Nga Mario Draghi
Pandemia e koronavirusit është një tragjedi njerëzore me gjasa të ketë përmasa biblike. Shumëkush sot po jeton me frikë për jetën e tij ndërkohë që mban zi për të dashurit e vet. Veprimet që po ndërmerren nga qeveritë për të parandaluar që sistemet tona shëndetësore të mos mbingarkohen janë të guximshme dhe të domosdoshme. Ata duhet të mbështeten.
Por ato veprime kanë gjithashtu kosto të pashmangshme dhe të mëdha ekonomike. Ndërsa shumë përballen me humbje jete, shumë më tepër të tjerë po përballen me rëndimin e jetesës. Nga dita në ditë, lajmet ekonomike vetëm përkeqësohen. Kompanitë përballen me humbje të të ardhurave. Shumë prej tyre tashmë janë duke ulur madhësinë dhe duke pushuar punëtorët. Një recesion i thellë duket i pashmangshëm.
Sfida të cilën kemi përballë është se si të veprojmë me forcë dhe shpejtësi të mjaftueshme për të parandaluar një recesioni që le pas dëme të pakthyeshme e që mund të pasohet nga një depresion i zgjatur dhe i thellë. Tashmë është e qartë se përgjigjja duhet të përfshijë një rritje të konsiderueshme të borxhit publik. Humbja e të ardhurave nga sektori privat – dhe çdo borxh i marrë për të mbuluar mungesat – përfundimisht duhet të kalojë plotësisht ose pjesërisht, në bilancet e qeverisë. Nivelet shumë më të larta të borxhit publik do të bëhen një tipar i përhershëm i ekonomive tona dhe do të shoqërohen me fshirjen e borxhit privat.
Është detyrë e shtetit të përfshijë në bilancin e tij mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë nga goditjet që sektori privat nuk është përgjegjës dhe nuk mund ti përballojë. Shtetet gjithmonë e kanë bërë këtë përballë urgjencave kombëtare. Luftërat – precedenti më i rëndësishëm – janë financuar nga rritja e borxhit publik. Gjatë L1B, në Itali dhe Gjermani midis 6 dhe 15 përqind të shpenzimeve të luftës në terma realë u financuan nga taksat. Në Austro-Hungari, Rusi dhe Francë, kostot e vazhdueshme të luftës u paguan po nga taksat. Kudo, baza e taksave është gërryer nga dëmtimet e luftës. Sot, kjo do të bëhet nga shqetësimi njerëzor i pandemisë dhe mbyllja.
Çështja nuk është më nëse duhet bërë apo jo, por se si duhet bërë kjo sa më mirë. Prioritet nuk duhet të jetë vetëm sigurimi i të ardhurave themelore për ata që humbasin punën. Ne duhet së pari të mbrojmë njerëzit nga humbja e punës së tyre. Nëse nuk e bëjmë, do të dalim nga kjo krizë me punësim dhe kapacitet përgjithmonë të ulët, pasi familjet dhe kompanitë kanë nevojë të rregullojnë bilancet e tyre.
Subvencionet për punësimin dhe për papunësinë si dhe shtyrja e taksave janë hapa të rëndësishëm që janë prezantuar tashmë nga shumë qeveri. Por mbrojtja e punësimit dhe kapacitetit prodhues në këtë kohë të humbjes dramatike të të ardhurave kërkon mbështetje të menjëhershme me likuiditet. Kjo është thelbësore për të gjitha bizneset për të mbuluar shpenzimet e tyre operative gjatë krizës, qofshin ato korporata të mëdha apo moria e ndërmarrjeve të vogla e të mesme si edhe të vetëpunësuarit. Disa qeveri kanë prezantuar tashmë masa të mirëpritura për të kanalizuar likuiditetin tek bizneset në vështirësi. Por është e nevojshme një qasje edhe më gjithëpërfshirëse.
Ndërsa vendet e ndryshme evropiane kanë struktura të ndryshme financiare dhe industriale, e vetmja mënyrë efektive për të arritur menjëherë rezultate përballë krizës së ekonomisë është mobilizimi i plotë i të gjithë sistemeve të tyre financiare: tregjet e obligacioneve, kryesisht për korporatat e mëdha, sistemet bankare dhe në disa vende madje edhe sistemi postar. Duhet të reagohet menjëherë, duke shmangur vonesat burokratike. Bankat në veçanti që shtrihen në të gjithë ekonominë mund të kalojnë paratë në çast duke e shtuar reagimin e tyre dhe me lehtësira për kredi dhe overdrafte.
Bankat duhet të huazojnë me shpejtësi fonde me kosto zero për kompanitë. Meqenëse në këtë mënyrë ata po bëhen mjet për politika publike, kapitali me të cilin duhet ta kryejnë këtë detyrë duhet të sigurohet nga qeveria në formën e garancive shtetërore për të gjithë overdraftet dhe kreditë. Rregullat e kolateralit nuk duhet të pengojnë krijimin e të gjithë hapësirës së nevojshme në bilancet bankare për këtë qëllim. Për më tepër, kostoja e këtyre garancive nuk duhet të bazohet në rrezikun e kredisë të ndërmarrjes që i merr ato, por duhet të jetë zero pavarësisht nga kostoja e financimit të qeverisë që i lëshon garancitë.
Kompanitë, megjithatë, nuk duhet ta tërheqin likuiditetin thjesht sepse kredia është e lirë. Në disa raste, për shembull bizneset me porosi të prapambetura, mund të rikuperojnë humbjet e tyre dhe më pas ata do të paguajnë borxhin. Në sektorë të tjerë, ky mund të mos jetë rasti. Kompani të tilla mund të jenë ende në gjendje të përballojnë vetë këtë krizë për një periudhë të shkurtër dhe do ta rrisin borxhin për ta mbajtur stafin e tyre në punë. Por humbjet e tyre të akumuluara rrezikojnë të dëmtojnë aftësinë e tyre për të investuar më pas. Dhe, nëse shpërthimi i virusit dhe bllokimet e lidhura me të do të zgjasin, ata mund të mbeten realisht në biznes vetëm nëse borxhi që kanë marrë për të mbajtur njerëzit në punë gjatë krizës, iu falet.
Ose qeveritë kompensojnë huamarrësit për shpenzimet e tyre, ose ata huamarrës do të dështojnë dhe garancia qeveritare i shpëton. Nëse rreziku moral mund të përmbahet, i pari është më i mirë për ekonominë. Rruga e dytë ka të ngjarë të jetë më pak e kushtueshme për buxhetin. Të dyja rastet do të çojnë që qeveritë të thithin një pjesë të madhe të humbjes së të ardhurave të shkaktuara nga bllokimi, nëse vendet e punës dhe kapaciteti prodhues duhen mbrojtur.
Nivelet e borxhit publik do të rriten. Por alternativa – një shkatërrim i përhershëm i kapacitetit prodhues dhe rrjedhimisht i bazës fiskale – do të ishte shumë më e dëmshme për ekonominë dhe përfundimisht për vetë qeveritë. Ne gjithashtu duhet të kujtojmë se duke pasur parasysh nivelet e tanishme dhe të mundshme të normave të interesit në të ardhmen, një rritje e tillë e borxhit të qeverisë nuk do t’i shtojë kostot e saj të shërbimit.
Në disa aspekte, Evropa është e pajisur mirë për t’u marrë me këtë tronditje të jashtëzakonshme. Ajo ka një strukturë financiare në gjendje që të kanalizojë fondet në çdo pjesë të ekonomisë. Ka një sektor të fortë publik në gjendje të koordinojë një reagim të shpejtë të politikave. Shpejtësia është absolutisht thelbësore për efektivitetin.
Përballë rrethanave të paparashikuara, një ndryshim i mënyrës së mendimit është po aq i nevojshëm në këtë krizë sa do të ishte në kohë lufte. Kriza me të cilin po përballemi nuk është ciklike. Humbja e të ardhurave nuk është faji i askujt prej atyre që po e vuajnë. Kostoja e hezitimit mund të jetë e rëndë. Kujtimi i vuajtjeve të evropianëve në vitet 1920 është i mjaftueshëm për ta ilustruar situatën.
Shpejtësia e përkeqësimit të bilanceve private – e shkaktuar nga një mbyllje ekonomike që është edhe e pashmangshme edhe e duhura – duhet të përmbushet me shpejtësi nga buxhetet qeveritare, mobilizimi i bankave dhe, si evropianë, duke mbështetur fuqimisht njëri-tjetrin.
Autori është ish-presidenti i Bankës Qëndrore Europiane
/Përgatiti: Mapo.al/