Sipërmarrësi i Biotech Martin Shkreli ka kërkuar lirimin e tij nga burgu me qëllim që të shërojë njerëzit nga koronavirusi.
Shkreli ka kërkuar lirinë pasi ka prezantuar një punim shkencor prej 11 faqesh të një kompanie farmaceutike e cila sipas tij do të bëjë të mundur mposhtjen e Covid-19.
Në letrën e tij Shkreli kërkon të lirohet nga burgu për një periudhë 3-mujore, për të bërë të mundur sipas tij, që të gjejë kurën ndaj koronavirusit, sëmundje e cila ka shkaktuar një pandemi globale dhe ka infektuar dhjetëra mijëra njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të botës.
“Po kërkoj një periudhë të shkurtër vetëm 3-mujore për të ndihmuar në punën kërkimore ndaj COVID-19”, shkruan Shkreli në kërkesën e tij drejtuar autoriteteve amerikane.
“Të lësh botën të goditet nga Covid-19, nuk është aspak ngushëlluese as për të burgosurit vetë.”, ndërsa shton se “Si një sipërmarrës i suksesshëm i biofarmës, ku kam blerë kompani të shumta, unë jam një nga të paktët sipërmarrës me përvojë në gjitha aspektet e zhvillimit të ilaçeve, nga krijimi i molekulave, vlerësimet preklinike dhe deri te modeli i provës klinike”, shpjegon Shkreli në letrën e tij.
Martin Shkreli po vuan dënimin në burgun federal të Pensilvanisë. Ai është dënuar me 7 vite burg pas akuzës për mashtrim, pasi në vitin 2017 Shkreli si biznesmen i fuqishëm në fushën e farmaceutikës rriti çmimin e një ilaçi kundër AIDS-it me 5,000 për qind.
Me këtë rast, Martin Shkreli u shndërrua në shqiptarin më të urryer në Amerikë.
Avokati i Shkrelit tha për mediat amerikane se ai do ta kërkojë edhe zyrtarisht që klienti i tij të lirohet për arsyet e specifikuara në letër.
“Z. Shkreli ka përgatitur një propozim për hulumtimin për gjetjen e një ilaçi ndaj koronavirusi. Nëse ky hulumtim është i saktë, atëherë ai mund të ndihmojë shkencëtarët dhe mjekët të kuptojnë më mirë se si të përballen me koronavirusin që vret kaq shumë njerëz”, tha Benjamin Brafman.
Ai shtoi se: “Ne do të kërkojmë një lirim tre-mujor në mënyrë që Shkreli të bëjë kërkimet e tij në laborator dhe të mbahet nën mbikëqyrje të rreptë”.