Koronavirus bën edhe viktimën e parë të famshme në botën e futbollit. Lorenzo Sanz, ish-presidenti i Real Madrid ka humbur jetën nga virusi në moshën 76 vjecare. Prej ditësh Sanz ishte shtruar në terapi intensive, ku po luftonte kundër Koronavirus. Në ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë, deri në dorëzimin përfundimtar të njeriut që udhëhoqi Real Madrid për 5 vjet në fitoren e një titulli në Liga, një Superkupë spanjolle, një Kupë Intercontinentale e dy Champions League.
Sanz ishte drejtor i Real Madrid nga 1985 në 1995, ndërsa në 26 nëntor të 1995 u bë president i Blancos, pasi Ramón Mendoza u detyrua të dorëhiqej për probleme ekonomike, sociale dhe sportive të klubit. Sanz u mundua të kthente situatën në klub, duke blerë lojtarë si Davor Šuker e Predrag Mijatović me paratë e tij gjë që solli triumfin e pritur gjatë në arenën europiane. Real Madrid nuk e fitonte që nga 1966, ndërsa e arriti me Sanz në 1998 dhe 2000, përpara se po atë vit të humbiste presidencën përballë Florentino Pérez.