Kompanitë e mëdha të bioteknologjisë e dinë shumë mirë që të kesh një vaksinë për Covid-19 duhen më së paku 18 muaj. Madje edhe ky është një afat kohor jashtëzakonisht optimist. “Unë mendoj se ka një shans të papërfillshëm që ne të kemi një vaksinë të përshtatshme për administrim të gjerë në vitin 2021,” thotë Dr. Geoffrey Porges, një analist në SVB Leerink.
Një vaksinë për shumicën e popullatës – e domosdoshme për t’i dhënë fund kufizimeve dhe distancimit social – nuk do të jetë përfundimisht e mundur deri në vitin 2022 ose 2023, thotë Porges, megjithëse një vaksinë e aprovuar vetëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor mund të arrihet që vitin e ardhshëm.
Për të ndaluar virusin që shkakton Covid-19, një vaksinë duhet të prodhohet për miliarda njerëz në të gjithë botën. Në kushte normale, vaksinat në përgjithësi kalojnë deri në 10 vjet e më shumë testime, dhe në fund rezulton që 96% e vaksinave, mbeten eksperimentale dhe nuk arrijnë në treg.
Sigurisht, afati kohor për një vaksinë të Covid-19 do të jetë më i shkurtër. Por rregullatorët duhet të japing siguri të plotë që vaksina nuk i rrezikon njerëzit e shëndetshëm, pra që nuk ka afekte anësore. “Ne duhet të jemi vërtet shumë të kujdesshëm në këtë drejtim,” thotë Porges.
Ndërkohë kompanitë e mëdha të bioteknologjisë po ecin me ritme shumë të shpejtë, në garë me kohën. Ndërmarrja e bioteknikës Moderna ka njoftuar se vaksina e saj për punonjësit e kujdesit shëndetësor mund të jetë e gatshme deri në këtë vjeshtë, me një autorizim të përdorimit në kushte urgjence.
Kompania ia dha dozën e vaksinës pacientit të saj të parë më 16 mars, dhe shpreson të fillojë testimet e Fazës 3, me mijëra njerëz në fillim të vjeshtës. CEO i Moderna-s, Stéphane Bancel tha se “ka shanse shumë të larta” që vaksina për Covid-19 që ata kanë në testim e sipër, të mund të jetë në dispozicion gjerësisht brenda 18 muajve. Qeveria federale amerikanë i ka dhënë kësaj kompanie 483 milion dollarë për zhvillimin e vaksinës së saj.
Shpresat për një vaksinë të shpejtë u rritën edhe kur Johnson&Johnson tha se vaksina e saj për Covid-19 mund të ishte e gatshme për përdorim urgjent deri në fillim të vitit 2021. Por rregullatorët do të duhet të vendosin se cila nga vaksinat do të jetë më e pranueshme, në një kohë që ka vetëm disa muaj për testime deri më atëherë.
Dy nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave, GlaxoSmithKline dhe Sanofi, njoftuan po ashtu se kanë ndërmarrë një bashkëpunim të rëndësishëm për të prodhuar një vaksinë.
Ai kombinon përpjekjet e Sanofi për të identifikuar një antigjen Covid-19 me teknologjinë ndihmëse të vaksinave Glaxo, e cila e bën vaksinën shumë më të fuqishme.
Ata thonë se vaksina e tyre mund të jetë e gatshme deri në gjysmën e dytë të 2021, dhe se ata janë në gjendje të prodhojnë qindra milionë doza në vit.
Më shumë se 80 programe të tjera të vaksinave janë në faza të ndryshme të zhvillimit, sipas Institutit Milken. Kjo shumëllojshmëri e përpjekjeve në mënyrë ideale i jep komunitetit shkencor një shans më të madh për të gjetur një ose më shumë vaksina që funksionojnë. Ekspertët thonë se më shumë se një vaksinë Covid-19 ndoshta do të jetë e nevojshme.
Ka edhe një lajm tjetër të mirë. CEO i Moderna-s Bancel thotë se virusi që shkakton Covid-19 është relativisht i thjeshtë, dhe kjo i rrit shanset për të gjetur një vaksinë efektive. “Ky është një virus për të cilin komuniteti shkencor beson se nuk është aq i komplikuar nga pikëpamja e virologjisë,” thotë ai. – Josh Nathan-Kazis/Barrons