Kreu i Partisë Demokratike, tregoi tri gjërat kryesore që do të bënte nëse do të ishte kryeministër, në këtë situatë të përhapjes së koronavirusit.
Duke folur në një lidhje për emisionin ‘Open’, Basha tha se po të ishte kryeministër, së pari do të siguronte vijën e parë, që ndodhet në këtë luftë me koronavirusin, që janë pikërisht mjekët.
Së dyti, sipas Bashës, vëmendje do të merrnin shtresat në nevojë, që sipas tij, edhe në kushte normale, mezi jetojnë, në kushtet e mbijetesës.
Ndërsa, e treta që do të merrte vëmendjen e kreut të PD, nëse do të ishte kryetar i qeverisë, do të ishte shëndetësia dhe ekonomia.
‘Do respektoja një nga pikat kryesore të menaxhimit të krizave, është më mirë t’i dalësh përpara të keqesh. Krizat nuk trajtohen duke menduar sot për sot.
E dyta, është më mirë të bësh më shumë, se sa më pak, çfarëdolloj krize qoftë, financiare, ekonomi.
Prandaj, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me kufizime, që janë të domosdoshme absolutisht, por ato kërkojnë masa mbështetëse.
Tre gjërat kryesore që duhen bërë një orë e më parë janë: e para, të sigurojmë vijën e parë, mjekët.
Të sigurojmë që kanë mjaftueshëm pajisje testuese, sot të kemi mjaftueshëm pajisje për të trajtuar të infektuarit.
E dyta, kemi 50% të popullsisë që edhe në kushte normale mezi ja del. Ata kanë nevojë për ndihmë, për një paketë sociale, që trajton të gjitha shtresat, natyrisht edhe të moshuarit. Pra, paketë sociale për të gjitha familjet në nevojë.
E treta, të mos harrojmë se me këtë dallgë po vjen dhe një dallgë tjetër, ajo ekonomike. Prandaj, sot, jo nesër, duhet të shpallet paketa për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë operatorëve ekonomikë’, tha Basha.