“Rrini në shtëpi”, ishte mesazhi i ish-trajnerit të ekipit kombëtar Gianni de Biasi për të gjithë shqiptarët në këtë situatë ku duhet bërë shumë shumë kujdes.
Në një lidhje me “Skype” në emisionin “Studio Sprint” në ABC News, De Biasi theksoi që kjo ndeshje kërkon shumë kujdes dhe shumë përqendrim, në mënyrë që në fund të fitohet.
“Nëse të gjithë bashkë e luajmë këtë ndeshje, atëherë kemi mundësinë për të dalë nga një situatë e tillë. Nuk është një ndeshje e thjeshtë për ta fituar. Natyrisht e kam lexuar edhe letrën e Klopp, ishte e shkëlqyer. Futbolli nuk mund të luhet në këto kushte, nuk vlen asgjë”.
“Natyrisht nuk mund të bëjmë dinakun. Nuk mund të dalim e të bëjmë gjithçka, sepse aty do kemi dalë nga vetvetja. Duhet të jemi një skuadër shumë e fortë. Nuk duhet të ndajmë futbollistin nga njeriu. Është momenti kur të gjithë bashkë duhet të jemi një grup për ta luftuar këtë virus”.
Vetë ai e quan këtë situatë tërësisht të jashtëzakonshme dhe kurrë ndonjëherë më parë të provuar. “Njësoj si arrest shtëpie, por duhet durim dhe kujdes”, do të shtonte ai më tej për ABC News.
“Nuk e kam menduar kurrë në jetën time që do të kaloja një situatë të tillë. Më duket vetja si në arrest shtëpie. Natyrisht është një situatë shumë e vështirë, por duhet përshtatur me një situatë të tillë. Duhet të shmangim sa me tepër kontaktet për të mos e marrë virusin dhe për të mos e përcjellë. Sigurisht ato që janë të detyrueshme dhe gjërat primare do të bëhen, por ajo që është kryesore mbetet qëndrimi në shtëpi dhe të bëjmë kujdes. Do të jetë e vështirë, por duhet ta bëjmë”.
Gianni De Biasi qëndron prej ditësh në shtëpinë e tij në Venecia, teksa e gjithë Italia është duke luftuar me këtë virus që është ulur këmbëkryq në vendin fqinj. Për të gjithë shqiptarët, vetë trajneri sërish nuk harron në fund të kujtojë këshillat.
“I dua shumë shqiptarët. Të njëjtat masa siç janë marrë në Itali janë marrë edhe në Shqipëri. Është një situatë që duhet ta vlerësojmë, duhet të jemi të përqendruar. Duke e respektuar në maksimum me të njëjtat masa drastike, pasi është vërtetë shumë e rrezikshme”.
“Italia ndodhet në shtëpi prej shume kohësh. Duhet të qëndrojmë brenda dhe të dalim vetëm nëse kemi ndonjë urgjencë duhet të dalim. Ky është misioni më i bukur dhe misioni më i mundshëm për ta luftuar këtë virus”.
Trajneri i ekipit kombëtar në kohën e historisë së futbollit, kualifikimit në Europian, De Biasi ka bindje që kjo betejë e ashpër do fitohet, por bën apelin e tij për të qenë strikte karshi rregullave.