirë në grupet e Partisë Socialiste në zona të caktuara, duhet të shkojë të regjistrojë emrin në mënyrë të tillë që të mos hiqet nga puna.
A merret njeri me këtë gjë? Nuk merret njeri.
Ndaj gjykatat dhe prokuroria duhet të jenë në punë, të dalin nga karantina, sepse ka probleme pafundësisht dhe nuk është më thjesht historia tendera sekret”, tha Kryemadhi.
Sipas saj, tendera sekret janë një pjesë e vogël e të gjithë vjedhjes të kësaj qeverie.
Kryemadhi e konsideron absurde edhe zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. “A ndenjëm ne në karantinë deri tani, që nga 9 marsi e deri më sot më 25 prill. Duhet të ishte shuar Covidi. Përkundrazi, sot kemi ditën më të lartë të rasteve me Covid. Pra, do të thotë qe masat qeverisëse kanë qenë jashtëzakonisht të këqija. Pra gjithë këto javë mbylli bizneset, mbylli shkollat, mbylli gjithë gjërat. Po pse me orar është virusi në rrugë?”, tha Kryemadhi.
Gjithashtu ajo akuzoi Prokurorinë se nuk ka asnjë ndryshim me Qeverinë, pasi duhej të hetonte vendimet para se të shpallej gjendja e fatkeqësisë natyrore
“E para njëherë unë nuk shoh që të ketë ndonjë ndryshim midis prokurorisë dhe qeverisë. Nëse do të kishim një prokurori aktive në të gjithë këtë situatë po themi problematike, do të kishim një hetim.
Unë nuk mendoj që prokuroria qëndron në karantinë, mendoj se prokuroria ashtu si gjithë institucionet e tjera që kanë të bëjne me mbarëvajtjen edhe me garancinë e shtetit dhe të jetës së qytetarëve, duhej të ishte në funksion.
Mendoj se prokuroria duhej të fillonte që me çështjen e shumë problematikave që kanë të bëjnë për shpalljen e shumë vendimeve apo shpalljen e shumë masave po themi në thonjëza të marra, pa u shpallur gjendja e pandemisë.
Ju besoj e mbani mend që të gjithë që në datën 9 mars të gjithë shqiptarët kanë hyrë në karantinë. Vendimet për shpalljen e karantinës janë firmosur diku rreth 24 marsit.
Ju e dini shumë mirë që gjoba pafundësisht iu janë vendosur qytetarëve apo terroret e jashtëzakonshme që janë bërë ndaj qytetarëve apo ndaj bizneseve e shumë e shumë te tjera. Por ndërkohë nuk ka asnjë lloj reagimi për këto vendime ose për këtë mungesë përgjegjshmërie”, tha ajo.